Sot vendoset në Athinë se kush do ta drejtojë organizimin më të lartë europian të futbollit në vitet e ardhshme.
E mbetur pa drejtues kryesor që prej dënimit të Michel Platini-së me lënie jashtë institucioneve të futbollit, UEFA do të ketë sot presidentin e saj të ri.
Drejtuesi i Federatës Sllovene të Futbollit, Aleksander Ceferin, është më pranë fitimit të zgjedhjeve për presidentin e ri të UEFA-s.
Ndërsa për t’i fituar zgjedhjet kërkohet një mbështetje me 28 vota, nga 55 vende anëtare të UEFA-s, mësohet se Ceferin ka marrë një premtim për përkrahje nga 40 prej tyre.
Aleksander Ceferin ka për rival holandezin Michael van Praag, një ish-drejtues i Ajaksit, si dhe një anëtar i komitetit ekzekutiv të UEFA-s.
Fituesi i zgjedhjeve sot në Athinë, që me shumë mundësi do të jetë slloveni, do të çojë në fund mandatin e pambaruar të Platini-së, gjer në 2019-tën. /tesheshi.com/