Në rrugën Shtip – Strumicë në Radovish, në lindje të Maqedonisë, aktivistët qytetarë kanë vendosur një “tabelë” të pazakontë, përmes së cilës paralajmërojnë pjesëtarët në komunikacion që të ngasin me kujdes, në të kundërtën i pret vdekja e sigurtë.
Buzë rrugës është vendosur figura e kositësit famëkeq, që njihet si simbol i vdekjes, ndërkaq para tij qëndron një dërrasë e zezë me paralajmërimin: “Vdekja pret në këtë rrugë, vozitni me kujdes.”
Simboli i vdekjes është vendosur pesë kilometra para Radovishit, për të frikësuar, por edhe paralajmëruar vozitësit që t’i përmbahen rregullave dhe rregulloreve të trafikut dhe për të ecur në përputhje me kushtet e rrugës.
Shenja paralajmëruese është vendosur për shkak të një numri të aksidenteve të trafikut në këtë rrugë, në këtë pjesë të Maqedonisë lindore.
Në dy muajt e parë të këtij viti në rrugën Shtip – Strumicë kanë ndodhur gjashtë aksidente të rënda, ndërsa në tetor të vitit të kaluar është plagosur rëndë edhe muzikanti me famë botërore i cili luan në shishe, Zoran Madzirov. Ai është ende në gjendje kome. /tesheshi.com/