Sapo nisi të kishte një zbehje të lehtë, Saimir Tahiri u rikthye sërish të premten e kësaj jave, me një tjetër njollë, tjetër të dhënë se pas kollarisjes së tij, të qënit chick dhe një pamjeje disa intelektuale falë syzeve, qenka fshehur vetë djalli.
Në një automjet janë gjendur dy patenta të tij për drejtim skafi, dhe kjo teksa është përfolur dhe për posedim të këtij mjeti lundrues prej tij, me funksion transportin e drogës.
Për gjithë çka po përflitet Tahiri, për implikimin e tij në afera trafiku droge, nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme, po të kemi parasysh se gjatë këtyre 25 viteve, qeveritarë të ndryshëm janë marrë bajagi me këtë zeje; ama në rastin e Tahirit, nëse gjithçka po del nuk është një truk i sajuar në mënyrë fantastike nga shumë aktorë të interesuar që merren me lojra të mëdha, na del që ky njeri, ky politikan, na paska qenë jo vetëm kokra e bastardit, në kuptimin më të ulët të fjalës, por dhe një injorant në kufijtë e një hajvallnllëku tronditës, gjersa i ka bërë të pabërat kaq trashë, kaq hapur, kaq troç, kaq pakamuflueshëm. Sepse, dreqi e morri, kur një njeri më staturë publike përfshihet në një aferë, aq më tepër politikan i lartë e ministër Rendi, me një opozitë që të ka shënjestër çdo cast, ekzistojnë ca sensorë të vetëdijes që i thonë të ketë kujdes e të rruhet mjeshtërisht në ca gjëra. Ndërsa me kaq lehtësi e kollajllëk sa po i dalin Tahirit zullumet e përfolura, i bie që të dyshosh dhe te ana tjetër e gjithë këtij “filmi pa pare” që po shohim: te ajo loja mer shumë lojtarë. Mjaft të analizojmë koinçidencat e rastit të fundit, të cilat t kanë një propabilitet afër zeros që të ndodhin.
Policia ndal një automjet biznesmeni pasi ky nuk i bindet. Ai qëllon të më mos ketë patentë, edhe pse nuk ka asnjë arsye racionale për këtë. Nuk është njeri disodo dhe patenta është gjëja me normale për formatin e tij publik. Më pas qëllon që ky ka dhe 800 mijë euro cash, për të cilat thotë se i duheshin për të blerë hekur. Veç kësaj, posedon dhe dy patenta skafi të Tahirit e një të bashkëshortes së tij. Thotë se i ka harruar shoferi i ish-ministrit të cilin e ai e ka shok. Dhe e gjithë kjo ndodh bash në kohën kur Tahiri është temë dite, ndërkohë që dhe fakti del nga opozita.
Është e habitshme se si ka funksionuar kaq perfekt ky rend gjërash, sepse, e para, mundej që policia hiç mos ta ndalonte biznesmenin. E ndalon por konstaton vetëm mungesën e patentës dhe merret vetëm me të. I gjen edhe 800 mijë eurot por jo patentat. Dhe mirë që i gjen këto të fundit, por ato janë dhe të Saimir Tahirit të cilat i ka harruar shoferi, që si logjikë nuk kishte pse t’i harronte, ashtu siç harrohet një çadër diku. Patentat janë “të dënuara” për të qenë në xhep, nga vetë përmasa dhe lënda. Vazhdon rendi perfekt ku bijnë ligjet e propabilitetit: të dy patentat janë për përdorim skafi. Dhe e theksojmë, kjo ndodh në kohën që gjithë i kanë sytë e veshët tek Tahiri.
Sepse ka dhe diçka tjetër: pse duhej që shoferi i tij të posedonte dy patentat e shefit dhe një të bashkëshortes së këtij të fundit? Cila është ajo rrethanë hipotetike që e bën të mundur diçka të tillë? Dhe si mund të ndodh kjo mu në kohën kur Tahiri duhet të jetë super i vëmendshëm për çdo detaj e çdo imtësi, që do mund ta kompromentonte? Dhe si ndodhi që këto dy patenta skafi të harrohen prej shoferit, që shoku tij biznesmen të udhëtonte drejt Elbasanit pa patentë, për t’u kapur nga policia, gjithashtu me 800 mijë euro, e ku të gjendeshin dhe tre dokumentat e Tahirit, dy të tij për ngarje skafi e një e guas, që më pas këto t’i servireshin shefit të opozitës e po ashtu medias, e theksojmë, me një rend perfekt gjërash, si të ishte një lojë e kurdisur? Shtojmë këtu dhe faktin se si firma e biznesmenit të kapur në drejtimin e automjtetit pa patentë, me 8 mijë euro cash, me dy patenta skafi të njeriu të akuzuar dhe për posedim skafi për trafik droge, rezulton të ketë kryer rikonstruksionin e një komisariati policie në kohën e Tahirit, atë të zonës së tij elektorale në Kombinat, e pos kësaj, xhaxha i tij na qenkërka dhe shef Garde.
Saimir Tahiri i ka një borxh të madh publikut, njerëzve që i kanë besuar votën dhe gjithë atyre që kanë paguar taksat për pagën e tij në katër vjet si ministër. Ai duhet të sqarojë, që, falë të qënit në lojrat e politikës e në Rend si ish-ministër, o ndaj tij është ngritur një kurth i ideuar e i përpunuar nga mjeshtra-armiq, ose ai i tillë ka qenë, i qelbur fund e krye, ose janë të dyja dhe kjo e treta nuk është vështirë për t’u kuptuar. Por tek rasti i fundit, të bën vërtet përshtypje rënia e ligjeve të propabilitetit…gjë që tregon në fund të fundit, masën ekstreme qelbjes së muhabetit në të gjitha kahjet. /tesheshi.com/