Nga Bujar M. Hoxha
Në ligjërimin publik të ditëve të sotme, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë zënë një vend të veçantë. Madje mund të thuhet se kjo temë është ndër më të debatuarat, që ngjall vazhdimisht interes të jashtëzakonshëm. Nuk mungojnë në këtë rrafsh si shkrimet analitike, ashtu dhe emisionet e gjata televizive. Ndesh në to analiza të balancuara, këndvështrime realiste, por jo rrallë dhe kundërshti të forta ndaj marrëdhënieve aktuale mes dy vendeve, nisur nga paragjykime, nga njohje të cekëta, nga padituri të plota, nga qasje thellësisht dhe kthjelltësisht antiturke dhe antiislame.
Debati i ndezur mbi këto marrëdhënie vjen si për shkak të rolit të shtuar rajonal dhe global të Turqisë, në kërkim të një qëndrimi të mëvetësishëm, çka e bën këtë vend të pranishëm në çdo çast në hapësirën mediatike botërore si në konotacionin pozitiv dhe negativ, në varësi të interesave specifike të shteteve të ndryshme, ashtu dhe për shkak të nënvizimit të përshkrimit të tyre si partneritet strategjik specifikisht nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Edhe pse pa një bazë të mirëfilltë, ligjërimet e veshura me paragjykime dhe me mendësi turkofobe fillojnë e mbarojnë me pyetje krejt pa vend, si për shembull: Shqipëria drejt Lindjes apo Perëndimit? Drejt Turqisë apo BE-së? Kështu, partneriteti strategjik është kuptuar, apo, ndryshe, qëllimisht kërkohet të kuptohet, si zhvendosje synimesh për vendmbërritje, ndërkohë që një dilemë e tillë nuk ekziston assesi, pasi shqiptarët, që nga qeverisësit te qytetari më i thjeshtë, mezi presin hapjen e negociatave për pranim në BE.
Në një atmosferë të tillë të përgjithshme, kur nevoja për t’i parë këto marrëdhënie nga një këndvështrim akademik është bërë domosdoshmëri, Fondacioni “ALSAR” vendosi të ndërmarrë nismën për mbajtjen e një simpoziumi në Tiranë mbi këtë temë, ashtu si në të shkuarën me organizimin e veprimtarive të ngjashme. Dhe kështu e mërkura mblodhi akademikë dhe intelektualë shqiptarë e turq në këtë simpozium, ku spikaste larmia e kumtesave.
Kryetari i Fondacionit “ALSAR”, z. Mehdi Gurra, do të vinte në pah në fjalën e hapjes farkëtimin e një miqësie të sinqertë e të qëndrueshme midis shqiptarëve dhe turqve në shekujt e gjatë të bashkëjetesës nën Perandorinë Osmane, rolin e miliona turqve me origjinë shqiptare në mbarëvajtjen e kësaj marrëdhënie vëllazërore, si dhe pikat e përbashkëta që vijojnë t’i japin më tej jetë asaj.
Pasi përmblodhi ndihmesën turke për Shqipërinë nga rënia e regjimit totalitar e këtej, z. Gurra i mëshoi denoncimit të një fushate të përhapjes së lajmeve të rreme për Turqinë, pa harruar të përmendë kërcënimin që paraqet për këto marrëdhënie prania e pjesëtarëve të FETÖ-s, organizatës terroriste, në vendin tonë, e po ashtu në Maqedoni e Kosovë.
Fjalët përshëndetëse të prefektes së Tiranës, znj. Suzana Jahollari, kryegjyshit botëror të bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, dhe të përfaqësuesit të Shoqatës Kulturore Shqiptaro-Turke “Hasan Tahsini”, z. Ahmet Mehmeti, patën në përmbajtje të tyre vlerësimin për këto marrëdhënie, për këto lidhje vëllazërore, duke kujtuar mes të tjerash ndarjen e normave të përbashkëta shoqërore mes shqiptarëve dhe turqve.
Me thelb ishte ligjërimi përshëndetës i ambasadorit të Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Murat Ahmet Yörük. Ai u shpreh qartë se Ballkani ka rëndësi të madhe për Turqinë, e se Shqipëria dhe shqiptarët janë ndër kolonat bazë të këtij rajoni, të paqes dhe stabilitetit në të.
Ambasadori foli për rrënjët gjashtëshekullore të marrëdhënieve shqiptaro-turke, për një të kaluar të shkëlqyer të tyre, për kontributin e shqiptarëve si një element bazë. Pasi përmendi një varg emrash të mirënjohur, ai tha se shqiptarët kanë vulën e tyre në historinë e përbashkët, në një seri fushash. Me theksin në ecjen e përbashkët drejt së ardhmes, z. ambasador përsëriti kërkesën që territori shqiptar të pastrohet nga elementët e FETÖ-s, të cilët përbëjnë një kërcënim për Turqinë. Kjo, sidoqoftë, sipas tij, është dhe në interes të Shqipërisë.
Renditja nga ai e disa shifrave në marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve shërbeu për të treguar rëndësinë që u jep Turqia atyre, shoqëruar me synimin e këtij vendi për t’i dyfishuar ato, si dhe për t’i zgjeruar investimet turke në Shqipëri.
Murat Ahmet Yörük tha se një Shqipëri e qëndrueshme është në interes të Turqisë. Në të njëjtën kohë uroi që këtë vit të çelen për Shqipërinë negociatat për pranim në BE.
Kumtuesit e mëpastajmë do të sillnin në ligjëratat e tyre kënde të ndryshme të marrëdhënieve shqiptaro-turke. Prof. dr. Bülent Akyay pati në fokus të fjalës së tij marrëdhëniet shqiptaro-turke në periudhën mes viteve 1923-1938. Dr. Halil Hyseni kumtoi mbi realitetet e këtyre marrëdhënieve ndër vite. Prof. dr. Çınar Özen shpjegoi vendin e Shqipërisë në politikën ballkanike të Turqisë. Dr. Klevis Kolasi iu referua problemeve të Shqipërisë prej viteve ’90 të shekullit të lënë pas e gjer më sot dhe rolit të Turqisë si vend aleat. Kumtesa e prof. dr. Ferit Dukës kishte për lajtmotiv Turqinë dhe Ataturkun në shtypin shqiptar në vitet ’20-’30 të shekullit të njëzetë.
Me rëndësi për t’u veçuar këtu, dhe për t’u zgjatur në të, është fjala e diplomatit dhe publicistit të njohur Shaban Murati, për shkak të relevancës me zhvillimet aktuale. Në suazën e kontekstit rajonal të aleancës strategjike Turqi-Shqipëri, në titull të kumtesës së tij, z. Shaban Murati bëri me dije se kjo aleancë këshillohet nga roli jetik që marrëdhëniet dypalëshe luajnë për ekuilibrat strategjikë të Shqipërisë në rajonin ballkanik. Për të, si karakteri, ashtu dhe interesi i aleancës strategjike nuk lidhen me format e regjimeve në një kohë të caktuar në të dy vendet, as me emra të përveçëm që drejtojnë qeveritë dhe shtetet. Nuk lidhen as me oshilacionet e marrëdhënieve të këtij apo atij shteti me palë të treta, as me pikëpamjet dhe emocionet momentale, fetare, krahinore, kulturore, politike e ideologjike, të jetës së brendshme, ndërsa nuk mund të shihen as nga këndi i luftës së brendshme politike.
Ligjëruesi në fjalë është palëkundshmërisht i mendimit se përcaktimi i Turqisë si aleat strategjik i Shqipërisë ka qenë një zgjidhje e drejtë strategjike e politikës së jashtme në vitin 2013, ngaqë vendosi një ekuilibër të nevojshëm në dobi të rolit të Shqipërisë në rajon.
Teksa solli në vëmendje elementët që i japin përparësi Turqisë në përcaktimin si aleat strategjik i Shqipërisë, z. Shaban Murati theksoi me forcë – dhe kjo duhet patur parasysh nga çdo kritikues – se kombi shqiptar, në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni e kudo, nuk mund të harrojë se Turqia nuk ka asnjë centimetër tokë shqiptare në kufijtë e saj, nuk pretendon dhe nuk do të vijë të pretendojë asnjë centimetër tokë shqiptare, se ajo nuk ka ambicie territoriale ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë, se i ka njohur dhe i ka pranuar zyrtarisht dhe plotësisht kufijtë shtetërorë të Shqipërisë, dhe se Turqia ka demonstruar mbështetje të jashtëzakonshme për Shqipërinë në vitin e mbrapshtë 1997!
Ai vijoi me dy rrethana të reja strategjike që e bëjnë të natyrshme aleancën mes dy vendeve: a) transformimi i faktorit shqiptar në rajon në faktor ballkanik pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe pavarësimit të Kosovës si shtet, krijimi i dy shteteve shqiptare i pritur ftohtë dhe armiqësisht nga shumica e vendeve ballkanike, ndërkohë që vetëm Turqia e përshëndeti dhe e përkrahu fuqishëm transformimin e faktorit shqiptar në faktor ballkanik, dhe b) fenomeni i ri negativ rajonal i kompozimeve të reja të grupimeve apo aleancave shtetërore, si reminishencë e fenomenit të grupimeve armiqësore ndaj çështjes shqiptare. Interesante, thotë z. Shaban Murati, është se këto grupime e kanë përjashtuar Shqipërinë, se nuk e kanë thirrur për pjesëmarrje, dhe, ç’është më e rëndësishmja, të gjitha grupimet janë krijuar jorastësisht vetëm me shtete ortodokse!
Kësisoj, në planin rajonal, këshillon diplomati, një diplomaci largpamëse shqiptare duhet të punojë për ndërtimin dhe forcimin e një lidhjeje të veçantë Shqipëri-Kosovë-Turqi!
I tërë simpoziumi i organizuar nga Fondacioni “ALSAR” i shërbeu një paraqitjeje të duhur të marrëdhënieve shqiptaro-turke, por për kohën në të cilën jetojmë, për debatin që ngjallin këto marrëdhënie, të tentuara të prishen nga disa qarqe, brenda apo jashtë territorit shqiptar, vlen të citohen veçmas më poshtë, në mbyllje, fjalët e fundit të kumtesës së z. Shaban Murati:
“Nuk mund të bësh kurrë miq të rinj në arenën ndërkombëtare duke shndërruar në armiq miqtë që ke… Aleanca strategjike me Turqinë është një interes jetik i politikës rajonale, i strategjisë rajonale dhe i ekuilibrave rajonalë të Shqipërisë. Turqia është aleati strategjik më optimal i Shqipërisë në Ballkanin kontinental.” /tesheshi.com/