Kapiteni Tyler Knickerbocker është një nga pilotët luftarakë amerikanë F-16 që mbërriti në Gjermani për stërvitjen “Air Defender”.
Në ditën e tretë të stërvitjes, njësia e tij mbajti një konferencë shtypi në bazën ajrore Spangdahlem në Rheinland-Pfalz.
Deri më tani stërvitja në të cilën marrin pjesë 24 shtete me më shumë se 200 avionë ushtarakë po shkon pa probleme, u tha gazetarëve ky pilot amerikan, shkruan Deutsche Welle.
“Unë jam shumë i impresionuar me mënyrën se si gjermanët e përgatitën këtë stërvitje. Për pilotët më të rinj dhe të papërvojë, është një mundësi e shkëlqyer për të fituar përvojë. Ndoshta ata kurrë nuk kanë pasur mundësinë të shohin kaq shumë avionë në hapësirën ajrore në të njëjtën kohë.”
Ute Otterbein, një zëdhënëse e kontrollit të trafikut ajror të Gjermanisë (DFS), raporton se kontrollorë shtesë të trafikut ajror do të rekrutohen dhe vendosen gjatë stërvitjeve ajrore – si për të drejtuar avionët civilë ashtu dhe ato dhe ushtarakë.
“Në Gjermani, DFS është i integruar në sistemet civile dhe ushtarake. Kjo do të thotë se të gjithë avionët ushtarakë kontrollohen nga kontrolli gjerman i trafikut ajror. Kolegët e mi i çojnë në hapësirën ajrore për stërvitje. Atje ata fluturojnë sipas Rregullave të Fluturimit Vizual. Pas stërvitjes, ne i kthejmë në bazat e tyre”.
Vonesat aktuale brenda kufijve, të tolerueshme
Avionët civilë duhet të drejtohen për të shmangur zonën ku zhvillohen stërvitjet ushtarake. Kjo mund të shkaktojë vonesa. Por në ditët e para vonesat ishin brenda kufijve. Vetëm një numër i vogël fluturimesh u zhvilluan të hënën dhe stërvitjet me të vërtetë filluan vetëm të martën. Por edhe pas kësaj, vonesat ishin dukshëm më të vogla se sa pritej.
“Do të kemi një vlerësim përfundimtar pas përfundimit të stërvitjes”, thotë Otterbein. “Ne duhet të vlerësojmë informacionin nga qendrat rajonale të kontrollit dhe të marrim parasysh arsyet e vonesës që nuk kanë të bëjnë me “Air Defender” – ato janë për shkak të motit ose arsye të tjera. Vleresimi do të marrë pak kohë.”
Parashikimi për të martën ishte 55,000 minuta vonesë. Por çfarë do të thotë kjo në të vërtetë? Otterbein jep një krahasim:
“Nëse ka një stuhi në Gjermani, atëherë një vonesë është e pashmangshme. Kur pista perëndimore e Frankfurtit mbyllet për shkak të erës së kundërt, ne përballemi me rreth 30,000 minuta vonesë në ditë.” Për këto arsye, DFS nuk dëshiron të thotë saktësisht se sa minuta vonesë kanë ndodhur deri më tani. Megjithatë, kjo stërvitje e madhe ushtarake do të zgjasë deri më 23 qershor dhe nuk përjashtohet që të ketë vonesa të mëdha në trafikun ajror civil.
Nënkoloneli Matthias Boehnke, i Qendrës së Informacionit të Forcave Ajrore Gjermane për marrëdhëniet me shtypin, duket i qetë gjatë telefonit. Merr pyetje nga gazetarë nga e gjithë bota. Ai u përgjigjet shumë pyetjeve, mban konferenca për shtyp dhe informon forcën e shtatë për ecurinë e stërvitjeve.
“Deri tani gjithçka ka ecur mirë. Vetëm në fillim ka pasur disa probleme në koordinim me DARS, radarin celular të NATO-s nga Italia. Ky radar është bashkëpërgjegjës për kontrollin e hapësirës ajrore ku zhvillohen stërvitjet ushtarake në lindje. Ka pasur disa probleme teknike”.
Shumica e pilotëve nuk kanë parë kurrë një përqendrim të tillë të avionëve luftarakë, transportues dhe cisternë. Avionët modernë si F-35 kanë kërkesa shumë specifike për transmetimin e të dhënave. Teknologjia duhet të funksionojë, përndryshe mund të jetë e rrezikshme. Por edhe këtu oficerët e Forcave Ajrore e kanë gojën plot lëvdata. “Forca Ajrore Gjermane ka bërë një punë fenomenale. Ajo mbështet dhe përmbush të gjitha kërkesat e trupave ndërkombëtare, dhe mbi të gjitha kujdeset për teknologjinë e nevojshme të informacionit (IT)”, tha Nathaniel Hofmann, komodor në skuadrën e 52-të luftarakë të SHBA-së.
Cili është qëllimi i “Air Defender”?
Shumica e popullsisë mezi është në dijeni të këtij ushtrimi gjigant. E megjithatë dy vjet më parë, një tjetër manovër në shkallë të gjerë, e cila simuloi një përgjigje ndaj një sulmi të imagjinuar ndaj aleancës ushtarake nga lindja, shkaktoi protesta dhe shqetësim. Kjo ndryshoi pas agresionit rus kundër Ukrainës.
Niklas Schörnig, studiues i lartë në Institutin Leibniz të Fondacionit Hessen për Kërkimin e Paqes dhe Konfliktin në Frankfurt, thekson dobinë e këtij ushtrimi. Pavarësisht nga karakteri i tij mbrojtës, ai ka një efekt parandalues ndaj agresorëve të mundshëm:
“Sidoqoftë, është një sinjal i qartë se po praktikohet një reagim i shpejtë i aleatëve të aleancës ushtarake në rast të një sulmi të mundshëm. Meqenëse trupat tokësore nuk janë përfshirë, dhe këto janë stërvitje ushtarake që janë zhvendosur vetëm në një tjetër zonë, potenciali për provokim është i ulët”.
“Masa për ndërtimin e besimit”
NATO ka theksuar vazhdimisht se stërvitja nuk ka të bëjë me pushtimin rus të Ukrainës. Dëshmi për këtë është se planifikimi për këtë stërvitje ushtarake zgjati pesë vjet. Studiuesi i paqes Schörnig e relativizon këtë shpjegim. “Planifikimi i stërvitjes u zhvillua në dritën e aneksimit të Krimesë në vitin 2014. Që atëherë, aleatët e NATO-s e kanë konsideruar kërcënimin të mundshëm. Sulmi ndaj Ukrainës në vitin 2022 tregoi se frika e aleatëve nga lindja e Evropës nuk ishte e pabazë.”
Përveç efektit të jashtëzakonshëm të kësaj stërvitjeje ushtarake, të cilën komodori Nathaniel Hofmann e përshkruan si një “masë për ndërtimin e besimit”, “Air Defender” sigurisht që do të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit për ekzistencën e NATO-s në mbarë botën. Synimi i saj është gjithashtu të kundërshtojë tezën e një “NATO-je klinikisht të vdekur” – një tezë që u shpreh nga presidenti francez Emmanuel Macron disa vite më parë.
Kur u pyet se sa e qëndrueshme është kjo shfaqje e pushtetit, nënkoloneli Boehnke tha:
“Gjithmonë mëson diçka, gjatë praktikës, pas çdo raundi vlerëson se çfarë shkoi mirë dhe çfarë jo aq mirë, në mënyrë që të merresh menjëherë me të. Pas praktikës bëhet edhe një vlerësim formal dhe një raport Kjo është ajo që na ndihmon të planifikojmë stërvitjet e ardhshme. Sido që të jetë, ne bëhemi më të fortë së bashku përmes ushtrimeve si ‘Air Defender 2023’”. /tesheshi.com/