Nga Mensur Krasniqi
Në një atmosferë të qetë dhe demokratike, ashtu siç nisi, ashtu dhe mbaroi protesta e djeshme e partive opozitare maqedonase dhe organizatave joqeveritare kundër pushtetit aktual.
Sipas informacioneve që dalin nga mediumet e ndryshme në Maqedoni, protesta thuhet të jetë njëra ndër më të mëdhatë deri tani që ka kaluar pa asnjë incident.
Ngjan ky si një leksion europian i organizimit të protestave nga ana e opozitës, por dhe si vetërmbajtje duke parë numrin e madh të forcave policore.
Protesta filloi nga ora 18:00 para zyrës së Prokurorisë Speciale si shenjë e mbështetjes së këtij institucioni të pavarur për punën që po bën në hetimin e të gjitha rasteve të funksionarëve të korruptuar, edhe për dallim nga fakti që presidenti i shtetit Gjeorgje Ivanov para disa ditësh solli vendimin për amnisti të të gjithë politikanëve për vepra penale që dalin nga përgjimet e bisedave telefonike që ka publikuar opozita maqedonase para një viti; akt që ishte një tjetër shkas për organizimin e protestës.
Më pas, në mënyrë të organizuar, me mijëra protestues u nisën për te Kuvendi i Maqedonisë. Atje u pritën nga kordonët policore të cilët nuk i lejuan protestuesit që të afrohen.
Këta të fundit kësaj rradhe nuk rranë në provokim dhe në vend se të ballafaqohen me policët, ndërruan kahje dhe u nisën për tek Muzeu i VMRO-së (partisë maqedonase në pushtet) por edhe në këtë rast policia i ndaloi tek Ura e Gurit (100 metra larg muzeut).
Duke dashur ta ruajnë qetësinë dhe të dëshmojnë një etikë evropiane kundër pushtetit aktual të inkriminuar, protestuesit u kthyen prapa për të objekti i qeverisë nëpërmjet sheshit “Maqedonia”, ndërsa u ndaluan nga polica tek posta kryesore. Aty qëndruan disa çaste dhe më pas kordoni policor u tërhoq dhe i lejoi që të afrohen tek godina qeveritare. Në orët e vona të natës protestës i’u është bashkangjitur edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Maqedoni, Çarls Gareth.
Edhe pse asnjëra nga partitë opozitare nga blloku politik shqiptar nuk kanë dalë me qëndrim për mbështetje të protestës, portali tesheshi.com ka mësuar se në mesin e protestuesve ka pasur edhe protestues shqiptarë. Pra bëhej fjalë për një foto të postuar në facebook ku shihet analisti i njohur Ramadan Ramadani dhe gazetari Muhamed Zekiri me disa të tjerë.
Nga ana tjetër, qindra protestues të partisë maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE-së kishin dalur në kundër-protesta para godinës së LSDM-së duke akuzuar kreun e kësaj partie Zoran Zaev për tradhëti.
Ata madje brohorisnin parulla në mbështetje të kreut të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, si dhe parulla kundër ndërkombëtarëve, konkretisht kundër SHBA-së.
Protestat vazhdojnë edhe sot, nën organizim të lëvizjes “Protestoj” dhe në mbështetje të shumë organizatave tjera joqeveritare dhe partive të bllokut opozitar maqedonas.
Gjatë ditës së sotme nëpër disa mediume në Maqedoni janë plasuar informacione që nga java e ardhshme Lëvizja për Reforma në PDSH në krye me Ziadin Selën do të trondisin Maqedoninë me numrin e madh të protestuesve në protestat që do të organizojë kjo lëvizje kundër pushtetit të udhëhequr nga ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski dhe kundër vendimit të fundit të presidentit maqedonas, Gjorge Ivanov ku amnestoi mbi 10 politikanë të VMRO-DPMNE-së të cilët kishin kryer vepra të rënda penale.
LR-PDSH, përmes protestave masive në Maqedoni pretendon të alarmojë qytetarët shqiptarë për krizën e thellë politike në vend, posaçërisht për partizimin e të gjitha institucioneve shtetërore nga ana e qeverisë së drejtuar nga VMRO-DPMNE dhe për vendimet skanadaloze të institucioneve shtetërore.
Ndryshe, LR-PDSH e drejtuar nga kryetari Ziadin Sela ka mar pjesën më të madhe të PDSH-së së dikurshme dhe gëzon autoritet të madh në komunat shqiptare në Maqedoni. Nga kjo lëvizje kanë paralajmëruar se protestat masovike në vazhdim do t’i organizojë veçmas dhe nuk kanë asnjë lidhshmëri me protestat e LSDM-së të drejtuar nga Zoran Zaev. /tesheshi.com/