Gazetari i ‘Zërit të Amerikës’, Ilir Ikonomi, solli këtë vjeshtë një libër monografik mbi figurën kontraverse të Esat Toptanit.Libri me 500 faqe dhe me foto dhe dokumente që publikohen për herë të parë sjell një tablo gati artistike të jetës së sundimtarit të fillim-shekullit të 20-të që vinte pas shërbimit si gjeneral i perandorisë osmane. Nga ky libër sjellim më poshtë njëpjesë, momentin kur Esat Pasha i jep sulltanit Abdyl Hamitit të Dytë lajmin se ka rënë nga froni. Sulltani i lutet për jetën dhe gjenerali shqiptar ia premton këtë duke vlerësuar ndershmërinë e osmanëve. Pjesa e titulluar “një shije e thartë” nis me një thënie të Esat Pashës; “Urdhrat që kam marrë prej Stambollit si pikat e shiut janëqë të shkoj një sahat e më parë me gjithë ushtri në Shkodër et’i rri gati Karadakut (Malit të Zi).”
Një shije e thartë
Stamboll, 27 prill 1909. Pasdite. Në orën dy e gjysmë, katër burra nisen me karrocë nga Ajastefanos, ku ka selinë parlamenti, për t’i dhënë sulltan Abdyl Hamitit të Dytë një lajm që do të trondisë jo vetëm Turqinë, por tërë botën. Dy prej tyre janë deputetët Esat pashë Toptani nga Tirana dhe Emanuel Carasso, hebre nga Selaniku. Dy të tjerët, senatorët Ahran efendi dhe Arif pasha janë më pak të dëgjuar. Ndër të katër,më i rëndësishmi është gjeneral Esat Pasha, rreth pesëdhjetë vjeç.
Euforia ka pushtuar kryeqytetin e perandorisë osmane dhe kjo kuptohet nga pushkët e gëzimit që shkrehen në ajër. Xhonturqit kanë fituar edhe një herë ndaj sulltanit, që flitet se ka provuar të shfuqizojë përsëri Kushtetutën.
Katër burrat po shkojnë t’i thonë padishahut se ka rënë nga froni.
E pabesueshme! Ndërsa qyteti zien nga hareja, pallatin e sulltanit e ka pllakosur heshtja dhe zymtia. Kompleksi, që dikur llamburiste nga dritat, prej disa netësh mbulohet nga terri. Garnizoni i sarajeve ka lëshuar armët dhe rruga është zënë për të mos lejuar që njerëzit brenda të furnizohen me ushqime. Sundimtari i tmerrshëm tani është ngujuar në një dhomë të pallatit Jilldëz bashkë me gratë e haremit, dhe pret fatin t’i trokasë në derë.
Që nga sulltani e deri te shambelanët, sekretarët, gjithfarë adjutantësh e rojesh, eunukët, kopshtarët dhe hamejtë, shërbëtorët e kuzhinës dhe të stallave, të gjithë kanë filluar të ndiejnë urinë. Vetë sulltani detyrohet të hajë bukë e zarzavate dhe asgjë tjetër. Janë hapur fjalë se ushtria mund ta marrë pallatin me sulm dhe kjo ka krijuar frikën e vdekjes tek ata që ndodhen brenda. Burrat i tremben ndonjë masakre. Ndërkaq, klithmat e grave e shtojnë panikun në gjysmerrësirën e dhomave, ku kanatat janë mbyllur thuajse të gjitha dhe ndriçimi i vetëm është ai i qirinjve.
Kur delegacioni arrin në Jilldëz, pallati është zhytur në një heshtje prej varri. Asgjë nuk lëviz. Dëgjohen vetëm hapat e të ardhurve që shkelin zhukzhuk mbi zhavor. Burrat ngjisin disa shkallë prej mermeri dhe trokasin në një portë. E hap njëri prej sekretarëve, Xhevat beu, i cili i pyet se çfarë kërkojnë. Esat pasha përgjigjet: “Duam të takojmë sulltanin për t’i njoftuar diçka.” Sekretari hyn brenda dhe burrat presin.
Mes të katërve, ai që e urren më shumë Abdyl Hamitin, dhe e urren për vdekje, është Esat pasha. Ka një trup të plotë, të rregullt dhe të fortë, në të cilin bie në sy mungesa e qafës. Duket sikur koka i është bllokuar mes shpatullave të tij të drejta, nga të cilat vazhdimisht përpiqet të shpëtojë. Ballin e ka të madh dhe flokët paksa të dredhur i fillojnë diku nga mesi i kokës rrumbullake. Hunda e Esatit ka një përkulje kryeneçe si prej sqepi, në formën e asaj që mund të quhet hundë romake. Por, më interesantë janë sytë. Me kokërdhokë paksa të kërcyer, ata nuk të japin përshtypjen e ndonjë gjallërie të veçantë dhe kanë diçka që të habit: syri i djathtë duket si prej qelqi dhe qëndron në zgavër fare i palëvizshëm, sikur po merr nishan.
Megjithë neverinë që Esati ka për sulltanin, kjo nuk lexohet sot në fytyrën e tij. Është i qetë, i menduar dhe i ngurtë, çka mjafton për t’u hequr tre të tjerëve ankthin se Esatit mund t’i hipë në kokë inati prej shqiptari dhe ta vrasë në vend padishahun.
Burrat mendojnë se do të ishte mirë të përgatiten për ndonjë të papritur. Abdyl Hamiti rri gjithnjë i armatosur dhe nuk dihet se si mund të reagojë kur t’i komunikohet lajmi. Nuk ngurron të nxjerrë armën kur e zë frika nga ndonjë gjest i beftë i vizitorit dhe dihet se dora nuk i gabon. Të ardhurit provojnë me gishta këllëfët e revolverëve, për t’u siguruar se arma mund të dalë pa vështirësi në rast nevoje.
Kalojnë minuta të tëra dhe sekretari nuk duket. Më në fund dera hapet, Xhevat beu i fton njerëzit brenda dhe delegacioni rrethohet menjëherë nga një turmë eunukësh. Të ardhurit hyjnë në një korridor të pallatit, pastaj në një sallon të madh, ku grilat i kanë errësuar thuajse fare dritaret, përveç njërës, që është gjysmë e hapur dhe lejon të shohësh kopshtet plot diell. Për nga arkitektura dhe mobilimi, salloni mund të quhet pa frikë një kryevepër.
Dyshemeja është prej sedefi. Tavani i lartë e i praruar prej druri të gdhendur të mahnit me format gjeometrike të përsosura dhe relievin e pasur. Disa prej mobilieve të sallonit thuhet se janë bërë nga vetë sulltani, të cilin e mbajnë për zdrukthëtar të talentuar.
Në të majtë të sallonit ka një paravento japoneze me ngjyra të zbërdhylta, ndërsa në mure janë varur disa pasqyra të stërmëdha. Si njeri me fiksime, sulltani nuk jeton dot pa pasqyra, sepse ato e lejojnë të vëzhgojë çdo lëvizje, e sidomos të diktojë nëse ndonjë vrasës i mundshëm po i afrohet nga prapa. Jashtë fillojnë të dëgjohen shkrehje pushkësh, që të kujtojnë se ushtarët nuk janë larg dhe se epoka e Abdyl Hamitit të Dytë ka marrë fund. Kur delegacioni arrin në mes të dhomës, nga paraventoja shfaqet vetë padishahu, i cili ka veshur një xhaketë të zezë civile dhe një pallto të madhe ushtarake, të mbërthyer deri sipër. Duket i lodhur dhe i lëshuar; leshrat i varen të pakrehura dhe mjekrën nuk e ka të lyer ashtu siç e njohin të gjithë nga portretet e varura kudo në vende publike. Brazdat e fytyrës i janë thelluar.
Supet i ka më të përkulura se zakonisht dhe krahët i rrinë varur. Pranë ka të birin shtatëmbëdhjetëvjeçar, Abdurrahim efendiun, i cili ka veshur uniformën e pallatit dhe i mban duart të kryqëzuara në kraharor, siç bëjnë djemtë turq në praninë e të rriturve. – Pse keni ardhur? – pyet sulltani.
Gjeneral Esat pasha e përshëndet në mënyrë ushtarake dhe bën dy hapa përpara: – Në bazë të fetvës, populli ju ka rrëzuar. Asambleja Kombëtare merr përsipër sigurinë tuaj dhe të familjes suaj. Nuk ka përse të keni frikë nga askush. Për këtë të jeni i sigurt! Fetva është dekreti islamik, një dokument që nxirret nga Sheik-ulIslami, autoriteti më i lartë fetar i vendit. – Unë nuk jam fajtor, – përgjigjet sulltani. – Po ç’ti bësh, s’paska qenë kismet.
Abdyl Hamiti i Dytë, ky njeri me shumë talente, kishte dekada që jetonte me frikën e eksperimenteve të veta politike. Kishte hipur në fron në gusht të vitit 1876, në një kohë jo të mirë për perandorinë, kur ajo pati hyrë në fazën e shkërmoqjes: të krishterë dhe myslimanë, sllavë, grekë, shqiptarë dhe maqedonas ishin të pakënaqur dhe e tërhiqnin litarin secili në drejtimin e vet. Prandaj, një ndër aktet e tij të para ishte shpallja e një forme kushtetuese të qeverisjes, ku të gjithë subjektet e perandorisë të gëzonin liri fetare dhe të drejta politike të barabarta. Aty, në Jilldëz, në ato salla ku tani pllakos heshtja, ishin hartuar skemat e sistemit të ri, të cilat u ishin shpërndarë memurëve nëpër zyrat qeveritare me urdhërin “merrini, zbatojini!”
Me shpresë, drojë dhe frikë, kushtetuta ishte shpallur në dhjetor të atij viti, por ky lëshim i dhimbshëm kishte zgjatur vetëm dy vjet, sepse një luftë me Rusinë gati e kishte shkatërruar perandorinë financiarisht. Humbja e luftës e kishte detyruar sulltanin t’i jepte pavarësinë Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Bullgaria kishte fituar autonominë. Turqia kishte humbur privilegje të tjera dhe kështu, Abdyl Hamiti e kishte pezulluar kushtetutën, e cila mbeti një sprovë e ndërprerë. Hartuesit e saj ishin syrgjynosur si komplotistë, madje më kryesori prej tyre, Mit’hat pasha, mentor i shqiptarit të famshëm Ismail Qemal bej Vlora, pati vdekur i helmuar.
Tri dekada më vonë, në vitin 1908, kishte plasur revolucioni xhonturk. Reformatorët, që ishin bërë të modës, kishin kërkuar hapur ndryshimin dhe, në kulmin e verës së atij viti, Abdyl Hamiti nuk po e ndiente më veten të qetë. Ai kishte mësuar se trupat e rebeluara të Selanikut po marshonin drejt Stambollit, ndërsa në Ferizaj 10 mijë shqiptarë të armatosur i kishin dërguar një telegram, ku i kërkonin rivendosjen e Kushtetutës. I trembur, sulltani kishte kërkuar me ngut këshilla, mes të tjerash edhe nga Ismail beu, i cili asokohe jetonte në Paris. Shkurt, e kishte risjellë në fuqi kushtetutën dhe, në të gjitha anët e perandorisë, njerëzve u ishte dukur sikur dielli kishte lindur përsëri.
Ishin bërë zgjedhje, ishin hequr shumë ndalime, ishte ndier një frymë çlirimi që kishte ngjallur gëzim dhe shpresë të re.
Mirëpo, nuk kishin kaluar as pesë muaj dhe më 17 dhjetor të atij viti, në fjalimin e hapjes së parlamentit, sulltani kishte thënë diçka që i kishte lënë të gjithë gojëhapur, duke deklaruar se trupi ligjvënës shpërndahej përkohësisht. Kulmi kishte qenë më 13 prill 1909, kur ushtarët në kryeqytet ishin rebeluar dhe kishin përmbysur kabinetin. Thuhej se ata ishin nxitur nga vetë sulltani, ndonëse nuk jepej ndonjë provë bindëse.
Ishte dashur të vinin përsëri trupat osmane të Selanikut që ta shtypnin revoltën dhe të risillnin në fuqi qeverinë.
Gjenerali përballë Abdyl Hamitit, deputeti i Durrësit Esat pasha, kishte qenë në mbledhjen e Komitetit Xhonturk, në Stamboll, ku ishte vendosur që sulltani të rrëzohej nga froni. Kur ishte bërë pyetja se kush duhej t’ia përcillte atë mesazh kalifit të tmerrshëm, Esati qe ngritur ngadalë dhe, me pamje të zymtë, kishte thënë përpara Komitetit: “Shkoj unë tek Abdyl Hamiti”.
Në fakt, Esati mund të ishte zgjedhja më e përshtatshme, sepse siguria personale e sulltanit, pallati, madje edhe haremi i tij u ishin besuar shqiptarëve. Sovrani mbante një gardë të përbërë kryesisht nga shqiptarë, të cilët mund të shkrehnin armën me një shenjë të vetme të tij. Arrijmë kështu në pasditen e 27 prillit 1909, kur në njërën nga sallat e Jilldëzit ka filluar një bisedë e vështirë. Abdyl Hamiti e njeh Esatin; jo vetëm e njeh, por ky ka qenë një ndër të përkëdhelurit e tij. Mes tyre ka një histori të hidhur, që shumë njerëz në Stamboll e dinë dhe që mund të jetë shkaku se përse Esati e urren aq shumë padishahun. – A është të paktën jeta ime e siguruar? – pyet sulltani dhe sytë i ka gati të përlotur. Përgjigjet Esati: – Osmanët janë fisnikë dhe bujarë. Ata kurrë nuk bëjnë padrejtësira. Bie një heshtje e drojtur, të cilën e prish vetëm tiktaku i orëve të shumta. – Betohuni për këto që thoni, sepse shumë shpejt mund t’i ndryshoni fjalët. Betohuni përpara meje personalisht se nuk do ta shkelni këtë që thoni, – ngul këmbë sulltani. – Jua përsëris se osmanët janë fisnikë dhe nuk bëjnë padrejtësira. Jeta juaj është plotësisht e garantuar nga Asambleja Kombëtare. Nuk ka pse merakoseni. Abdyl Hamiti është qetësuar disi. Në kokë i vjen siç duket një mendim egoist dhe pyet: – Si do ta kaloj jetën tani? Dy ditë me radhë nuk kam patur asnjë shërbëtor. As ushqim nuk kam. Jam katandisur deri aty sa po jetoj bashkë me gratë e haremit. Toni i tij bëhet lutës: – Ishalla vendi tregohet i mirë dhe më lejon të jetoj në Çiragan. Çiragani është një pallat buzë Bosforit që lidhet me Jilldëzin me një urë elegante prej mermeri. Janë sarajet ku Abdyl Hamiti ka lindur dhe ka kaluar fëmijërinë. Përgjigjet Esati: – Dëshirën tuaj do t’ia përcjellim Asamblesë Kombëtare dhe vendimi i saj do t’ju komunikohet më vonë. Shpresoj shumë që dëshira t’ju plotësohet. Kjo e trimëron paksa sulltanin: – Unë fitova luftën me Greqinë dhe historia e di se sa kam bërë për këtë vend. Unë nuk jam fajtor. Esat pasha, i cili para dymbëdhjetë vjetësh ka qenë vetë në luftën me Greqinë, e dëgjon me qetësi dhe përgjigjet: – Në regjimin kushtetues nuk dënohet askush që nuk është fajtor. Dënimi jepet vetëm pas hetimeve të kujdesshme.
Kur burrat bëhen gati të largohen, sulltani i përshëndet në mënyrën turke, duke ngritur të dyja duart te goja dhe pastaj te balli, ndërsa Abdurrahimi nis të qajë me dënesë. Të nesërmen, Abdyl Hamitin bashkë me shpurën dhe me një pjesë të haremit, e nisin me tren për në Selanik, ku e pret një internim i gjatë. Krejt ngjarja në Jilldëz, që mund të thuhet se shënon një pikë kulmore në historinë perandorake të Turqisë, zgjati 18 minuta. Biseda mes Esatit dhe sulltanit kujtohet edhe sot, falë korrespondentit të gazetës angleze Daily Telegraph, i cili ditën tjetër, më 28 prill, i mori një intervistë të hollësishme Carasso efendiut, që ishte në Jilldëz bashkë me Esatin. Një variant i kësaj historie i treguar nga vetë Esati, nuk ndryshon shumë nga ai i Carassos dhe është pjesë e një libri të botuar më pas në Londër me autor Francis Mçullagh, që përshkruan ditët e fundit të sulltan Abdyl Hamitit të Dytë.
Në vitet e mëvonshme, Esati nuk ka patur qejf ta rrëfejë atë episod, që për çdo ushtarak apo politikan do të kishte qenë arsye e mjaftë për t’u krenuar. “Sa herë që e kujtoj, në gjuhë më shpifet një shije e thartë, si e limonit,” thoshte ai. Ata që e njihnin historinë e Esat pashës, dhe në Stamboll kishte shumë syresh, e merrnin me mend se ç’mund të ishte kjo shije e thartë. /tesheshi.com/