Fill pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare me një rezultat të dobët, Partia Demokratike i është rikthyer zgjedhjeve brenda partisë, shoqëruar në mënyrë të pazakontë me shumë përplasje.
Kryesia e kësaj partie rrëzoi dje kërkesën e kandidatit Astrit Patozi për shtyrje të zgjedhjeve, të paracaktuara me datë 22 korrik, dhe kushte për “garë të barabartë”.
Por vendimi i marrë të hënën në darkë është zbardhur vetëm sot dhe votimi i kryesisë duket se tregon më së miri situatën e pakuptimtë ku është futur kjo parti, më e madhja parti opozitare në vend e krijuar pas lëvizjes së Dhjetorit ’90.
Propozimi për shtyrjen e zgjedhjes së kryetarit të ri mori 11 vota pro, 14 kundra dhe 20 abstenime.
Siç lexohet qartë, votat abstenuese janë shumicë dhe ato nuk janë as vota pro Bashës dhe as kundër Patozit e të tjerëve, janë vota heshtjeje të një shumice që nuk di si të pozicionohet në këtë debat të fortë që ka përfshirë këtë parti.
Por kjo heshtje në fakt i shërbeu kryetarit të “ngrirë” Lulzim Basha për t’u dhënë goditjen e parë kundërshtarëve të tij brenda llojit. Në një farë mënyre ata iu bashkuan “ngrirjes” së kryetarit duke krijuar një shumicë apatike të një prej organeve më të rëndësishme vendimarrëse të partisë.
Kjo mungesë unanimiteti në qëndrim u konsiderua si “demokratike” dhe “jo përçarëse” nga nënkryetari i partisë, Edi Paloka.
“Mungesa e unanimitetit do të thotë demokraci, po të ishim unanim do të ishim në diktaturë. Mendimet ishin të ndryshme dhe sigurisht që do të kishte debat. Në fund fare u votua dhe me shumicë u vendos“- u shpreh Paloka pas mbledhjes mbrëmë vonë.
Por kjo shumicë abstenuese mund të ketë shërbyer për të shuar gjakrat dhe për të shmnagur përplasjen e madhe, gjë që është në interes të Bashës.
Kështu argumenton edhe anëtari i kryesisë Kreshnik Çollaku, i cili thotë se “mbledhja e mbrëmshme mund të ishte ndër më të tensionuarat në historinë e kësaj partie, mund të ishte ndër mbledhjet më të ashpra, me të shthurura”. Sipas tij, qëndrimi i mbajtur nga 20 anëtarë të Kryesisë ishte i paorganizuar, por nga ana tjetër shmangu përplasjen.
Por disa anëtarë të tjerë të kryesisë që mbështetën kërkesën e Patozit aludojnë se ky votim tregon se kryesia nuk ishte në fakt në favor të Bashës.
“Për mua është gabim që nuk u la koha e mjaftueshme. Në kryesi u votua, por ishte e paqartë vendimmarrja, pavarësisht se u rrëzua 14-11, u tha se janë 20 abstenime. Edhe kryesia kishte nevojë për më shumë kohë për reflektim”- shkruan Leonard Olli.
Ndërsa Valbona Mezini, e cila ishte në grupimin kundër Bashës thotë se votimi vrau frikën brenda partisë. “Dje në atë mbledhje kryesie, u vra frika institucionalisht, për të thënë të vërtetën brenda forumeve. Bravo e madhe për guximtarët që denoncuan shkeljet statutore dhe artikuluan nevojat për zgjidhje”- shkruana ajo.
Ndërsa Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryetarit Berisha, edhe pse abstenoi në mbledhje kryesie sot thumboi Bashën duke i kërkuar analizë të humbjes
“A mund të shohim njëri-tjetrin në sy dhe të identifojmë gabimet që të mos përsëriten më? A duhet të bëjmë një analizë për rezultatin trishtues, apo mos i fol shoferit?”- shprehet Malltezi.
Ata që mbështesin linjën “Basha” e shohin qëndrimin e kryesisë si një “shpartallim” të kundërshtarëve, shpartallim që në fakt kishte nisur vite më parë, që me zgjedhjet e forumeve drejtuese të partisë që u bënë pas zgjedhjes së kryetarit të ri në 2014. Mjafton të kujtojmë se Patozi e Topalli, dy zërat më të ashpër kundër Bashës, nuk janë pjesë e kryesisë.
Vala e dytë e spastrimit erdhi me largimin e tyre nga listat e deputetëve dhe tani me një ekip parlamentar të konsoliduar Basha do të futet në zgjedhje.
Zgjedhjet e 22 korrikut kështu si kanë nisur do të sjellin dhe valën e tretë dhe ndoshta të fundit të konsolidimit të pozitave të Bashës në PD për të krijuar “partinë” dhe për të mbajtur larg kundërshtarët.
Se çfarë do të bëjnë kundërshtarët kjo mbetet për t’u parë, por nga përvojat e mëparshme të përplasjeve në PD, ose kanë ikur drejt partive të reja që kanë rezultuar një dështim (rasti i Bamir Topit) ose janë rikthyer në PD pas disa vitesh, siç bëri Imami, Pollo, etj. /tesheshi.com/