Nga: Bashkim Kastrati
Auditi i Përgjithshëm i ka dhënë vërejtje të shumta Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) të drejtuar nga Hykmete Bajrami, e cila vjen nga radhë e LDK-së.
Menaxhimi i të hyrave në MTI është në nivel të kënaqshëm, megjithatë duhet të punohet më tepër për të siguruar se respektohen afatet ligjore për aprovimin e kërkesave të konsumatorit.
Sipas auditit, problemi më i madh që paraqitet në këtë ministri vazhdon të jetë menaxhimi i burimeve njerëzore. Si rezultat i kësaj, proceset që kanë të bëjnë me harmonizimin e koeficienteve me pozitat përkatëse dhe pagesa e pagave nga departamentet përkatëse nuk janë bërë në pajtim me kornizën e aplikueshme ligjore.
“Mos harmonizim i koeficienteve me pozitat përkatëse. Më poshtë do t’i cekim disa raste: në 6 raste asistentët administrativ paguhen me koeficient 5, ndërsa në 3 raste me koeficient 6; në 4 raste të punësuarit si zyrtarë paguhen me koeficient 6, në 4 raste me 7.5, ndërsa në 41 raste paguhen me koeficient 7; në 4 raste zyrtarët e lartë paguhen me koeficient 7, në 3 raste me koeficient 7.5, ndërsa në 32 raste me koeficient 8; dhe 1 rast udhëheqësi i sektorit paguhet me koeficient 7, në 5 raste me koeficient 9 ndërsa në 3 raste me koeficient 8”, tërheq vërejtjen auditi.
Megjithatë përmes shkresave në Ministrinë e Administratës Publike dhe në Ministrinë e Financave MTI kishte bërë disa herë përpjekje për harmonizimin e koeficienteve, mirëpo kishte marrë përgjigje negative nga këto institucione për shkak të limitimeve buxhetore.
Shumë ndërrime të pozitave brenda MTI-së
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në vazhdimësi ka pasur probleme me menaxhimin e resurseve njerëzore. Ndër vite është raportuar për këtë ministri se ka pasur largime nga puna, ndërrime të pozitave dhe punësime partiake apo familjare, duke favorizuar një rajon të caktuar.
Edhe në vitin e fundit auditi ka gjetur probleme të tilla në këtë ministri. Sipas auditit, sfidë tjetër për MTI-në mbetet transferimi i punëtorëve në pozita të ndryshme të cilat kishin rezultuar me pakënaqësi të shumta tek stafi i saj.
“Si rezultat i kësaj kemi një numër të lartë të ankesave në vazhdimësi nga viti në vit në MTI. Vetëm për vitin 2015, kanë qenë katër(4) lëndë në komisionin disiplinor, 59 lëndë në Komisionin për zgjedhjen e kontesteve dhe ankesave në MTI dhe 23 lëndë për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil”, thekson Auditi.
E gjetur tjetër është mangësia në zbatimin e ndëshkimeve për vonesat në realizimin e kontratës. Auditi ka konstatuar se ka pasur vonesa në kryerjen e punëve deri në shtatë muaj, në dy kontrata të vitit 2014. “Në kontratën për “ Riparimin e Objektit të MTI-së”, MTI nuk kishte aplikuar fare ndëshkimet për vonesa në dy situacionet e fundit në vlerë prej 24,089€. Ndërsa në kontratën tjetër për “Ndërtimin e impiantit për pastrimin e ujërave të zeza dhe industrial të PBD-së”, MTI nuk ka aplikuar ndëshkimet vetëm për situacionin e katërt në vlerë prej 36,635.88€”, tërheq vërejtjen Auditi.
MTI-së kritika i janë dhënë edhe në fushën e subvencioneve dhe transfereve. Gjatë vitit 2015, MTI nuk kishte pasur një udhëzim të brendshëm që përcakton procedurat e dhënies dhe monitorimit të subvencioneve.
“Në fazën e dytë të auditimit na është prezantuar udhëzimi administrativ, i cili është në fuqi nga fillimi i vitit 2016. Ne e mirëpresim iniciativën e MTI-së për përgatitjen e këtij udhëzimi. Megjithatë, me gjithë zbatimin e një numri të madh të kontrolleve ne kemi vërejtur që kjo fushë është përcjellë edhe me mangësi”.
“Në një rast kontrata për dhënie të subvencioneve ishte nënshkruar para zotimit të mjeteve. Qëllimi i këtij subvencioni ka qenë organizimi i panairit në shumë prej 7,750€. Marrëveshja është nënshkruar me 15.04.2015 kurse zotimi i mjeteve është bërë me datë 20.04.2015.
E gjetura tjetër është se MTI nuk ka një proces transparent të dhënies së subvencioneve, nuk ka kritere për të përcaktuar se kush ka përparësi në përfitimin e subvencioneve si dhe nuk bënë shpallje publike për shprehje interesi nga ana e OJQ-ve. Kjo mangësi është vërejtur në pesë (5) raste ku nuk kishte kritere të përcaktuara dhe shpallje publike për aplikantët”.
Janë dhënë subvencione pa shpallje publike!
Auditi gjithashtu tërheq vërejtjen se dhënia e subvencioneve pa shpallje publike dhe pa kritere të qarta eliminon konkurrencën, mundëson subvencionimin e përfitueseve të papërshtatshëm si dhe rrit rrezikun e shpenzimit të parasë publike në mënyrë jo racionale. Ndërsa, nënshkrimi i kontratës para zotimit të fondeve rrit rrezikun e hyrjes në obligime pa pasur mjete për pagesën e tyre.
Sfidë për MTI-në mbetet edhe menaxhimi i pasurisë në nivel jo të mirë
Sipas Auditit, për shkak të mungesës së një depoje me hapësirë të mjaftueshme, zyrtarët nuk shkarkohen me pasuritë të cilat nuk i përdorin më. Ato i mbajnë nëpër zyrat e veta apo në vendet ku ata e konsiderojnë të përshtatshme, ndërkohë që zyra e financave nuk ka evidencë të plotë për pasuritë jashtë përdorimit. E gjetur tjetër e Auditit në MTI është edhe mos protokollimi i faturave të pranuara.
“Sipas rregullores së thesarit për shpenzime nr. 01/2013 neni 24, çdo faturë e cila pranohet në OB duhet të protokollohet. Gjatë testimit të obligimeve kemi vërejtur se dy (2) fatura njëra me nr. 81 vlera 1,335€, dhe tjetra me nr.24434 vlera 110€ të cilat ishin paguar, nuk ishin të protokolluara”, thuhet në gjetjet e Auditit. /tesheshi.com/