Është njëri nga protagonistët kryesorë të lëvizjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, militant i hershëm i lëvizjes ilegale, luftëtar i orëve të para dhe njëri nga komandantët më të zotë që dha Ushtria Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Që nga muaji prill i këtij viti është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës. Bëhet fjalë për deputetin e PDK-së Shukri Buja, i cili në prill të këtij viti u bë pjesë e institucionit ligjvënës pas dorëheqjes së Azem Sylës.
Buja, si një prej deputetëve që nuk e ka problem të thotë haptas atë çfarë mendon, tregon antipatinë që ka ndaj kryeministrit aktual, Isa Mustafa. Thotë se prezenca e kreut të LDK-së i ngirt tensione, vetëm për arsye të kaluarës së tij, jo për diç tjetër.
Buja, pranon se koalicioni PDK-LDK është në teh të shpatës, derisa paralajmëron se së shpejti mund të ketë zgjedhje të parakohshme në vend.
Në një intervistë dhënë për tesheshi.com deputeti i PDK-së tregon se si e sheh edhe koalicionin e ardhshëm qeverisës pas zgjedhjeve të reja, flet poashtu edhe për shumë çështje të tjera, si për Gjykatën Speciale, rastin “Toka”, ku Azem Syla dyshohet si kreu i një grupi kriminal, si dhe nëse do kandidon apo jo për kryetar të Lipjanit.
Intervistoi: Blendi Gashi
Deputet Buja, ju më datë 28 prill të këtij viti morët postin e deputetit pas dorëheqjes së Azem Sylës. Që nga ajo kohë si e keni parë funksionimin e Kuvendit të Kosovës?
Kuvendi i Kosovës, siç mund ta shohin edhe qytetarët po funskionon me probleme, me gjuajtje fjalësh mes partive politike. Kuvendi më shumë funksionon përmes komisioneve parlamentare, pasi aty bëhet puna kryesore. Megjithatë për momentin po funksionon mirë, edhe pse ka probleme rreth Demarkacionit pasi po varet edhe liberalizimi i vizave. Më vonë do të ketë problem edhe më të madh me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por në kohën më të afërt Kuvendi do të përballet me buxhetin për vitin 2017-të.
Pasi e përmendëm Azem Sylën, si e shihni procesin ndaj tij për rastin “Toka”, ku ai së bashku me 51 persona të tjerë është i dyshuar për krim të organizuar?
Unë e shoh ndryshe nga ajo që shkruhet në media. E shoh si një pretendim për ta ulur autoritetin e Azem Sylës, sepse këto për çfarë akuzohet, janë procese që janë mbajt për shumë kohë. Me sa e njoh unë Azem Sylën, edhe gjatë luftës edhe pas luftës, nuk mund ta besoj një gjë për çfarë ai dyshohet. Njeriu mund të gabojë por jo në një rrjet çfarë po pretendohet të organizuar të krimit të organizuar.
Një çështje që ka ngritur mjaft shqetësim është edhe dënimi i grupit “Drenica”, për çka u mbajt edhe një seancë e jashtëzakonshme. Ju si ish-ushtar i UÇK-së si e shihni dënimin e ish-komandatëve? Po rezoluta e miratuar nga Kuvendi për vlerat e UÇK-së a pritet të ketë ndonjë efekt?
Së parim duhet parë si erdhi deri te gjendja që detyrohet Parlamenti i Kosovës me interferu në një institucion të pavarur. Cilat janë ato institucione të pavarura kur dihet se përmes konkurseve që i ka shpallur UNMIK-u për gjyqtarë është nevojitur 12 vjet përvojë pune. Një përvojë të tillë e kanë pasur vetëm njerëzit që kanë qenë argatë dhe shërbëtorë të ish-regjimit të ish-jugosllavisë së Titos dhe Millosheviqit.
Pra, njerëzit që më parë dënuan dhe ndoqën shqiptarë paslufte u instaluan në institucionin e pavarur të gjykatave dhe prokurorisë, prandaj edhe erdhi puna që parlamenti të merret me këtë çështje dhe të interferojë. Nëse gjyqtarët dënuan grupin “Drenica”, një vendim të tillë do ta merrnin në shtetet e tyre, do të ishin bërë hor, dhe qytetarët do të bënin shaka me ta. Të dënohet njeriu me 3 vite burg vetëm pse ka shikuar nga dritarja dhe ka buzëqesh, kjo është anomalia më e madhe në sistemin e drejtësisë.
Pastaj dënimi i Sami Lushtakut me 12 vjet, për një vrasje të njeriut që nuk dihet se kush është, edhe kjo ndodh vetëm në Kosovë. Nëse ata gjyqtarë do të merrnin një vendim të tillë në shtetet e tyre nuk do të mund të shpëtonin pa pasoja.
Kurse, sa i përket rezolutës së miratuar për vlerat e UÇK-së, mendoj se rezoluta në fjalë ka një efekt të vogël, për mos të thënë zero.
“Nuk i frikësohem Speciales”
Cili është mendimi juaj për Gjykatën Speciale? A i frikësoheni ju asaj? Kush mendoni se kontribuoi në themelimin e saj dhe a ka shqiptarë që i gëzohet këtij tribunali?
Gjykata Speciale shihet shumë qartë se është gjykatë politike, e njëanshme dhe e dëmshme për Kosovën, pavarësisht se është aprovuar në Kuvend.
Duhet theksuar se parlamentarët tanë kanë qenë para dilemave, të mos e votojnë Specialen që do të shkaktonin pasoja të mëdha për shtetin, apo ta votojnë atë dhe të vazhdojnë sakrifikimin e një pjese të luftës që të mos e pësojnë qytetarët. Pra, kanë zgjedhur këtë të dytën, sakrifikimin e ish luftëtarëve vetëm e vetëm për të mos pësuar qytetarët e vendit.
Por, çuditërisht edhe pse në Kosovë ndodhën shumë masakra, si ajo e Izbicës, Ribarit të vogël, Hallaqit të vogël, Sllovisë në Lipjan, Krushës së Madhe e shumë të tjera, asnjëherë kriminelët serbë që kryen këto masakra, nuk u ndoqën, hetuan, e lëre më të arrestohen njerëzit që janë përgjegjës për këto krime.
Ndërsa, sa i përket çështjes se a i frikësohem Speciales, dihet se unë kam qenë i burgosur politik, dhe nuk frikësohem aspak, por çështja është dëmtimi i shtetit të Kosovës; pra nuk është në pyetje Shukri Buja por institucionet.
Kurse, sa i përket asaj kush i kontribuooi themelimit të Speciales mund të them se Dick Marti njihet për format e paraqitjes, edhe për Guantanamon edhe për burgjet sekrete në Evropë, do të thotë e ka bërë kahre Amerikën, e nuk po e bën Kosovën.
Iniciativa e nisur nga Dick Marti në Këshillin e Evropës, nuk është marrë shumë seriozisht nga institucionet e vendit dhe kjo po kushton.
Çështja e Demaracionit vazhdon të mbetet pezull. Ju si deputet a keni informatë nëse sivjet do vije për ratifikim në Kuvend? I ka apo jo votat koalicioni aktual për çështjen në fjalë?
Është shumë e qartë se koalicioni qeverisës PDK-LDK nuk i ka votat për miratimin e kësaj marrëveshjeje. Demarkacioni duhet të zgjidhet me marrëveshje politike të gjithë spektrit politik shqiptarë.
Në formën aktuale Demarkacioni nuk duhet fare të tentohet të rikthehet në Kuvend, sepse është e dëmshme nëse nuk ka një koncensus politik.
Unë shpresoj se do të gjindet një zgjidhje. Ka mundësi të aprovohet në Parlament pjesa e cila nuk ka konteste, dhe të lihet e hapur çështja e kontesteve dhe të vazhdohen bisedat me Malin e Zi.
Është edhe forma tjetër e formimit të një komisioni parlamentar me përfaqësimin e të gjitha partive politike, me ekspertë të cilët do ta shqyrtonin punën e komisionit shtetëror, të përmirësohen gabimet dhe të kthehen për Kuvend në miratim.
Buxheti i miratuar ditë më parë nga qeveria ka bërë që së fundmi të reagojnë ashpër bashkëpartiak tuaj ku thonë se nuk është buxhet zhvillimor. Ju si e shihni? A pritet që pikërisht buxheti të çojë në prishjen e koalicionit qeverisës?
Unë jam pjesë e komisionit për buxhet dhe financa, dhe komisioni në fjalë ende nuk e ka shqyrtuar projektligjin në fjalë. Buxheti ka probleme dhe unë do t’i ndaj tri më madhoret.
E para, buxheti duhet gjithësesi të gjejë zgjidhjen për fondin e veteranëve të luftës, e dyta, çështje që është tepër me rëndësi është se buxheti duhet të jetë zhvIllimor për vendin, por nuk mund të jetë i tillë nëse nuk ka projekte të cilat e zhvillojnë shtetin tonë.
Unë po e potencoj projektin e vazhdimit të Ibër Lepencit që do të ujite gjithë rrafshinen Lipjan-Ferizaj –Shtime-Kaçanik-Viti, ku është një pjesë bukur e madhe e tokave të punuara që rritë prodhimtarin në 40 për qind. Sipas buxhetit 2017-të projektet zhvillimore janë paraparë përmes kreditimit, huamarrjes dhe kjo është një problem shumë i madh se e ngarkon buxhetin e vitit të ardhshëm.
E treta, problem në vete është edhe çështja e planifikimit të marrjes së fondeve, si në fondin e Agjencionit Kosovar të Privatizimit, sepse kjo çështje nuk është e rregulluar me ligj, dhe gjithë kjo mund të dështoi planifikimet që janë në fondin e AKP-së. Pra, buxheti i planifikuar në vlerë mbi 2 miliardë euro në vend që të jetë për të mirën e qytetarëve, do të jetë ngarkesë për qytetarët, bizneset, sepse do t’iu bëhet trysni për të mbledh, taksa, taitime, tarfia.
“Koalicioni PDK-LDK, në teh të shpatës”
Duke parë mospjatimet që keni për buxhetin, a pritni që kjo çështje të prish koalicionin qeverisës?
Koalicioni PDK-LDK edhe pse ka shumicën e votave gjithmonë ka ecur për teh të shpatës sepse edhe kështu është krijuar. Problemi i këtij koalicioni është sepse ka të bëj me dy subjekte të cilat janë diemetralisht të kundërta.
Çdo moment koalicioni qeverisës mund të prishet. Edhe vet kryetari i partisë më të madhe në vend, PDK-së, Kadri Veseli, jep një vërejtje shumë të qartë për gabimet në Asociacionin etj, dhe këtë vërejtje partneri i koalicionit LDK-ja duhet ta marrë shumë seriozisht, pra duhet që të refketojë, në të kundërtën shkohet në zgjedhje të reja.
Siç dihet dy partitë në pushtet PDK dhe LDK kanë marrë një përgjegjësi shumë të madhe për zhvillim ekonomik dhe punësim të njerëzve. Punësimi i 20 mijë qytetarëve në vit kur nga vendi ikin 200 mijë qytetarë të papunë është shumë tepër e vogël.
Kur mendoni se do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare dhe a pritni që PDK të triumfoi? Me cilën parti preferoni të lidhni koalicion qeverisës? Po, Kadri Veselin e shihni kryeministër të ardhshëm pas zgjedhjeve të reja?
Unë kam dëshirë që zgjedhjet parlamentare të bashkërendohen me ato lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm, do të kursehej buxheti shtetërorë, do ketë poashtu më pak probleme, më pak tensionim të situatës, dhe thënë më troç do jetë mundësi të plotësohen shumë apetite të njerëzve brenda partive politike, sepse disa do kandidojnë për kryetar komune, disa për deputet dhe kështu ka mundësi që më shumë njerëz të përfshihen në zgjedhje.
Derisa LDK-ja shtyhet me Vetëvendosje-n se kush është partia e dytë, PDK edhe sipas sondazheve dihet qartë se del e para. Pasi PDK të del si fituese e zgjedhjeve është normale që Kadri Veseli si kryetar i partisë të jetë kryeministër i vendit.
Kurse, sa i përket asaj se me kënd preferoi që PDK të lidhte koalicion pas zgjedhjeve, unë do të dëshiroja të ndodh një koalicion me AAK-në, NISMA-n dhe AKR-në, nëse kjo e fundit e kalon pragun zgjedhorë, por jo me Vetëvendosje-n edhe pse kam shok në këtë subjekt.
Pse jo koalicion me Vetëvendosje-n?
Jo koalicion me Vetëvendosje-n për shkak të ekstremit tjetër programor, pasi ka një program ekstrem të majtë dhe kjo nuk i duhet Kosovës. Po ashtu, për shkak të veprimeve më ekstreme që ka ky subjekt, dhe vet opinionit që është krijuar nga zyrat ndërkombëtare për Vetëvendosje-n.
Jeni një nga deputetët e PDK-së që nuk e keni problem aspak të thoni direkt atë që mendoni. Cili është mendimi juaj për kryeministrin Isa Mustafa? Përmend tri dështimet e qeverisjes së tij dhe tre sukseset? Po tre ministrat më të dështuar cilët janë sipas jush?
Vet prezenca e Isa Mustafës mua më ngrit tensione për shkak të kaluarës së tij. Dua të them diç konkrete për qeverinë aktuale: nëse është premtuar punësimi i mbi 200 mijë personave nga partitë në koalicion, sot ky premtim nuk është askund i realizuar. Po ashtu është premtuar se do të ketë zhvillim ekonomik, do të zhvillohet Brezovica, do të bëhet projekti i energjisë, formohet ushtria, dhe nëse këto nuk janë realizuar si mund të quhet ndryshe përveq dështim.
Sa i përket performancës së ministrave, më duhet të mendoj gjatë nëse ndonjë ministër ka performacë të mirë, për çka nuk mund ta veçoj ndonjë tani. Kurse, se cilët ministra kanë dështuar është lehtë të gjindet, pra cilindo që përmendet. Merre Mahir Jagxhilarin, është i dështuar, Arsim Bajrami i dështuar, ministri i Brendshëm Skender Hyseni i dështuar, ministri i Financave i dështuar, pra cilindo që merret është i dështuar.
Për fund, një pyetje për zgjedhjet lokale që do mbahen vitin e ardhshëm. Keni qenë kryetar i Lipjanit ndërmjet viteve 2007-2013. Si po e udhëheq qytetin tuaj LDK-ja, dhe a do të rikandidoheni sërish për kryetar?
Veprimet më të mëdha pushteti në Lipjan i ka me zhvendosjen dhe vendosjen e kockave. Të gjithë qytetarët lipjanas e shohin se çdo muaj vendosen e zhvendosen kocka. Buxheti i komunës që është në rritje gjithmonë dhe investimet kapitale janë me projekte tepër të vogla dhe pa peshë në Lipjan.
Sivjet dhe vitin e ardhshëm qeveria që e udhëheq Isa Mustafa do të munohet me fuzionu komunën e Lipjanit për zgjedhjet lokale që do mbahen vitin tjetër, mirëpo nuk ka një zhvillim që është pritur në Lipjan, edhe pse është komuna më me përspektivë në Kosovë për zhvillim ekonomik.
Nuk është realizuar ende priojekti për zonën e re industriale që ka qenë një hapësirë edhe për punësim dhe zhvillim ekonomik. Kurse, sa i përket çështjes nëse do rikandidohem për kryetar të Lipjanit kjo është çështje e mbrendshme e partisë.
Unë individualisht humbi shumë nëse kandidoi për kreun e Lipjanit, sepse kryetari i komunës ka shumë probleme. Të qenit deputetë është shumë më lirshëm, të ardhurat janë më të mira, ka më shumë komoditet, ashtu si edhe pozita e këshilltarit politik, apo zv.ministrit.
Personalisht nuk do të ishte e mirë të rikandidoi, por nëse kërkohet nga qytetarët dhe partia që unë të jem kandidat për kryetar të Lipjanit, normalisht se unë i pranoj sfidat. /tesheshi.com/