“Ajo që presim nga BE qershorin e ardhshëm, është ajo që meritonim që merrnim që këtë qershor, që të hapim negociatat për anëtarësim” – ka qenë kjo deklarata e kryeministrit Rama gjatë një vizite në Zagreb, ku dhe njëherë ka mbrojtur qëndrimin se nën qeverisjen e tij Shqipëria i ka merituar ato.
Kritik ndaj Brukselit, edhe pse nën emrin e një europianisti të përjetshëm, Rama e ndjen si persekucion atë që ndodhi fillimverën e lënë pas, shtyrjen me një vit të negociatave.
Në krah me këtë qëndrim pati dhe homologun kroat, Andrej Plenkoviç.
“Sa i përket qëndrimit të Kroacisë e kam theksuar edhe në mbledhjen e Sofjes se Kroacia është për hapjen e negociatiave të Shqipërisë por edhe për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë në Bashkimin Europian. Prej qershorit të kaluar deri në qershorin e ardhshëm, edhe Shqipëria, edhe Maqedonia, kanë kaluar një hap të madh mendoj kur janë në pyetje reformat sidomos në drejtësi. Pas zgjedhjeve europiane shpresoj se edhe Shqipëria do të fillojë negociatat e anëtarësimit”, tha kreu i qeverisë së Zagrebit. /tesheshi.com/