Derisa partnerët e koalicionit qeverisës kanë ngulur këmbë që të mos tërhiqen nga marrëveshjet e 25 gushtit për Asociacionin dhe Demarkacionin e me Malin e Zi, opozita vetëm sa po e përforcon pozicionimin e tyre kundërshtues, duke u zotuar se në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë zhvillimin e punimeve të Kuvendit, derisa ekzekutivi nuk përmbush kërkesat e tyre.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka deklaruar se fillimisht është obligim moral dhe nacional i kësaj qeverie që të tërhiqet plotësisht nga marrëveshjet, e më pastaj të hapet diskutimi për të gjitha format e kthimit të normalitetit të jetës në vend dhe në institucione, të Kuvendit dhe të Qeverisë, qoftë dhe për qeveri teknike deri në zgjedhjet e reja. “Ne ritheksojmë se qëndrojmë fuqishëm para kërkesave tona, që janë plotësisht në përputhje me interesin nacional të këtij shteti, se është obligim moral dhe nacional i kësaj qeverie që të tërhiqet nga këto dy marrëveshje, të cilat e dëmtojnë rëndë interesin e shtetit të Kosovës, ndërsa për proceset e tjera, edhe për zgjedhje të parakohshme, do të kishte mundësi që edhe për shkak të degradimit të deritanishëm qeverisës në Kosovë, të merrej vendimi edhe për shpalljen e zgjedhjeve të reja”, u shpreh Isufi, cituar nga gazeta ‘Kosova Sot’.
Kurse Bilall Sherifi nga partia NISMA për Kosovën, ka deklaruar se fillimisht zbatimi i këtyre marrëveshjeve duhet të ngrihet, e më pastaj do të mund të formohej një qeveri teknike, e cila do të përgatiste përgatitjen e zgjedhjeve, duke pamundësuar vjedhjen e votës.” Kjo zgjidhje natyrisht do të ishte e pranueshme dhe e mundshme, por në asnjë rast kësaj qeverie nuk duhet t’i lejohet vazhdimi i bisedimeve me Serbinë, as implementimi i këtyre marrëveshjeve”, ka deklaruar Sherifi. /tesheshi.com/