Nga Blendi Gashi
Gjyqësia dhe Prokuroria në Kosovë vazhdojnë të jenë më tepër nxitëse të padrejtësive dhe aferave, sesa të luajnë rolin e tyre ligjor dhe kushtetues. Të paktën kështu jo rrallë herë kanë deklaruar njohës të fushës së sundimit të ligjit.
Mbi 400 mijë lëndë gjyqësore vazhdojnë të mbesin të pazgjidhura dhe njëkohësisht të patrajtuara, me arsyetimin e numrit të vogël të gjykatësve.
Zëvendëskryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Agim Maliqi, e pranon se numri i lëndëve të pazgjidhura në gjykata, është i madh dhe ato barten nga viti në vit.
Maliqi ka deklaruar për mediat koovare se problemi kryesor në grumbullimin e lëndëve është mungesa e resurseve njerëzore dhe KGJK, është duke u punuar në zvogëlimin e numrit të lëndëve të pa zgjidhura.
Këtë problematikë që po e përcjell vendin që nga paslufta nuk është e interesuar ta zgjidh as qeveria “Mustafa”, e cila edhe pse ka plotë gojën sundim të rendit dhe ligjit, nuk ndan mjete për rritjen e stafit.
Një gjë e tillë u dëshmua me rastin e miratimit të buxhetit për vitin 2016-të ku kuvendi i Kosovës mori vendim për ndarjet e buxhetit shtesë për zyrën e presidentit e të minsitrave, por nuk u miratua propozimi që të rriten numri i stafit edhe për 13 persona për Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe të Apelit.
Agron Demi, drejtor i Institutit për Studime të Avancuar (GAP) thotë se me miratimin e buxhetit për këtë vit u dëshmua se sa e ka prioritet qeveria aktuale e drejtuar nga PDK dhe LDK, si dhe kuvendi aktual sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e investitoreve.
“Përderisa iu nda buxhet shtesë për mallra e paga zyrës së presidentit, kuvendit, e disa ministrive, agjencioneve e komunave, i vetmi propozim që nuk kaloi ishte ai i për rritjen e stafit në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Themelore të Prishtinës për 13 persona, të cilët do të duhej të trajtonin ankesat e bizneseve. Përderisa investojnë qindra miliona euro në autostrada, e ceremoni ‘erdogançe’ të inaugurimit të presidentit, buxheti nuk i paska 50 mijë euro për rritjen efikasitetit të gjykatave?”, ka shtruar pyetjen Demi, përmes një shkrimi bërë në profilin e tij në Facebook.
Mungon vullneti politik për ta mbështetur sistemin e drejtësisë
Organizata që monitorojnë punën e gjykatave dhe prokurorive në vend, si dhe njohës të fushës së sundimit të ligji thonë se mungon vullneti politik për të mbështetur sistemin e drejtësisë në vend.
Ehat Miftaraj, nga Istituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se partitë politike në pushtet në vazhdimësi në mënyrë deklarative promovojnë sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik në Kosovë, përderisa praktika e deritanishme ka dëshmuar mungesën e vullnetit politik për të mbështetur financiarisht sistemin gjyqësor dhe prokurorial.
“Mungesa e vullnetit të partive politike në pushtet për të iu përgjigjur pozitivisht kërkesave të Këshillit Gjyqësor për pozita të reja për gjykatës apo personel mbështetës për të përmbushur mandatin kushtetues dhe ligjor, përbën në vete edhe cenim të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, të garantuar me Kushtetutë dhe ligj.
Duke marr parasysh numrin e madh të lëndëve të grumbulluara nëpër gjykatat e Kosovës, problemet që bizneset dhe kompanitë vendore dhe ndërkombëtarë që kanë investuar në Kosovë, ballafaqohen me procedura të stërgjatura gjyqësore me vite të tëra, dëshmojnë mungesën e vullnetit dhe seriozitetin që partitë politike në pushtet kanë për të ngritur mirëqenien e qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit në Kosovë”, thotë Miftaraj, për tesheshi.com.
Profesori i së Drejtës, Riza Smaka, thotë se qeveria e Kosovës në vend të fryrjes me numër enorm të ministrave me e pa portofol, rrjedhimisht me stërharxhime të parasë publike, do të duhej të financonte gjyqësorin së paku me kursime qeveritare të nevojshme.
“Qeveria demonstron qëndrim korruptiv referuar restriktimeve buxhetore për gjyqësorin i cili ka nevojë për mbështetje financiare. Është mëse e nevojshme të aplikohen masa riorganizuese për zvogëlim të arsyeshëm të stafit qeveritar dhe të kostos së lartë për të.
Gjyqësori i konsoliduar do të ishte shumë më efikas dhe si i tillë pashmangshëm do të procedonte jo pak raste korruptive, kundër jo pak pushtetarëve të papërgjegjshëm, por siç duke kjo nuk i shkon përshtati qeverisë aktuale”, ka thënë Smaka, për tesheshi.com.
/tesheshi.com/