Ambasadat e vendeve të QUINT-it në Prishtinë, përmes një deklarate të përbashkët, i kanë tërhequr vëmendjen liderëve politikë në Kosovë se duhet t’i japin fund bllokadës dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për krijimin e institucioneve.
Në deklaratën e ambasadave të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, shprehet brengosja për situatën politike në Kosovë.
“Jemi të brengosur me situatën politike në Kosovë., e cila është duke u ballafaquar me shumë sfida, ato të tanishme dhe ato afatgjata duke përfshirë këtu programin e Fondit Monetarë Ndërkombëtarë, situatën energjetike por edhe nevojën për zhvillim ekonomik, fuqizimin e sundimit të ligjit, perspektivën Europiane të Kosovës dhe marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Qytetarët e Kosovës meritojnë një Kuvend dhe Qeveri për tu ballafaquar me këto sfida”, thuhet në deklaratë.
Më tej thuhet se është përgjegjësi e liderëve politikë që të krijojnë institucionet, por edhe të ndërmarrin reformat e nevojshme që të parandalojnë bllokada të tilla në të ardhmen.
“Shpresojmë që liderët kosovarë, si në politikë ashtu edhe në shoqërinë civile, do të drejtojnë në zgjidhjen e kësaj çështjeje duke ofruar propozime konkrete. Një parim primar dhe i rëndësishëm është se deputetët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës duhet të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe të lejojnë fillimin e punës së tij”, thuhet në deklaratë. /tesheshi.com/