Ka një mit në legjendat dhe këngët popullore shqiptare që flasin për shqiptarët e hershëm si shtatlartë, shpatullgjërë dhe tipare fizike të forta, me të cilat janë përshkruar heronjtë mitilogjikë, por dhe ata historikë, si Skënderbeu.
Po sa qëndron ky mit dhe cilat janë tiparet antropologjike të shqiptarëve?!
Antropologu Aleksandër Dhima sjell një përgjigje tërësisht shkencore në librin e tij të fundit studimor “Antropologjia etnike e shqiptarëve”. Libri është rezultat I një pune 43-vjeçare në terren ku professor Dhima bashkë me arkeologë gjermanë ka studiuar tiparet antropologjike të shqiptarëve, jo vetëm atyre të sotëm, por dhe të skeleteve nga varret e lashta të zbuluara gjatë ekspeditave.
Si përfundim, ai ka sjellë përshkrimet tipike për tiparet fizike të popullsisë shqiptare duke marrë kampionë nga skaji më i largët verior, Dukagjini, deri në Çamëri.
Dhe miti duket se konfirmohet, pasi për meshkujt përmasat mesatare flasin për kokë mesatarisht të gjatë, të gjerë, të lartë e me ballë të gjerë. Po ashtu përqindja më e madhe shfaqen me shpatulla të gjëra. Por kur vjen puna tek shtati vlera mesatare është 169,7cm, që shkencërisht quhen “shtate hipermezosomë ose mbimesatarë”. Mesatarja e shtatlartësisë rritet në veri në popullsinë e zonës së Alpeve dhe bie në Jug.
Për kombinimin mes ngjyrës së lëkurës, flokëve dhe syve tabloja është pak a shumë në dy lloje: 1) lëkura e bardhë, flokët e errët dhe sytë kafe, ose me nuancat jeshile dhe 2) lëkurë shumë të çelët, flokët gështenjë që kombinohen më shpesh me sytë e zbardhemë dhe me sytë e errët .
Më poshtë sjellim të plotë kapitullin: TË DHËNAT PËRSHKRUESE (SOMATOSKOPIKE)
Koka
Në vargjet mashkullore bie në sy përkulja e dobët e ballit (75,7%); vetëm në Çermenikë dhe në Kolonjë balli priret drejt
formave mesatarisht të drejta.Lartësia e ballit vërtitet kudo drejt formave mesatare, ashtu sikurse lartësia e tij, gjë që përputhet me të dhënat matëse. Përsa i takon profilit të zverkut, në vend të parë rreshtohen format “e sheshta” (planoksipitale) gjatë gjithë gjatësisë së tij (44%); nga këto, shumica (91%) i takon sheshimit mesatar të tipit klasik (oçipital flattening), ndërsaformat ekstreme të sheshimit (en coup de hache) hasen ,mjaft rrallë, kryesisht në zonat e Jugut. Në vend të dytë rreshtohen format me sheshim fillestar dhe ato me sheshim të pjesshëm në zonën e sipërme të kockës zverkore (lambdoid flattening), që përfshijnë 38% të numrit të përgjithshëm të njerëzve të studiuar.
Format e rrumbullakosura (kurboksipitale) hasen relativisht rrallë (18,6%) në bllokun qendror midis Malësisë së Vogël e Gegnisë në veri, për t’u ritheksuar mandej në Toskëri e Çamëri në jug të vendit, por pa arriturnë gungë zverkore të vërtetë, të formës en chignon, veçse në raste sporadike. Në vargjet femërore ndiqet pak a shumë i njëjti rregull në shpërndarjen e këtyre tipareve, veçse- siç mund të pritej- aty mbizotërojnë edhe më tepër format me përkulje të dobët të ballit (90%). Në profilin e kockës së zverkut, sheshimi është më i dukshëm, në krahasim me vargjet mashkullore, por ai është këtu kryesisht i formës mesatare; bën përjashtim vargu i Çamërisë, në të cilin vendi i parë u takon formave me sheshim fillestar gjatë gjithë gjatësisë së kockës së zverkut (52%). Kurboksipitalia është relativisht më e ndjeshme te femrat (25%), sidomos në ato zona ku haset më shpesh edhe te burrat, me përjashtim të Malësisë së Madhe (7%) dhe Kurveleshit (9%).
Fytyra
Në vargjet mashkullore, konturi më i shpeshtë i fytyrës është trekëndësh (48%), më tipik për grupet malësore dhe jugore të popullsisë, ndërsa në rrethinat qendrore dhe veriore të vendit, prirja shkon më tepër kah formave pesëkëndëshe. Format drejtkëndëshe që zënë vendin e dytë në material (19%) janë tipike për Nikaj-Merturin, Ishmin, Myzeqenë dhe Kurveleshin; kjo lidhet- me sa duket- me zhvillimin e theksuar në këto grupe popullsish të sektorit nofullor. Edhe format vezake (13%) hasen më shpesh në grupet e sipërpërmendura. Format e tjera të konturit të fytyrës takohen relativisht rrallë, por është për t’u vënë në dukje prania e fytyrave konike e katrore në Krasniqe, Mirditë e Kurvelesh. Dalja e mollëzave në pamje anësore është përgjithësisht “e fshirë” (93,2%), çka flet për mprehtësinë e fytyrës në popullin shqiptar. Në grupe të veçanta janë për t’u shënuar forma me një zhvillim relativisht më të madh të mollëzave, ndonëse në një numër të pakët, si në Kolonjë (6%), Çermenikë (6%) e Krasniqe (5%). Në daljen ballore, mollëzat kanë gjithashtu zhvillim të dobët (53%), por- ndryshe nga dalja anësore- në këtë rast hasen mjaft raste me theksim të relievit të tyre (në 44% të materialit), sidomos në Ishëm, e Myzeqe, ku forma të tilla tejkalojnë madje daljen “e fshirë” të mollëzave. Forma e mjekrës, në përputhje me konturin e përgjithshëm të fytyrës, është më shpesh katërkëndëshe (42%) e vezake (31%), por nuk janë të rralla edhe format trekëndëshe (28%), që përfundojnë shpesh me majë, si në Mirditë e Çermenikë, ose me brazdë lëkurore në mes (burmë), si në Nikaj-Mertur, Krasniqe dhe në Kolonjë.
Dalja e mjekrës në pamjen anësore është më shpesh e drejtë (59%), por në ndonjë grup popullsie format e tjera janë kaq të shprehura, sa të lënë përshtypjen e tipareve me veçanti lokale. Kështu p.sh., në Mirditë bien në sy nofullat mjaft të dala përpara (38%); përkundrazi, në Myzeqe janë karakteristike nofullat “e futura” nga brenda në pamje anësore (47%). Pjerrësia e fortë e harkut të nofullës (në 62% të rasteve) vjen duke u theksuar nga veriu në jug të vendit. Në vargjet femërore bien në sy, në dallim nga meshkujt, format vezake të konturit të fytyrës (26,7%), të cilat në Malësinë e Madhe, Nikaj-Mertur e Çermenikë u afrohen formave trekëndëshe , që ruajnë gjithsesi vendin e parë. Mollëzat, për shkak të zhvillimit më të fortë, spikasin më tepër në pamje ballore; megjithatë, daljet e theksuara hasen edhe këtu rrallë (9,4%), sidomos në rrethinat perëndimore (Ishëm, Myzeqe, Kurvelesh) e në Çamëri.
Kjo bën që mprehtësia e fytyrës te femrat të bjerë, për t’i lënë më tepër vend formave me dalje mesatare në pamje anësore, kryesisht në grupet malësore dhe në Kolonjë, të cilat i japin fytyrës një pamje më të “sheshuar” në profil kulmor. Mjekra, ashtu si te meshkujt, paraqet më shpesh profil të drejtë (61,2%); por, në grupet veriore nuk është e paktë edhe dalja e saj (22-28%), ndërsa në Myzeqe bien në sy përsëri mjekrat “e futura” (46,3%). Forma e mjekrës, në përputhje me konturin e përgjithshëm të fytyrës, është më shpesh trekëndëshe (40,6%), dhe vezake (36,6%) sidomos në grupet e Dukagjinit e Toskërisë (Vakëfeve dhe Kolonjës). Pjerrësia e harkut nofullor te femrat bie, për shkak të shkurtësisë relative të fytyrës, veçanërisht të pjesës së poshtme të saj.
Trupi
- a) Shtati
Në vargjet mashkullore, vlera mesatare (169,7cm) e përfshin popullsinë shqiptare në shtatet hipermezosomë (mbimesatarë). Në shpërndarjen gjeografike duket se ka një farë rregullsie: popullsia e zonës së Alpeve ka shtat mjaft të lartë (mesatarja: mbi 170 cm); në vend të dytë rreshtohen Mirdita, Kolonja e Çamëria (169 cm), mandej Ishmi e Myzeqeja (168 cm) dhe në fund Çermenika e Kurveleshi (167 cm). Në shpërndarjen sipas kategorive, vendi i parë u takon shtateve hipsisomë (40%), mandej shtateve mbi mesataren (20%), ndërsa shtatet mesatarë të mirëfilltë (mezosomë) shtohen duke u zhvendosur drejt Jugut. Në vargjet femërore, vlera totale (158,6 cm) hyn në cakun maksimal të kategorisë së shtateve mesatarë, por në shpërndarjen gjeografike ka dallime të lehta, në krahasim me meshkujt: Çamëria ndërron vendin e tretë me Myzeqenë, ndërsa Çermenika vendoset pranë kësaj të fundit. Në shpërndarjen sipas kategorive, vendi i parë u takon përsëri shtateve të lartë (37%) me përjashtim të Kurveleshit, ku mbizotërojnë shtatet mesatarë (28%) dhe të Kolonjës, ku shtatet e larta ndajnë vende të barabarta me shtatet mbi mesataren (27%). Në tërësi, shtati i femrave është relativisht më i ulët se ai i meshkujve.
- b) Trungu
Në vargjet mashkullore, shtati ulur (që përfaqëson gjatësinë e trungut) “pushon” në klasën mesatare (89,2); por, në disa rrethina, si në Malësinë e Madhe dhe në Krasniqe, vendet ndërrohen me klasën “mbi mesatare”, pra aty ka prirje për rritje të gjatësisë së trungut. Treguesi skelik arrin rrafshin më të lartë të vlerave mesatare, ndërsa në shpërndarjen sipas kategorive, vendi i parë u takon makroskelëve, pra trungjeve të gjatë (50%), që hasen më shpesh në zonat veriore, në Çermenikë dhe në Çamëri. Edhe treguesi hormik arrin rrafshin më të lartë të vlerave mesatare, ndërsa vendet e para i ndajnë këtu klasat makro-dhe metriokorme, pra bustet e gjata dhe mesatare (41%, përkatësisht 37%); në grupet e Alpeve, në ato të qendrës dhe në Çamëri, përpjestimi anon drejt vlerave mesatare, ndërsa në Mirditë dhe në grupet e Jugut bustet janë më të gjatë.
Supet kanë përgjithësisht zhvillim të mirë, por nuk vërehet ndonjë rregullsi në shpërndarjen relative të gjerësisë relative të tyre; më tepër dallohen për gjerësi të theksuar të supeve Mirdita në veri dhe Kolonja në jug të vendit. Në dallim nga supet, kombliku është më tepër metriopiel (mesatarisht I gjerë), si vlerë mesatare (16,6) dhe në shpërndarjen sipas kategorive (63,6%); megjithatë, edhe komblikët e ngushtë hasen shpesh në Malësi të Madhe, Çermenikë e Çamëri (28-40%). Nga ky zhvillim i kaheve të kundërt, trungu paraqitet më shpesh në formën e një trapezi, me bazën e sipërme më të gjerë (47%), për shkak të mbizotërimit relativ të gjerësisë së supeve; megjithatë, edhe format ndërmjetëse nuk hasen rrallë (39%), madje në zona të tilla si Krasniqe, Ishëm e Çamëri, ato zënë vendet e para (42-48%). Në vargjet femërore, gjatësia e trungut ka prirje për ulje, në krahasim me meshkujt. Në vlerë mesatare dhe në shpërndarjen sipas kategorive, vendi kryesor u takon klasave (nën) mesatare, më shpesh në zonat e Jugut. Treguesi skelik, ndonëse si vlerë e përgjithshme “pushon” në kufijtë e mezatiskelisë, kudo vërehen prirje të qarta për klasat më të ulëta, në krahasim me meshkujt. E kundërta ndodh me treguesin hormik, vlera mesatare dhe shpërndarja sipas kategorive të të cilit tregojnë mbizotërim të busteve makrokormë (të gjatë); këtu bën përjashtim Çamëria, ku format makrokorme ndajnë vende të barabarta me format brakikorme, pra të busteve të shkurtër e të trashë.
Indet e buta të fytyrës
- a) Hunda
Në vargjet mashkullore, profili i përgjithshëm i shpinës së hundës është më shpesh i mysët (i përkulur nga poshtë) (57,7%), sidomos në banorët e rrethinave malësore të veriut të vendit (50-62%) dhe në banorët e rrethinave relativisht të izoluara të Jugut: Vakëfe, Kurvelesh, Çamëri (53-70%). Në format e mysëta, përkulja është më shpesh mesatare dhe e dobët, rrallë hasen hundët “krrut” (si “sqepi i shqiponjës”). Format e drejta të profilit gjenden në 35% të subjekteve të studiuar, por në Malësinë e Madhe dhe në Kurvelesh ato e tejkalojnë këtë shpeshtësi (43%, përkatësisht 42%). Dalja e hundës është më shpesh e spikatur (62.5% dalje e fortë; 31,3% dalje mesatare); në grup-popullsitë e Krasniqes, Mirditës, Myzeqesë dhe Çamërisë, ky tipar bëhet mbizotërues. Rrënja e hundës është më tepër e lartë (77,1%), e ngushtë (66,5%) dhe e thellë (57,1%), ndërsa drejtimi i bazës është kryesisht horizontal (57%) dhe konturi i ndarëses i drejtë (64,2%). Ndër format e majës së hundës, në vend të parë rreshtohen format rrethore (50%), të ndjekura nga format këndore (30%), ndërsa hapja e flegrave është më shpesh mesatare (65%). Në vargjet femërore, shmangiet më të rëndësishme nga seritë mashkullore vërehen në profilin e shpinës së hundës, që është më shpesh i drejtë (në pjesën kockore dhe në pjesën kërcore) si dhe në daljen e hundës më të dobët dhe me rrënjë më të cekët. Tiparet e tjera ndjekin pak a shumë të njëjtën shpërndarje si te meshkujt, ndonëse në përpjestime pak më të ndryshme.
- b) Sytë
Në vargjet mashkullore, hapja e çelës së syrit është më shpesh mesatare (58,4%), në përputhje me përmasat gjerësore të saj, ndërsa drejtimi i çelës horizontal (57,6%), ndonëse nuk janë të pakta edhe format me pjerrësi nga jashtë-brenda e poshtë, sidomos në Nikaj-Mertur (32,4%) e Vakëfe (27,7%) dhe ato me pjerrësi të kundërt në Krasniqe (35%) e Has (24,7%). Forma e çelës është, në shumicën e rasteve, shigjetore (86%), por në disa grupe, si në Has, Mirditë e Çamëri, bien në sy edhe format rrethore (17-21%). Ndër bashkëformimet lëkurore të syrit, pala qepallore mungon shpesh, sidomos në pjesën e brendshme (72,7%) e më pak në sektorët e tjerë (46- 48%); zhvillimi më i dobët i saj vërehet më tepër në pjesën e mesme dhe të jashtme të qepallës së sipërme (19-33%, përkatësisht 18-34%), më ndjeshëm në grupet jugore. Pala mongolike pothuajse nuk ndihet fare (99,8%); stade fillestare të këtij tipari janë ndeshur vetëm në subjekte të rrallë nga Malziu i Pukës, Vakëfet dhe Kolonja (0,3% e subjekteve të studiuar). Në vargjet femërore vërehet prirja për hapje më të madhe të çelës së syrit, sidomos në banoret e Krasniqes, Mirditës e Ishmit, në Veri, si dhe në Kurvelesh e Çamëri, në Jug. Përsa i përket drejtimit të çelës, format e pjerrëta me ngjitje nga jashtë hasen dyfish më pak se sa te meshkujt (13%), ashtu sikurse format rrethore në grupet me hapje më të gjerë të saj. Pala qepallore e sipërme gjendet më shpesh e pranishme te femrat, ndonëse me zhvillim të dobët, më tepër në pjesën e brendshme (28,5%); ka edhe raste kur format me zhvillim të dobët dhe mesatar të saj kanë prirje për të arritur ose tejkaluar në shpeshtësi rastet me mungesë të plotë të saj, si në popullsinë e Kurveleshit, Çermenikës e Kolonjës. Pala mongolike është gjetur e pranishme vetëm në disa banorë të rrallë të Vakëfeve dhe të Kurveleshit (0,2%).
- c) Goja
Në vargjet mashkullore, buza e sipërme lëkurore ka më shpesh lartësi të madhe (53,2%) e mesatare (41,8%), gjë që bie ndesh me vlerat matëse të lartësisë së nofullës. Në këtë mes dallohen banorët e Ishmit me buzë relativisht të shkurtër, dhe ata të Kurveleshit, ku kjo përbërëse fytyrore është mjaft e lartë. Profili i buzës së sipërme është më tepër i drejtë (58,3%); vetëm te myzeqarët, ajo është më shpesh opistokeile dhe ky tipar i veçantë lidhet tek ata me bashkëformimin e të gjithë pjesës së poshtme të fytyrës, profili i së cilës paraqet një shmangie uniforme nga mjekra shumë e pjerrët deri te hunda e spikatur, ku pjesa lëkurore e buzës së sipërme “ngjitet” në mesin e bazës, ndryshe nga grupet e tjera, ku buza e sipërme përfundon në mbylljen nënhundore. Pjesa mukoze e buzës së sipërme është përgjithësisht e hollë, sidomos në grupet veriore të popullsisë, ndërsa në Ishëm fillon një “trashje” e lehtë e saj, që theksohet gradualisht deri në jug të vendit. Buza e poshtme është ndjeshmërisht më e trashë se e sipërmja, sidomos në grupet e Nikaj-Merturit, Çermenikës, Kolonjës dhe Çamërisë, ndërkohë që në Krasniqe dhe në Kurvelesh edhe buza e poshtme është tepër e hollë. Në Myzeqe ka edhe buzë vërtet të trasha (16%), ndërsa buzët “e përveshura” përbëjnë përjashtim. Në vargjet femërore, tipar i njejtë me atë të meshkujve është profili i buzës së sipërme lëkurore, që mbetet kudo i drejtë, madje edhe në Myzeqe, ndryshe nga meshkujt. Zhvendosje ka në skemën e lartësisë së buzës së sipërme, që është ndjeshmërisht më e ulët se sa te meshkujt. Buzët mukoze janë gjithashtu mët ë trasha, veçanërisht buza e poshtme, çka përputhet me të dhënat matëse.
ç) Veshët
Në vargjet mashkullore, llapa e veshit ka më shumë formë vezake (52%), më pak hasen format eliptike (27%) e rrethore/ katrore (21%). Veshi është më tepër i lire (59%), megjithëse edhe rastet me “ngjitje” në muret e kokës, në pamjen nga pas, hasen mjaft (32%); drejtimi i kapjes është më tepër i pjerrët (61%). Vrigullthi ka më shpesh formë rrethore/ katrore (52%), por në vargjet malësore të veriut të vendit hasen shpesh edhe format trekëndëshe (rreth 40%); ashtu si veshi i jashtëm, edhe vrigullthi është i çliruar nga lëkura e pjesës anësore të fytyrës (59%), me përjashtim të Kurveleshit, në popullsinë e të cilit bien në sy format “e ngjitura”, shpesh deri në ngjitje të plotë (48%) dhe zhvillimi i tij është përgjithësisht i mirë. Sythi i Darvinit mungon në pjesën dërrmuese të rasteve (91%), por vlen të shënohet prania e tij, qoftë edhe në formë fillestare, në subjekte të paktë (6%), ndërkohë që format e shprehura gungore e gjembore janë përjashtim (vetëm në 3% të rasteve); aty ku sythi është i pranishëm, ai gjendet në të dy veshët. Në vargjet femërore, shpërndarja paraqitet e njejtë si te meshkujt.
Sistemi i qimëzimit (piloziteti)
- a) Flokët
Në vargjet mashkullore, floku është më shpesh i drejtë (54%), por këtu duhet të mbajmë parasysh se flokët krejt të drejtë, të shkurtër dhe të trashë gjenden shumë rrallë; pjesën dërrmuese të kësaj kategorie e përbëjnë flokët mesatarisht të gjatë, të butë e me valëzim fillestar. Në vend të dytë renditen format e valëzuara (32%), të cilat në disa zona, si p.sh. në Ishëm, ndajnë vendin e parë me flokët e drejtë (nga 47% secila kategori) dhe në Çamëri, ku ato dalin mbi format e tjera (39%). Në vend të tretë rreshtohen flokët e valëzuar fort (të përdredhur) dhe kaçurrela, që kanë prurje relativisht të ndjeshme në Çamëri (25%), Skrapar (23%) dhe në Malësinë e Madhe eÇermenikë (nga 21% në secilin varg). Në vargjet femërore vërehet prirja e përgjithshme për më tepër flokë të drejtë se sa te meshkujt (73%), floku është pothuajse tërësisht i gjatë, I butë dhe me valëzim fillestar. Flokët e valëzuar hasen më rrallë, sidomos në Mirditë (8%), ndërsa flokët e përdredhur dhe kaçurrela bien në sy në Has e Kurvelesh (7-9%). Në përgjithësi mund të thuhet se me zhvendosjen nga veriu në jug të vendit rritet prirja për valëzim të flokut në të dy gjinitë, më dallueshëm te meshkujt.
- b) Vetullat
Në vargjet mashkullore, vetullat kanë më tepër zhvillim mesatar (41%) dhe të dendur (37%). Në grupet e Veriut, vendin e parë e zënë vetullat e dendura, ndërsa vetullat e rralla arrijnë shpeshtësi relativisht të lartë, duke iu afruar vendit të parë në renditje, në Mirditë, Çermenikë e Kolonjë (41-43%). Shtrirja e vetullave është mesatare (68%), ndërsa konturi më i shpeshtë i tyre është I përkulur njëtrajtshmërisht në formën e një harku të rregullt (71%). Në vargjet femërore, vërehet prirje e njëjtë në shpërndarjen e tipareve të mësipërme, veçse te femrat vetullat janë relativisht më të rralla, me kontur më të përkulur e me shtrirje më të pakët; rastet e “ngjitjes” së vetullave në zonën e rrënjës së hundës (synophris) këtu janë tepër të rralla (mesatarisht: 4%), ndërkohë që te meshkujt hasen në 15-21% të materialit.
Sistemi i ngjyrimit (pigmentimi)
- a) Ngjyra e flokut
Vendi i parë në të gjitha vargjet mashkullore u takon flokëve të errët/ kryesisht kafe, midis të cilëve spikasin nuancat U-V, që kapin 70% të të gjitha rasteve; në vargjet femërore, ato hasen përgjithësisht më pak se te meshkujt (64%). Vendi i dytë në material u takon flokëve gështenjë, midis të cilëve spikasin nuancat P-S, më tepër të përfaqësuar te femrat (20% te meshkujt; 27% te femrat). Në vendin e tretë rreshtohet klasa e flokëve bjondë të errët (nuancat M-N: 9% te meshkujt; 8% te femrat), me prurje më të madhe në grupet malësore dhe dukagjinase të Veriut (te meshkujt) dhe në Has e Çermenikë (te femrat). Prania e flokëve të kuqërremë është tepër e rrallë dhe haset kryesisht në Shalë e Malzi të Pukës në veri dhe në Kurvelesh e Çamëri, në jug të vendit (nuancat I-II: 1-3%). Në bazë të ballit mesatar, te meshkujt vërehet prirja për ngjyrim pak më të çelët të flokëve (1.40), në krahasim me femrat (1.42).
- b) Ngjyra e lëkurës
Vendi kryesor në shpërndarjen e ngjyrës së lëkurës u takon nuancave të ngjyrës së “bardhë-qumështi” (nr.7), që te meshkujt vërehet në 94% të rasteve dhe te femrat në 98%; më e çelët është lëkura në Malësinë e Madhe, Nikaj-Mertur e Mirditë (në Veri) si dhe në Skrapar, Kurvelesh e Çamëri (në Jug); lëkurë relativisht më të errët (nr.8: “e bardhë e pjekur”) kanë banorët meshkuj të Krasniqes, Hasit dhe Ishmit si dhe femrat e Malësisë së Madhe, Vakëfeve e Kolonjës. Te femrat ka prirje për lëkurë më të çelët, në krahasim me meshkujt. Kjo shpërndarje ngjyrash pasqyrohet edhe në grupimin e tyre sipas skemës 5-ballëshe: lëkura shumë e çelët (nr.3 dhe 7-9, sipas shkallës Luschan) përbën karakteristikën dalluese të të gjitha grupeve të popullsisë shqiptare (96% te meshkujt, 99% te femrat). Lëkura e çelët (nr. 10-14) haset shumë rrallë, më tepër në vargjet mashkullore të Krasniqes, Ishmit dhe Myzeqesë. Kjo do të thotë se lëkura tipike e shqiptarit është shumë e çelët.
- c) Ngjyra e agut (irisit)
Në shpërndarjen e nuancave të ngjyrës së agut, vendet e para i ndajnë nuancat jeshile-kafe (nr.5) dhe kafe e çelët (nr.4), por shpërndarja e tyre në grupet e ndryshme të popullsisë së studiuar nuk është përpjestimore: ndërsa në vargjet nga veriu i vendit mbizotërojnë sytë e zbardhemë, në ato të qendrës ka prirje për barazim të shpërndarjes së këtyre nuancave dhe në grupet jugore përparësinë e marrin përgjithësisht ngjyrat e errta, kryesisht nuancat kafe. Si grupim ngjyrash, ato të syve të përzier (jeshilë-kafe) hasen më shpesh (46% për të dy gjinitë), ndërsa nuancat e syve të errët, përfshirë ngjyrën e zezë, zënë vendin e dytë në material (39%, përkatësisht 49%). Sytë e çelët (alabastër, blu dhe bojë qielli) hasen relativisht rrallë (15% te meshkujt, 14% te femrat).; vetëm në vargjet e Nikaj-Merturit, Hasit, Myzeqesë, Kolonjës e Çamërisë rritet shpeshtësia e nuancave të kaltra, përtej mesatares së përgjithshme. Kjo gjendje pasqyrohet edhe në klasifikimin e përgjithshëm grupor, ku vendi i parë te meshkujt dhe te femrat u takon vërtet syve të zbardhemë, por ka shmangie rajonale. Kështu p.sh., në vargjet mashkullore të Ishmit dhe Çamërisë, ka përmbysje të raportit në të mirë të nuancave të errëta (47-51%), ashtu sikurse veçanërisht në vargjet femërore të Nikaj-Merturit e Mirditës në Veri dhe Vakëfeve, Kurveleshit e Çamërisë në Jug (55-68%).
ç) Kombinimet e ngjyrimit
Po të kombinojmë ngjyrat e flokut, lëkurës dhe agut të syrit, mund të veçojmë tetë variante të ngjyrimit. Grupi i parë (lëkurë shumë e çelët/ flokë kafe të errët/ sy të errët) shkëputet vendosmërisht nga të tjerët dhe zë vendin kryesor në shpërndarjen e përgjithshme (67% te meshkujt, 63% te femrat). Me lëkurën shumë të çelët dhe flokët kafe të errët, që përbëjnë shumicën, kombinohen më pak sytë e errët (30%, përkatësisht 36%) dhe sytë e zbardhemë (29% e 22%). Kjo tablo na përforcon mendimin se tipike për kompleksin e ngjyrimit te shqiptarët është lëkura e bardhë, flokët e errët dhe sytë kafe, më shpesh të kombinuar me nuancat jeshile. Në grupin e dytë, që ka në përbërje të tij përsëri lëkurën shumë të çelët, flokët gështenjë kombinohen më shpesh me sytë e zbardhemë (10%, te meshkujt, 13% te femrat) dhe me sytë e errët (5%, përkatësisht 11%). Grupet e tjera hasen shumë rrallë, madje në popullsinë e disa rrethinave ato nuk e kalojnë pragun përfaqësues prej 1-3%: në Kolonjë, grupi i tretë dhe grupi i katërt, për shkak të mungesës së flokëve bjondë, apo në Nikaj- Mertur, Çermenikë e Kurvelesh, që kanë lëkurë më të errët (nr. 10-14), sytë e çelët mungojnë pothuajse plotësisht. Së fundi, grupi i tetë, ku ndërthurren flokët e kuqërremë me spektrin “e errët” dhe “kalimtar” të nuancave të ngjyrës së flokut dhe të agut, haset në mënyrë rastësore, vetëm në ndonjë subjekt në vargjet mashkullore të Krasniqes, Myzeqesë, Kolonjës e Kurveleshit si dhe në vargjet femërore të Ishmit, Kolonjës e Çamërisë (rreth 2% të numrit të përgjithshëm të subjekteve të studiuar).
/tesheshi.com/