Nga Saimir Sulaj, Washington
Udhëtimin tonë këtë herë kemi vendosur ta bëjmë të shkurtër. Nuk u lodhëm shumë duke rrugëtuar për qindra e qindra kilometra, në hapësirën pafund të Amerikës së Veriut. Jemi brenda kryeqytetit amerikan, Washington, D. C. Zbresim nga treni i nëndheshëm ndërqytetas, në stacionin qendror të metrosë, “Metro Center” apo zemrës së qytetit. Na duhet të ecim vetëm pak metra dhe jemi në parkun “Lafayette Square”. Në të djathtë, në fund të parkut qëndron krenare dhe e rrethuar nga mijëra sy kureshtarë, Shtëpia e Bardhë.
Ndërsa drejt, përballë nesh, një bllok ndërtesash më tutje, të zënë sytë një tabelë të një dyqani të ri. Gjethet e zverdhura, të rëna përgjysmë përdhe, si dhe një shi i imët, na kujtojnë se e kemi lënë pas verën e nxehtë dhe jemi në vjeshtë; stina më e bukur në Washington. Ecim për disa metra dhe mbërrijmë në destinacion.
Kryeqytetit amerikan i është shtuar një dyqan i ri vetëm pak ditë më parë. Ai në fakt është një butik, por jo veshjesh. Është një butik çokollate. Washingtoni ka pasur një ekspansion restorantesh dhe kafenesh vitet e fundit. Çdo vit numërohen miliona turistë që vijnë nga e gjithë SHBA-ja, por edhe bota. Jo më kot së fundmi është cilësuar si një prej kryeqyteteve më të shtrenjta të botës. Por të hapësh një butik ku kryefjalë është çokollata, jo çdokujt i shkon ndërmend. Ndërmend e kishte prej 10 vitesh një shqiptar. Gjergj Dollani ka punuar për një dekadë me çokollatat. Pasioni dhe një plan biznesi i mirëmenduar e çuan të marrë vendimin që të hapë edhe ai një dyqan çokollate. Me Gjergjin jemi vendosur në Washington thuajse në të njëjtën kohë dhe qëkurse e njoh, gjithnjë më fliste me pasion për dyqanin që ëndërronte të hapte. Dhe këtë herë ëndrra i është kthyer në realitet. Nuk është thjesht një ëndërr, por janë edhe vite të tëra plane, projekte, punë dhe sakrifica.
Kur mbërrijmë në butik, Gjergjin e gjejmë në një prej momenteve më të zëna të ditës. Jemi në qendër të Washingtonit. Përreth ka mijëra zyra. Punonjësit porsa kanë mbaruar drekën dhe duan të ëmbëlësohen me një çokollatë të shkrirë. Por kjo nuk e pengon Gjergjin që të na mirëpresë me mikpritjen shqiptare dhe të na përgatisë një specialitet të butikut të tij: Atë që njihet si “Marochino”. Por “Marochino” e butikut “Café Chocolat” nuk është si ajo tradicionalja në Itali. Asaj i shtohet çokollatë dhe Nutella. Të tjerat janë sekrete të zanatit, të cilat sigurisht që stafi i këtij butiku nuk do të na i zbulojë. “Është tepër e veçantë dhe e kërkuar”, na rrëfen pronari shqiptar i butikut, duke shtuar se e ka thjesht si specialitet të ditës, por që së shpejti do ta përfshijë përfundimisht edhe në menu. Ndërkohë që na shpjegon disa gjëra për produktin, duart i lëviz shpejt për të përfunduar porosinë. Në sfond dëgjohet zhurma e makinerive të çokollatës dhe kafesë, si dhe aroma e këndshme depërton kudo.
“Marochino” na shërbehet në kohë rekord dhe sigurisht na ëmbëlson e shijon edhe më shumë nga se e prisnim.
“Café Chocolat është një koncept i veçantë që e kam menduar prej kohësh, për të bashkuar kafen me çokollatën. Ajo që doja të bëja është krijimi i një mjedisi, ku njerëz të apasionuar pas çokollatës mund të vijnë, të shohin dhe shijojnë produkte të ndryshme nga vende të ndryshme të botës. Gjithashtu që të informohen për lloje të ndryshme të çokollatës, lloje të ndryshme të farës së kakaos, si dhe rajonet e ndryshme nga ku këto produkte vijnë”, na tregon Gjergji teksa po gjerbim çokollatën e shkrirë.
Siç e përmendëm më lart, ëndrra ka kërkuar edhe sakrifica. Dhe kjo duket qartë kur kujtohen vështirësitë që përshkohen për të arritur suksesin.
“Hapja e këtij dyqani më ka marrë po thuajse një vit. Këtu flas për procesin e gjetjes së vendit, punimeve dhe fakti që jemi në një zonë vetëm pak metra larg Shtëpisë së Bardhë, gjë që e bëri pak më të vështirë nxjerrjen e lejes. Ndërtesa në të cilën ndodhemi është një ndërtesë historike këtu në kryeqytetin amerikan dhe na është dashur të marrim leje nga inspektorë të ndryshëm të kulturës, historikut, artit dhe të qytetit për të hapur diçka të tillë këtu, sepse edhe ata duan të mbrojnë monumentet kulturore”, pohon Gjergji.
Më tej ai na tregon se çfarë synon me këtë butik çokollate:
“Qëllimi i këtij dyqani nuk është koncepti normal i një kafeneje me të cilin jemi mësuar. Kafeja është një mbiprodukt i vizionit që kishim. Ajo që kryesore dhe që klientela ka zgjedhur, është çokollata. Pastaj, pajisjet që përdoren për përgatitjen e çokollatës janë të njëjtat që nevojiten edhe për përgatitjen e kafesë dhe kështu që e përfshimë edhe atë në produktet që ofrojmë. Veç kësaj, kafeja me çokollatën shkojnë mirë bashkë, sepse edhe bimët nga ku ato prodhohen vijnë nga të njëjtat rajone. Përsa i përket çokollatave që ofrojmë në pako, ato janë ose produkte të prodhuara nga njerëz me të cilët unë kam punuar më parë në këtë biznes, ose janë produkte të veçanta të përzgjedhura me kujdes nga vende të ndryshme, në çdo cep të botës. Kemi produkte që variojnë që nga Vietnami në Azi, Italia dhe Franca në Europë apo edhe Amerika, ngaqë doja të shkoja kundër rrymës që thotë se Amerika nuk prodhon çokollatë të mirë, por vetëm Zvicra dhe Belgjika e bën diçka të tillë. Dhe faktikisht unë nuk kam asnjë produkt zviceran apo belg.”
Në ballinën kryesore të butikut, aty pas banakut, të zënë sytë një vizatim të veçantë. Është një grua e fisit të lashtë Maja në Meksikë, e cila po shërben çokollatë të shkrirë. Në njëfarë mënyre është edhe motoja e dyqanit. Ky vizatim mural është qershia mbi tortë e një pune speciale të dy arkitektëve të këtij dyqani, të cilët kanë ndërthurur artin e tyre dhe aftësinë e përkthimit të ideve në vepra funksionale, me arkitekturën historike të kryeqytetit amerikan, pjesë e të cilës është edhe ndërtsa në të cilën gjendet dyqani. Edhe arkitektët janë shqiptarë. Anila dhe Klodi kanë një studio të vogël por që kryen shumë punë çdo vit, në qytetin historik amerikan të Aleksandrisë, që shtrihet buzë lumit Potomac, vetëm pak kilometra në jug të Washingtonit.
“Ne jemi një studio e vogël arkitekturore në Aleksandria të Virginias që merremi me dizajnime dhe me projekte arkitekturore. Gjergji na kontaktoi dhe na shpalosi vizionin e tij për ndërtimin e këtij butiku të veçantë. Ne e ndihmuam duke u bazuar edhe në planimetrinë e këtij vendi, kësaj ndërtese, pasi kishim parë edhe disa të tjera. U munduam që të bashkërendojmë idetë tona me idetë e Gjergjit, por edhe që t’i përfshinte të gjitha funksionet që nevojiteshin për biznesin e tij”, na tregon Anila.
Ndërsa Klodi rrëfen se si arritën të përputhin idetë dhe vizionin me rrethanat:
“Në fillim ne u nisëm nga gjendja ekzistuese e mjedisit. Kjo është një ndërtesë e vjetër historike e zonës dhe ne u përpoqëm që të ruajmë disa elementë historikë. E përshtatëm vizionin e Gjergjit në mjedisin ekzistues. Kjo në fakt ishte shumë e rëndësishme për punën tonë dhe për produktin përfundimtar, pasi ishte rrjedha kryesore që mori projekti.”
Anila na rrëfen edhe vështirësitë që kanë pasur në këtë drejtim dhe kujdesin që kanë treguar që paraqitja e hijshme të ndërthuret me funksionalitetin:
“Ne e shikojmë nga ana funksionale dhe nga ana artistike, që të jetë e paraqitshme, por që të bëjë edhe punën për të cilën është krijuar. Për ne, pjesa kryesore është ajo e banakut, pasi ka të gjitha pajisjet e nevojshme për këtë lloj biznesi. Duhet të mendonim për makinerinë që përgatit kafenë, makinën e akullit, shumë pajisje hidraulike që duhen konfiguruar në dizajnin elektrik, mekanik dhe hidraulik. Kështu që pasha kryesore e punës tonë ishte te banaku.”
Anila dhe Klodi u bashkuan si partnerë në një studio arkitekturore para dy vjetësh e gjysmë. Firma e tyre quhet “Aline Architecture” dhe ofron shërbim të plotë arkitekturor, interior dhe dizajn. Si firmë është themeluar në vitin 2009 dhe kanë licence të vlefshme për zonën e shtetit të Virginias, të Marylandit dhe në Washington, D. C.
Largohemi nga butiku “Café Chocolat” me shijen dhe aromën që marrim me vete dhe që nuk ikën lehtë. Ikim të gëzuar që shqiptarët arrijnë histori suksesi dhe në zemër të kryeqytetit më të rëndësishëm në botë, dhe fare pranë shtëpisë më të famshme në botë, Shtëpisë së Bardhë. Komuniteti shqiptar në zonën përreth dhe brenda kryeqytetit amerikan, nuk është shumë i madh, krahasuar me qytete të tjera, siç është New Yorku, qytet në të cilin banojnë pjesa më e madhe e shqiptarëve, përfshirë edhe zonat përreth. Në Washington ka edhe restorante e lokale të tjera, ku shqiptarët mblidhen për festa të ndryshme, siç janë ato të pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe ndeshjet e kombëtares shqiptare të futbollit, siç është restoranti “Steel Plate”, që është një histori tjetër suksesi e shqiptarëve dhe që gjendet në një lagje periferike të Washingtonit. Apo restoranti dhe lokali “Marx Café”, edhe ky me pronarë shqiptarë, ku komuniteti mblidhet çdo muaj për të dëfryer më muzikë shqiptare në atë që njihet si “Balkan Nights”. “Café Chocolat” mbetet dyqan i pashoq, sepse gjendet në zemër të qytetit dhe ofron atë që deri më tani asnjë dyqan tjetër në Washington, D. C. nuk e ka ofruar: Shijet pafund të çokollatës. /tesheshi.com/