Nga Ermir Hoxha
Ndërsa mijra shqiptarë vazhdojnë të mbajnë sytë nga Gjermania, është mes tyre një “gjerman“ që ka kthyer sytë nga Shqipëria dhe që beson se do jetë i tillë në mënyrën se si do të qeveris. Ai është Shqipërim Arifi, kreu i ri i komunës së Preshevës, shqiptar e bir shqiptari, që ka lënë vendin e begatë ku është lindur, rritur, arsimuar dhe edukuar, për t’i dhënë dum halleve të shumta të vendit të tij. Mëton të mos jetë si shumëkush në politikën shqiptare që nuk sheh tej hundës së vet, përtej lezetit të kolltukut, por që investon më të mirën e vetes për njerëzit. Duket paksa patetike kjo në një kohë epshesh të shfrënuara për t’u ngopur mbingopur materialisht, që më së shumti kanë përfshirë ata që kanë në dorë qeverisjen e njerëzve, por Shqipërimi thotë se është gatuar ndryshe si karakter. Në një intervistë për tesheshi.com, shqiptaro-“gjermani“ në krye të Preshevës, shpalos vizionin e tij në drejtimin e një komune, që për shumë e shumë arsye, duhet t’i dhemb çdo shqiptari…
Më së pari ju urojmë për postin e ri, duke dëshiruar të jeni i dobishëm për njerëzit. Rrugëtimi deri tek të qënit kryetar i Preshevës, ka qenë për ju synim posti, apo synim kontributesh deri tek arritja e këtij posti?
Faliminderit shumë.
Siç e dini edhe ju, unë kam lindur në Gjermani dhe kam jetuar 37 vjet atje. Kthimi ynë me gjithë familjen time para 3 vitesh ka qenë për arsye: 1. që të realizojmë një ëndërr tonën dhe 2. për të kontribuar në shoqërinë tonë aq sa mundemi. Kështu pra, edhe qasja ime në politikë ka qenë për të kontribuuar duke ndryshuar mentalitetin e shoqërisë, dhe sidomos të politikës, që mos të jetë politikbërja diçka sundimtare mbi popullin, por që t‘i shërbejë popullit.
Ç’profesion ka Shqiprimi dhe cila është gjëja më e bukur që ka bërë në jetë?
Profesioni im është ai i ekonomistit.
Gjëja më bukur që shoh tek vetja dhe që e bëj në çdo kohë, është është ajo që mundohem me qenë afër njerëzve, halleve të tyre, në çdo rrethnanë e situatë, duke u përpjekur t’u ofrojë zgjidhje me sa mundem. Pra, nuk shoh tek vetja një akt të veçuar për ta theksuar si diçka pozitive, por atë që unë e konsideroj raport permanent me njerëzit.
Cila është arma juaj më e fortë në politikë në përgjithësi, e cila do jetë ajo në menaxhimin e një rajoni?
Unë politikën nuk e shoh me “armë“, sado kjo në mënyrë figurative. Unë e shoh atë virtyt, si moral. Dhe nëse edhe këto mund të quhen “armë“, ato janë dashuria që kam vendin dhe popullin tim, sikurse sinqeriteti dhe profesionalizmi. Dhe besoj gjithashtu se dhe stafi që kam zgjedhur të punojë me mua i posedon këto cilësi dhe do më ndjek pas në këtë vizion.
Meqë Presheva ndodhet nën Serbi, problemet e saj janë më komplekse, pasi kanë dhe një kontekst nacional. Por cila është që më së pari kanë nevojë qytetarët e Preshevës?
Po, siç e thatë dhe ju, problemet janë shumë komplekse. Qytetarët kanë më së tepërmi nevojë për zhvillimin ekonomik dhe menaxhimin profesional të komunës. Politika duhet t‘u ofrojë, sidomos të rinjve, një perspektivë ekonomike, gjë e cila deri më tani nuk ju është ofruar asnjëherë, si nga niveli lokal, pra vetë politika shqiptare në Preshevë, por edhe nga qeveritë e Serbisë.
Për të qenë më konkret, duheni ta dini se në Preshevë nuk kemi ujë të pijshëm; gypat janë nga asbesti i cili është kancerogjen; mbeturinat janë të shpërndara në gjithë qytetin; rryma nuk është konstante dhe e sigurt; rrugët janë të dëmtuara, etj etj; dmth, ne edhe në qoftë se kemi zhvillim ekonomik, prapseprapë kualiteti i jetës nuk është në nivel dhe nuk i përngjan një komune e cila ka për aspirata të jetë sa më shpejt brenda BE-së.
Thuhet se shqiptarët e asaj ane po i braktisin vendbanimet, sidomos në Bujanofc. A do mundeni ju që përsa të jeni në krye të punëve, t’jua bëni më të dashur vendin, t’u jepni një motiv për të mos u larguar?
Populli shqiptar i Luginës së Preshevës gjithnjë ka pasur dhe do ketë motiv të jetojë në trojet të cilat na janë trashëguar nga të parët. Mos harroni që shpërnguljet masive pas Luftës së parë Botërore nga “Molla e kuqe’’ kanë stopuar pikërisht në Luginën e Preshevës. Këtu ka qenë dhe është “fronti“, të cilin ky popull është duke e mbajtur mbi 100 vite. Nuk është problemi tek motivi, por problemi po është teknikisht. E megjithatë, një Evrope e cila ofron një perspektivë ekonomike dhe siguri, nuk mundemi t‘i përgjigjemi vetëm me histori dhe trashëgimi, por duhet t‘i përgjigjemi dhe me perspektivë ekonomike dhe siguri. Kjo është politika dhe prioriteti ynë.
Keni një pamje shumë “atletike” për të qenë politikan, sidomos shqiptar; dhe kjo u jep nurin e një njeriu plot energji. A do mundet që stili i qeverisjes tuaj ta përmbajë këtë lloj nuri?
Faleminderit për komplimentin. Shpresoj që po. Tek atletika gjen shkathtësinë, elegancën, finesën, këmbënguljen, dëshirën e pamposhtur për fitore dhe objektivat e larta, dhe unë dëshiroj t’i tregoj këto gjatë qeverisjes time.
Na rrëfeni një prej risive tuaj në stil qeverisjeje, një standart të ri që do e promovoni…
Më mirë themi që risi e imja është vizioni im. Ky vizion po shpaloset dita-ditës tek krijimi i një stili qeverisës shumë profesional dhe tërësisht në shërbim të njerëzve. Aty përfshihet dhe lufta kundër korrupsionit dhe keqmenaxhimit të institucioneve publike dhe buxhetit, që janë dhe plagët më të mëdha të sojit të qeverisjeve tona të deritanishme, edhe në një plan më të gjërë, që ka sjellë si pasojë shumë dëme në cilësinë e jetës së njerëzve. Në këtë vizion gjithashtu, përfshihet dhe depolitizimi i institucioneve publike dhe i shoqërisë në tërësi.
Bota shqiptare vuan për burra shtetit, të aftë por dhe të ndershëm. A mundet Shqipërimi të jetë i tillë?
Këtë do ta tregojë koha dhe puna ime, ose e jona. Ne po përpiqemi të jemi të sinqertë dhe profesionistë në punën tonë dhe të krijojmë një shembull të mirë; si dhe t‘ju dëshmojmë qeveritarëve të pasiqnqertë, kudo që të ndodhen, se është e mundshme që politika mund të jetë vërtet në shërbim të popullit dhe jo mekanizëm sunduese, siç dhe përkufizohet në mënyrë klasike që nga antikiteti.
Dhe sërish në këtë pyetje: si mendoni, dëmin më të madh shoqërive shqiptare, ua kanë sjellë të paaftët apo të pandershmit?
Eshtë kombinacion i të dyjave. Dhe jo vetëm kaq. Eshtë edhe mosprezenca e të aftit dhe të ndershmit, të zëvëndësuar sigurisht nga i paafti dhe i pandershmi, gjë që e ka çuar Charels Bukovksin të deklarojë me pezm të madh se “Problemi me botën sot është se të mençurit janë plot dyshime, ndërsa budallenjtë plot vetëbesim.“
Por ky “vetëbesim“ i tyre në pah për shkak të mosguximit të të mençurve dhe të ndershmëve. Presheva në këtë kontekst bën tani një përjashtim, duke krijuar një shembull edhe për të tjerët. Ne duhet të mesohemi, sidomos të rinjtë, që të jetojmë mes guximshmërisë dhe mençurisë, dhe të mbajmë këtë balancë apo ekuilibër deri në fund të jetës sonë. Përndryshe do kemi mosbalancë indivudale dhe kështu tani krijojmë mosbalancë shoqërore. Të rinjtë duhen të vetëdijësohen për këtë çështje dhe të nisin hapat e parë. Kinezët thonë: “Kur e dini se keni me rrugëtur 1000 hapa, çojeni mendjen vetëm tek hapi i parë, starto nisu!“
Si në çdo fushë, edhe në politikë ekzistojnë modele, parapëlqime për dikë, për cilësi të caktuara të dikujt, një lideri a politikani. A ka Shqipërimi modele të tilla preferenciale dhe cilat janë ato?
Unë personalisht jam ushqyer jo vetëm nga modele shqiptare, por dhe ndërkombëtarel; jo vetëm nga ato historike, por dhe, aktuale. Jam përpjekur të seleksionojë dhe të marrë më të mirën prej tyre. Normalisht që edhe modelet janë gjithnjë të varura nga kontekstet e ndryshme kohore, politike dhe shoqërore. Ne tentojmë që të krijojmë një model për kohën tonë dhe kontekstin aktual politiko-shoqëror.
Cilin politikan a qeveritar do vlerësonit veçanërisht nga hapësirat shqiptare dhe për çfarë cilësie?
Nuk dua të flasë për emra dhe persona. Normalisht që gjithsecili i cili është munduar në një formë apo tjetër të kontribuojë në shoqërinë tonë, i ka edhe meritat e veta. Për neve është me rëndësi se kemi hyrë në një kohë dhe kontekst tjetër, dhe tani, edhe ne të rinjve na ka ardhur koha që të japim kontributin tonë dhe të marrim përgjegjësinë për vendin dhe popullin tonë.
Puna do jua a sjellë të merrni e të jepni me Beogradin. A e ka menduar Shqipërimi një formulë komunikimi që të mund të jetë me përfitime për njerëzit që udhëheq dhe cila është ajo?
Populli i Luginës së Preshevës nuk ka më çka t‘i japë Beogradit. Rradha nuk është më te populli im që të japë për Serbinë, por tani është rradha e qeverisë serbe për t’i dhënë këtij populli. Ne jemi qytetarë të Rep. së Serbisë dhe minoritet përmbrenda, saj dhe qeveria e Serbisë ka obligime ndaj nesh, të cilat deri më tani nuk i ka realizuar në nivele të kënaqshme. Nga ana tjetër, deri me tani ka egzistuar dhe një politikë jokonstruktive nga elita shqiptare në Luginë; por ja populli vendosi që mos të përkrahë këtë politikë dhe t’a zëvëndësojë atë me njerëz të tjerë, të rijnë me mendim dhe komunikim tjetër. Edhe pse për mua personalisht nuk është e arsyeshme që deri më tani për shkak të disa politkanëve jo të ndershëm dhe joprofesionalë, shqiptarë kuptohet, të ndëshkohet i gjithë populli në Luginën e Preshevës. Por kjo kohë po ikën. Qeveria e Serbisë tashmë nuk mundet të abuzojë, për shkak se karshi saj tash e tutje qëndrojnë njerëz të ndershëm dhe profesionistë.
Ku do donit ta kryenit vizitën e parë zyrtare pasi marrjes së postit sa i përket rajonit?
Vizita ime e parë ka me qenë në Shqipëria, për të takuar Presidentin dhe Kryeministrin.
Dhe në fund: keni një emër mjaft të veçantë. Si është historia e tij?
Nga dëshira e madhe e prindërve që të jetoj si një shqiptar, pra edhe pse kam lindur në Gjermani, dhe që të mos e harroj kurrë se prej nga vij, kush jam dhe ku duhet të kthehem, duke patur parasysh rrezikun e asimilimit në vend të huaj, për të gjitha këto arsye pra më është vendosur ky emër. /tesheshi.com/