Shqipëria do mësojë tre rivalët e parë në kampionatin europian, Francë 2016, ku në ora 18:00, në Paris do të hidhet shorti për fazën e grupeve. Shqipëria ndodhet në vazon e katërt si skuadrat me koeficintin më të ulët së bashku me Turqinë, Republikën e Irlandës, Islandën, Uellsin dhe Irlandën e Veriut.
Në vazon e parë do jenë Franca – që është edhe vendi organizator, – i bashkohen Spanja, Gjermania, Anglia, Belgjika dhe Portugalia.
Në vazon e dytë janë të tjerë emra të mëdhenj të futbollit europian, si Italia, Zvicra, Rusia, Austria, Kroacia dhe Ukraina.
Edhe vazoja e tretë nuk mbetet prapa përsa i përket peshës që kanë këto kombëtare në Europë. Një nga kundërshtarët e Shqipërisë në “Francë 2016” mund të jetë edhe Suedia, apo Republika Çeke, Polonia, Rumania, Sllovakia e Hungaria.
Nga këto katër vazot do të dalin gjashtë grupe me nga katër skuadra. Shqipëria nuk do të mund të shmangë asesi njërin nga bigët e Europës, mirëpo me pak fat mund të ketë një grup të lehtë. /tesheshi.com/