…nga lulëzimi në fasonizim…
Me këtë temë në fakt mund të bësh një libër më vete dhe universitetet mund ta marrin si objekt studimor, prandaj nisur nga sa thamë nuk pretendojmë të bëjmë këtë, por nga ana tjetër nuk synojmë as të jemi subjektiv, sepse shifrat janë kokëfortë dhe nuk pranojnë emocione. Ajo që mund të bëjmë është të japim një panoramë në mënyrë tangenciale mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare këtyre tetë viteve, pasiqë konsiderohen edhe si vitet me më shumë ngjarje apo arritje.
E them këtë sepse pas vitit 2007-2008 ekonomia shqiptare njohu një boom ekonomik për shkak të faktorëve ‘’kazual’’ e jo si meritë e ndonjë politike apo programi zhvillimor. Sipas INSTAT (tabela mbi treguesit fiskal sipas buxhetit të konsoliduar) në vitin 2008 të ardhurat e qeverisë krahasuar me vitin 2007 u rritën me 16%, në 2009 me 19% duke kulmuar kështu në vitin 2010 me një rritje prej 29%. Krahasuar pra me vitin që e morrëm si bazë 2007.
Kjo rritje e të ardhurash shpjegohet me lëvizjet e mëdha demografike ku kryesisht njerëzit e zonave rurale apo periferive filluan të blejnë banesa në zonat urbane, e për rrjedhojë i dha një shtysë sektorit të ndërtimit, i cili në fakt mbante edhe rrolin e lokomotivës së ekonomisë sonë. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për bujqësinë në fakt edhe pse ajo duhet të ishte lokomotiva e dytë ekonomike. Po ashtu edhe emigrantët filluan të blejnë banesa, sepse tashmë po e shihnin shqipërinë si një vend ‘’të jetueshëm’’. Pra çka solli një tjetër absorvim të kapitalit nga bankat e huaja në sipërmarrjet vendase dhe më të lumturit në këtë rast pa dyshim që ishin pronarët e firmave ndërtuese, por edhe ish-qeveria e cila i trokiti fati në derë për të proklamuar një rritje ekonomike dyshifrore. Në fakt kjo ‘’statistikë’’ në shqipëri bëri bujë, por të huajt e kanë fare të qartë se luhatjet nga njëri ekstrem në tjetrin të statistikave ekonomike janë cilësi e ekonomive të pa konsoliduara ose atyre ekonomive që vlerat dhe potencialet ekonomike i kanë modeste.
Së dyti ishte edhe faktori i pastrimit të parasë, ku ‘’të shkathtit’’ e këtij vendi po e kuptonin se aventurave i kishte ardhur fundi e kështu nisën ta pastrojnë paranë apo të humbin gjurmët duke i investuar ato apo duke blerë prona të patundshme. Dhe kjo padyshim që i dha një frymëmarrje ekonomisë sonë. Në fakt të gjitha qeveritë shqiptare që nga koha e Nanos në heshtje sikur e miratuan këtë gjë aty për aty, për ta luftuar më pas në mënyrë graduale.
Nga ana tjetër FDI-të ishin një tjetër faktor që ndikuan në boomin ekonomik të një ekonomie të çalë. Shumë ndërmarrje të huaja jo prestigjoze tashmë, iu ofruan shqipërisë sepse e panë atë si një thesar të sapo zbuluar që mund të vilej kollaj, pasiqë kompanitë prestigjoze nuk guxonin ti afroheshin vendit për shkak të hijes së vitit famëkeq 97’, ata guxuan të investojnë për të penetruar në ato tregje ku nuk kishte konkurencë. Në shqipëri pra. Investimet e tyre, taksat që paguanit, pagat e puntorëve e tjerë u bënë një tjetër motorr zhvillimi për vendin. Qeveria e asokohe –dhe kushdo qeveri tjetër që do të ishte në atë kohë të njëjtën gjë do bënte– duartrokiste në rrolin e spektatorit përpara kësaj mrekullie që i ra dhe për të cilën nuk kishte derdhur pikë mundi për ta arritur.
Mirëpo kazualiteti nuk zgjat shumë dhe kur inertësia e boomit ekonomik ra, atëherë qeveria Berisha për të ruajtur statistikat, sidomos në prag të trokitjes në shqipëri të pasojave të krizës ekonomike globale, u detyrua të nisë privatizimet e vendit në mënyrë që të ruheshin statistikat ‘’galopante’’. Privatizimet në fakt e amortizuan efektin e krizës duke ruajtur statistikat, por nga ana tjetër nuk na bënë më të pasur. Përkundrazi. Gradualisht shqipëria po humbiste asetet e saj kombëtare.
Sipas INSTAT viti 2011 ishte viti i fundit ku shqipëria po gëzonte frytet e mrekullisë ekonomike, e cila por si mrekullia trokiti në derë atëherë kur ne skishim bërë gjë për ta realizuar. Në këtë vit ekonomia jonë u rrit me 3.32 %. Në vitin 2012 ekonomia jonë u rrit –nëse na lejohet ta quajmë rritje– me 1%, në 2013 me 1,44% dhe në 2014 respektivisht me 1,44%. Po ashtu rreth kësaj shifre varvitet parashikimi që i ka bërë ekonomisë sonë BB dhe FMN-ja
Siç e shohim një njëfarë mënyre dukej sikur shpejtësia e rënies ekonomike po garonte me nxitimin e z. Berisha për të ruajtur statistikat në afrimin e zgjedhjeve. Ky nxitim në fakt ia punoi me hile kryeministrit të ri, njëlloj siç ndodh në lojërat e fëmijëve të lagjes kur ja bëjnë me hile njëri-tjetrit. Edi Rama tashmë, i cili nuk kish më se çfarë të privatizonte, do trashëgonte një qeveri që ishte në konflikt me kompani të huaja që kishin investuar në vend dhe me një arkë boshe siç ndodh në vitet elektorale, me një borxh publik që i kalonte normat e lejuara nga BE-ja, plus kësaj dhe me një mungesë përveoje në qeverisje. Mirëpo kishte edhe një hile pozitive që zoti Berisha nuk ia kishte treguar z. Rama dhe që ky i fundit e zbuloi si një mrekulli në qeverisje e sipër, hilja ishte se arkat e shtetit u mbushkërkan shpejt me para. Tatimet dhe vjelja e taksave, sidomos pas ligjit që kishte miratuar z. Berisha ku detyronte sipërmarrjet e mëdha që ta paguanin tatim-fitimin çdo muaj, nga një herë në vit që ishte, pra gjenerohen të ardhura mujore për buxhetin, çka bënë që shteti shqiptar nën komandën e zotit Rama ta merrte shpejt veten.
Tashmë kryeministër, dëshirat e zotit Rama për ta ndryshuar këtë vend ishin të mëdha, por munësitë të vogla. Me një bujqësi inkonkurente dhe inefiçente, me një sektor ndërtimor që deri diku ka mbetur pezull, me një borxh publik që nuk mund të përballohet pa marrë borxhe të tjera, etj, kryeministrit të ri për të rritur performancën ekonomike të qeverisë së tij nuk i mbetej vetëm se të bënte atë që skishte guxuar të bënte asnjë kryeministër përpara tij, të merrte masa rigoroze ekonomike, pavarësisht kostos elektorale të tyre. Luftimi informalitetit, detyrimi qytetarëve për të paguar faturat e papaguara të çdo lloj karakteri, detyrimi sipërmarrjeve për të deklaruar punonjësit, e kështu me rradhë mbetën strehat e vetme ekonomike ku mund të operonte qeveria për ta rimëkëmbur ekonominë e vendit. Një dritë tjetër në fund të tunelit mbeten edhe ndërmarrje fason, të cilat edhe pse nuk gjenerojnë të ardhura nga taksat, edhe pse kapitali tyre fluturon diku gjetkë, së paku punëson njerëz, qeveria vjel disa kontribute dhe statistika punësimi, për ti pasur kështu më pas si kapital elektoral.
Nga lulëzimi në fasonizim, ekonomia shqiptare na jep një leksion, atë leksion që e mëson në fakt çdo student i ekonomisë që ditën e parë që ulet në bankat e universitetit, po nuk prodhove nuk gjeneron dot të ardhura për veten, e as për ekonominë e vendit. Dhe ekonomia në fakt është kushti që më së shumti kufizon qeveritë në jetësimin e politikave të tyre, duke nisur që nga punësimi, zhvillimi dhe çdo prespektivë tjetër e domosdoshme për vendin. Në të kundërt do na duhet të presim mrekullinë e rradhës që të na trokasë në derë.
Një shkrim nga Enklid PELARI