Nga Vepror Hasani
Kur në qiell shfaqej ylli i karvanit, qiraxhinjve u dilte gjumi. Ishte ora dy pas mesnate. Bënin gati ngarkesat, u jepnin tagji kuajve dhe kontrollonin gjithçka që do të merrnin me vete. Gjatë kësaj kohe në Pazar vinin adhuruesit e karvaneve. Ata shihnin me kërshëri kuajt e fuqishëm, zilet karakteristike dhe takëmet e tyre. Ndihmonin qiraxhijtë për ngarkimin e kuajve. Sipas rastit, pyesnin çfarë mallrash do të çonin në Durrës, Vlorë, Elbasan, Janinë, Selanik, Stamboll, Ohër apo Manastir dhe çfarë do të sillnin prej andej. Kafenë e pinin bashkë. Aroma e kafesë taze mbushte gjithë hanin. Avulli i bukëve të sapodala nga furra, vinte deri aty. Gjella erëmirë ziente në poçen prej balte në kuzhinën e hanxhiut. Adhuruesit e karvaneve ndihmonin gjatë gjithë kohës me çfarë u vinte ndoresh. Më në fund i përcillnin me urimin: “Ju priftë e mbara! Zoti ju ndihmoftë!” Karvani nisej për udhë gjithë madhështi. Adhuruesit e karvaneve ktheheshin në shtëpi me bakshishe nga qiraxhinjtë, pronarët e haneve apo furrëtarët. Urimi i familjarëve ishte: “Zoti ua shpërbleftë!” Filozofia e pazarit të Korçës ishte bamirësia. Tregtarët kishin një shprehje: “Malli shtohet kur bën mirësi”. Edhe qiraxhinjtë nuk paguanin gjë për qëndrimin e kuajve në stalla; përveç tagjisë. Lehtësirat e ofruara shtonin numrin e karvaneve. Profesor Antonio Baldaçi rrëfen për një karvan prej 100 mushkash me 25 qiraxhinj që lidhte Korçën me Beratin. Kalonte dy herë në javë nëpër Tomor: “Në Berat çonin vajin dhe gjëra të tjera që i importonin nga Korça, dhe në Korçë e Meskopol, çonin lesh, lëkurë dhe të tjera prodhime të Beratit, të cilat nganjëherë transportoheshin për në Vlorë”. (Prof. Antonio Baldaçi, “Berati dhe Tomori”).
II
Pushimin e parë qiraxhinjtë e bënin pas 4-5 orëve udhëtim. Krojet e rrugëve ishin gjithnjë të rregulluara me mur, lug për të pirë ujë kuajt, lyfyt, strehëz dhe sofate për t’u çlodhur. Urat e shembura i gjenin të ringritura. Në çdo 8 orë gjendeshin gjithnjë para një hani ku mund ta kalonin natën. Shpesh u qëllonte të shkonin në vende të largëta. Në të tilla raste netët i kalonin në karvan-saraje, të ndërtuara enkas në kryqëzime rrugësh për karvanxhinjtë. Deri në tri ditë ushqimi, fjetja, strehimi i kuajve dhe tagjia ofroheshin falas që kostoja e udhëtimit të mos binte mbi blerësit. Karvan-sarajet ishin institucione bamirësie. “Disa studiues myslimanë pohojnë se veprimtaritë ekonomike në shtetet islame në përgjithësi e në Perandorinë Osmane në veçanti, determinoheshin nga sistemi vleror i Islamit… Orientimi bazë është, sipas tyre, sigurimi i mjeteve minimale të jetesës për të gjithë dhe ndarja e pasurisë mes atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë”. (Armanda Kodra (Hysa), “Pazaret e vjetra të qyteteve shqiptare në fund të shek.XIX dhe fillimi të shek. XX”, f. 49).
Gjithashtu, sipas studiueses Kodra, “Dy njoftime të shekullit 16 tregojnë për eksportin e drithit dhe ekzistencën e dy karvan-sarajeve për strehimin e tregtarëve të huaj me karvanet e tyre”. Bëhet fjalë për Pazarin e Elbasanit. Edhe hani i Imaretit të Iljaz bej Mirahorit, themeluesit të qytetit të Korçës, nuk ishte gjë tjetër veçse një karvan-saraj. Në kujtimet e shkruara të panaritasve thuhet se në hanet e Mirahorit edhe tagjia e kuajve u jepej falas. Ndërtesa të tilla gjendeshin në gjithë hapësirën e trojeve shqiptare. Në rrugët kryesore të Perandorisë numri i karvan-sarajeve ishte i madh. Veç tyre, ekzistonin dhe fondacione që ofronin ushqim dhe fjetje falas për njerëzit e karvaneve dhe udhëtarët. Të tilla ishin edhe mysafirhanet.
III
Qëllonte që në karvan-saraje të takoheshin me karvane të tjera që shkonin e vinin nga tri kontinente, përmes hapësirës prej 22.9 milionë kilometra katrore të Perandorisë Osmane, por edhe përtej saj, deri Kinë e Japoni. Ndërsa qëndronin bashkë shkëmbenin me njëri-tjetrin diçka që edhe mund të mos gjendej në qytet e tyre, por më shumë se kaq, ishte ritual i shpirtit të mirë, sepse në çdo pazar mund të gjeje edhe ato mallra që gjendeshin edhe në pazarin më të largët të Perandorisë. Ndodhte kështu sepse edhe në qytetet që mungonin zeje të caktuara, qeveria dërgonte mjeshtër që t’ua mësonin të rinjve këto zanate. Mësimi i mjeshtërive ofrohej si bamirësi. Qiraxhinjtë e karvaneve ishin gjithnjë në udhë. Për të ardhur nga Vlora në Korçë përshkonin këtë rrugë: “Nga Vlora karvanet shkonin nëpër Babicë, kapërcehej Shushica, në Picar, në Armen, kalohej Vjosa në Murtajas, në Selishtë, Hekal, Ballsh, Aranitas, kapërcehej Gjanica, qafa e Sinjës, në Bolinjan, në Velebisht e pastaj në Berat. Prej Berati ndiqej ana e djathtë e Osumit, arrihej në Vodicë, ngjitej në pllajën veriperëndimore të Tomorit, dilej pastaj në Qafa e Dardhës, zbritej për në Trovë (Tomoricë), në Ostin, në Romas, kapërcehej lumi i Tomoricës, dhe hidhej në Dobrenj. Prej këtu ngjitej pastaj në Guri i Prerë. Nga Guri i Prerë shkohej pastaj në Dushar, në Protopapë dhe dilej më pas në Voskopojë. Nga Voskopoja rruga shkonte pastaj sipas përroit të Gjonomadhit, në Voskop dhe arrinte përfundimisht në Korçë. (Ilia Ballauri, Korça-Enciclopedica, nr. 2. f. 36-37).
IV
Në vitin 1502, Perandoria Osmane dhe Venediku nënshkruan traktatin e paqes. Në vitin 1535 u lidhën marrëveshje tregtare me Anglinë, Francën dhe Hollandën. Tashmë shkëmbimi i mallrave mund të bëhej me çdo vend të globit. Tregtia mori hov të madh. Karvanet e Korçës çonin në Vlorë prodhime bujqësore, blegtorale etj dhe merrnin që andej gjithçka që kërkonte tregu, madje dhe artikuj luksi. Tregtarët e Venedikut, Fiorentinës dhe Raguzës mbërritën në Shqipëri. Interesoheshin për prodhimet shqiptare. Korça u bë edhe më e njohur gjatë viteve 1644-1669 të Luftës Veneto-Turke: “Nga një dokument i viteve 1647-1648 mësojmë se tregtarët elbasanas për të shkuar në Venedik në kohën e luftës Veneto-turke (1644-1669) kur siç duket porti i Durrësit ishte i mbyllur, ndiqnin rrugën shumë të gjatë Elbasan – Korçë – Sajadhë – Korfuz – Venedik. Gjatë rrugës në tregun e Korçës ata blinin prodhime blegtorale (lëkurë, dyllë), prodhime zejtarie (mutafe, litarë, hararë) dhe shisnin prodhime manifakture (stofa e letër) të sjella nga Venediku”. (PirroThomo, Korça, urbanistika dhe arkitektura, f. 30-31).
V
Në fund të shek. XVII, Durrësi u bë porti më i rëndësishëm i vendit. Për të mbajtur lidhje me tregtarët e Venedikut, Korça dërgoi atje tregtarët e saj. Qiraxhinjtë sillnin në Pazarin e Korçës veshje të kushtueshme: “Nga një dokument i viteve 1647-1649 mësojmë se në qytetet Elbasan, Berat e Korçë, në këtë kohë përdoreshin disa lloje stofash të shtrenjta, të importuara nga Venediku dhe të cilësuara me emrat: pirango, ska(r)lato, meneviz (ose remeneviz), koskorel ose moralso, arqimadho, stof i gjelbër, korelo (ngjyrë korali) e jargavan. Meqë këto stofra shiteshin me çmime shumë të larta (140-170 aspra krahu), nënkuptohet se ato destinoheshin kryesisht për shtresën tregtare e sidomos për klasën feudale, që përpiqej të jetonte tashmë me luksin e shkëlqimin e modës orientale. Ato ishin stofat më të përdorura në këtë kohë edhe në parinë e gjithë qytetit të bregdetit dalmatin. Një raport i vitit 1699 na tregon se tregtarët e skelës së Durrësit sillnin çdo vit 1500 copa cohë të Venedikut (draps de Venise), të punuar posaçërisht për Shqipërinë, 300 topa stofra londrine, 5-6 arka pëlhurë mëndafshi etj”. (Veshja në shekujt XVII – XVIII).
Edhe në këto raste, sa herë shiteshin mallra të kushtueshme, tregtarët bënin ulje çmimesh, jepnin dhurata, sepse nuk e kuptonin dot tregtinë pa bamirësi për klientët e tyre.
VI
Në shekullin e XVIII, Shkodra u bë tregu ndërkrahinor më i rëndësishëm i Veriut, Elbasani për Shqipërinë e Mesme dhe Berati për Shqipërinë e Jugut. Po Korça? Historia e Shqipërisë nuk thotë asgjë për këtë qytet, por në të vërtetë ajo ishte Kryezonja e Shqipërisë Juglindore. Këtë e thonë studiuesit e huaj dhe vendas: sipas Karmicit, “Korça është depoja natyrale e Selenikut dhe e Stambollit dhe pjesërisht dhe e Janinës, duke i përhapur prodhimet industriale edhe të Evropës e të kolonive, siç janë stofrat e ndryshme, sheqeri etj, në tërë periferinë e Shqipërisë Juglindore”. Sipas albanologut J. G. Han, “Tani kohët e fundit po bahet Korça, që është në lulëzim e sipër nji konkurent i rrezikshëm i Janinës përsa i përket tregtisë me viset e veriut… Pozita e saj ku kryqëzohen shumë rrugë kryesore, asht shumë e përshtatshme për tregtinë, dhe tregtarët e Janinës kanë filluar të shqetësohen”. Gjatë kësaj kohe, (v.1858), britanikët kërkuan marrëdhënie tregtare me Korçën. Sipas studiuesit Leonard Çarçani “Në vitin 1882 filloi ndërtimi i rrugës Manastir – Korçë që i siguronte kësaj të fundit një vend të favorshëm në rrugën tregtare që lidhte Manastirin me Janinën. Për pasojë ky qytet (Korça) përfitoi po ashtu edhe nga mbërritja e hekurudhës deri në Manastir”. Sipas studiuesit Ilia Ballauri, “Mallrat që eksportoheshin ishin: lesh në sasira të mëdha, stofra të trasha, mbulesa të trasha leshi, punime prej lesh dhie, velenxa, fije, lëkurë, lëvozhgë valanidhi, dyllë, safran, duhan etj”. Sipas studiuesit Ajet Nallbani: “Berati, qendra më e rëndësishme ekonomike e Shqipërisë Jugore, pas Janinës lidhej me Korçën duke vazhduar nga Kuçova, Elbasani, Qafë-Thana, Ohri ose rruga malore që kalonte nëpër Skrapar dhe Korçë”. Sipas studiueses, Armanda Kodra (Hysa), për t’u lidhur me Korçën ndiqej kjo rrugë: “Duke u nisur nga Elbasani ndiqej rrugë e Manastirit deri në Domozdovë, pikërisht aty ndante, duke kaluar nëpër Kodolesh; ditën e dytë soste në Pogradec. Udhëtimi i ditës së tretë merrte fund në Korçë që mbante 8 orë. Në rast nevoje e pengesash ndaleshin në Hanin e Veliternës ose te ura e Maliqit”. Të gjitha këto tregojnë që Korça ishte Kryezonja e Shqipërisë Juglindore me ndikim në Selanik, Janinë e Stamboll.
VII
Karvanet mbanin në lidhje Pazarin e Korçën edhe me Ohrin, Manastirin, Kosturin, Follorinën etj, por ajo gjithnjë mbetej e përkëdhelura e Stambollit. Korçën e krahasonin me Izmirin – Parisin e Mesdheut. Karvanet përdornin shpesh rrugën Korçë – Selanik – Stamboll: “Në shek e XVIII një numër i madh veshjesh të modës së Stambollit zënë vend gjithnjë e më shumë në garderobën e fisnikëve tanë dhe të shtresave të tjera të myslimanizuara të vendit. Ato janë përgjithësisht veshje të rënda e të kushtueshme, jo vetëm nga stofrat e çmuara që përdoren, por edhe nga zbukurimet që kanë me gëzofra të shtrenjtë, çapraze, gajtanë e shirita ari e të tjera zbukurime. Këto veshje nuk janë një notë e veçantë për vendin tonë, ato kanë marrë tashmë një qarkullim ballkanik, si rrezatime të modës së kryeqytetit të Perandorisë Turke dhe i sheh në të gjitha qytetet e rëndësishme të Ballaknit si në veshjen e burrave ashtu edhe në atë të grave”. (Veshja në shekujt XVII – XVIII).
Moda e Stambollit parapëlqehej edhe nga ortodoksët e Korçës: “Edhe në veshjen e parisë së krishterë tiparet orientale ishin mjaftë të dukshme. E tillë ishte veshja e ktitorit Shamo rreth vitit 1725 në Korçë e përbërë nga një këmishë e bardhë, mbi të cilën vjen dollomaja e gjatë deri në pulpë të këmbëve e pastaj anteria, e ngjeshur për mezi me një brez të gjerë. Veshja plotësohet me një xhybe stoli të shtrenjtë, të veshur së brendshmi me gëzof. Në kokë ai ka një festë të kuqe, përqark së cilës ka lidhur një shami. Flokët i ka të shkurtra, nuk ka mjekër, por ka mustaqe. E ngjashme me veshjen e Shamos është edhe veshja e ktitorit të pikturuar në një afresk në Kishën e Shën Thanasit të Voskopojës, më 1745. (Veshja në shekujt XVII – XVIII).
VIII
Të gjitha këto realizoheshin nga qiraxhinjtë. Karvanet e pazarit të Korçës çonin prodhimet shqiptare në tregje të tjera dhe sillnin mallra të huaja që andej. Shpesh udhëtimi kërkonte ditë e javë. Korça kishte tregtarët e saj të tregtisë së brendshme, bakejt dhe tregtarët e tregtisë së jashtme, tuxharët. Karvani i nisur ditë më parë nga Pazari i Korçës kishte mbëritur sërish në Korçë. Gjithçka kishte shkuar mirë. Udhët kishin qenë të mirëmbajtura. Perandoria Osmane tregonte kujdes të vazhdueshëm. Në lidhje me rrugët historiani çek Kostantin Jireceku shkruan: “Asnjëherë, që prej rënies së Perandorisë Romake, ndonjë shtet në Europë nuk i kishte kushtuar ndonjë vëmendje të tillë sistemit të tij të rrugëve, sesa Perandoria Osmane”. Ato kohë sillnin nga Vlora dhe Durrësi veshje të shtrenjta dhe cohëra të kushtueshme; stofra gjermane që vinin nëpërmjet Lajpcig-ut, stofra angleze nga më të mirat e shumë të kushtueshme, gajtanë ari prej Vjene, gjyrmysh, (fije të holla prej ari dhe argjendi) prej Napolit etj. Sillnin stofra me ngjyrat e parapëlqyera si e kuqja, e gjelbra dhe manushaqja e mbyllët, të cilat shekuj më parë kishin qenë ngjyrat e rezervuara për fisnikët. Pas shkarkimit të kuajve, mallrat dilnin në vitrinat e dyqaneve. Gjithkush e dinte që tregtarët do t’u bënin favorizime, sepse pa një bamirësi klientëve, tregtarët nuk ndiheshin të qetë. Përveç krahinave rreth e rrotull, pritej edhe ardhja e skrapallinjëve; ata i blinin veshjet gjithnjë në Pazarin e Korçës.
Vetëm banorët ortodoksë, druheshin të blinin veshje të kushtueshmë, të qëndisura me ar dhe argjend, sepse këto lloj veshjesh u ishin ndaluar nga Mitropolia që nga viti 1826. Kush thyente vendimin, nuk qasej në kishë!
XIX
Qiraxhinjtë e kishin kryer detyrën e tyre. Malli kishte dalë në shitje. Shpirti i Pazarit të Korçës mbetej bamirësia. Kjo nuk ishte vetëm filozofia e Islamit, edhe Aristoteli duket se mendonte të njëjtën gjë: “Aristoteli e dënonte paranë dhe tregtinë për përfitim si të panatyrshme, e çka është e panatyrshme, është dhe e pamoralshme. Ideja e tij ishte se forma natyrore e organizimit ekonomik ishte njësia ekonomike shtëpiake e vëtëmjaftueshme, dhe prodhimi për përmbushje të nevojave. Njeriu është nga natyra i vetëmjaftueshëm dhe nevojat e tij janë të kufizuara. Meqë të mirat në natyrë nuk janë shpërndarë kudo njësoj, tregtia është e natyrshme për sa kohë lejon barazpeshimin e resurseve të jetesës, në mënyrë për të realizuar vetëmjaftueshmërinë. Për këtë arsye çmimet duhen caktuar, dhe të mirat e shërbimit duhet të ndahen në bazë të statutit të atyre që i sigurojnë ato. Paraja si mjet duhet vetëm për të thjeshtëzuar shkëmbimin në natyrë, ndërsa huadhënia me interes është gjëja më kundër natyrës”. (Armanda Kodra (Hysa), “Pazaret e vjetra të qyteteve shqiptare në fund të shek.XIX dhe fillimi të shek. XX”, f. 52-53). /tesheshi.com/