Revolucionari gjerman, Carl Schurz ishte një hero tërësisht amerikan. Një mësues që u ngjit në barrikada gjatë trazirave të dështuara kundër shtetit autokratik prusian në vitin 1848, ai eksportoi ethet e tij demokratike në Amerikë katër vjet më pas: Schutz luftoi për kauzën unioniste në luftën civile, shërbeu si sekretar i brendshëm amerikan dhe paraqiti në atdheun e tij të adoptuar konceptin e kopshteve për fëmijët.
Ende pjesa më e madhe e amerikanëve, madje edhe e vetë gjermanëve, do të gjendeshin në vështirësi për t’i vënë një emër burrit memoriali i të cilit në Uiskonsin e identifikon atë si “gjermano-amerikanin” më të madh të Shteteve të Bashkuara. Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara mund të grinden për pozicionin e saktë të bustit të Uinston Çërçillit brenda Shtëpisë së Bardhë, por të paktën ato e dinë se për çfarë e kanë fjalën.
Nëse do të besonim rrethet e politikës së jashtme gjermane, e gjitha kjo mund të ndryshojë nëse Britania e Madhe largohet nga Bashkimi Europian. Që nga vizita e Barack Obamës në Europë, javën e kaluar, media gjermane ka qenë e ndezur me spekulime se vendi do të marrë rolin e Britanisë në një “marrëdhënie speciale” me Shtetet e Bashkuara në rast të zbatimit të skenarit Brexit.
Pasi presidenti amerikan paralajmëroi euroskeptikët në Britani se ky vend do ta gjente veten në “fund të radhës” nëse shkonte e tyrja, ai bëri një mal me vlerësime për Angela Merkelin, duke e përshkruar lidhjen e tyre si “një marrëdhënie po aq të rëndësishme sa ç’ka qenë gjatë mandatit të tij presidencial”.
“Përgjatë tre apo katër javëve të fundit, rëndësia e Gjermanisë për Gjermaninë është rritur në mënyrë të pamasë”, thotë Marc Overhaus nga kompania e sondazheve SWP për “Der Spiegel”. “Ndërsa rëndësia strategjike e Britanisë për Shtetet e Bashkuara ka rënë bashkë me shpenzimet e mbrojtjes, Gjermania u konsiderua si “i vetmi shtet në Europë i aftë për veprime të vendosura”, thotë ai.
Nëse Britania do të largohet nga BE, “amerikanët do të rrisnin mbështetjen e tyre mbi Berlinin dhe Parisin”, thotë eurodeputeti kristiandemokrat, Elmar Brok. “Britania, në këtë mënyrë do të ishte vetëm një ishull i parëndësishëm nga ana strategjike në Atlantik”.
Nocioni se Shtetet e Bashkuara do të riinvestonin të gjithë energjinë e tyre diplomatike në marrëdhënie bilaterale sesa në shpërndarjen e interesave të tyre në të gjithë kontinentin, është e dyshimtë.
“Ndërprerja e marrëdhënieve të Amerikës me Britaninë nuk është në lojë kur shikon çështjet ushtarake dhe ndarjen e të dhënave të inteligjencës që ndodh aktualisht mes dy vendeve”, thotë Derek Chollet, ish-këshilltar i lartë për sigurinë në administratën Obama, tashmë këshilltar në fondin gjerman Marshall.
Në fushën e mbrojtjes së të dhënave, dy vendet qëndrojnë kilometra larg dhe ka skepticizëm në lidhje me partneritetin transatlantik për tregtinë dhe investimet. Ky skepticizëm po shtohet në të dyja brigjet e Atlantikut.
“Por në termat e gjeopolitikës, nëse Britania e Madhe vijon të bjerë poshtë rrugës së saj ekzistenciale dhe të largohet nga Europa, presidenti amerikan ka më shumë gjasa të ngrejë telefonin për të folur me kancelaren gjermane, sesa me kryeministrin britanik”, thotë Chollet për “The Guardian”. “Me Rusinë, një gjë e tillë po ndodh gjithashtu.
Në Berlin, ka plane për ngritjen e një memoriali për Schurz dhe luftëtarë të tjerë të ’48 kundër skllavërisë gjatë luftës civile amerikane. Erardo Cristoforo Rautenberg, kryeprokurori publik në shtetin e Brandenburgut është në krye të nismës, e ka sugjeruar vendosjen e një statuje në vendin pranë bashkisë së rikonstruktuar të Berlinit, si një kundërpeshë e rizgjimit neoprusian.
Ministri i Jashtëm gjerman javën që kaloi njoftoi mbështetjen e tij për memorialin. “Në kujtesën e shumë njerëzve, ishin amerikanët të mbështetur nga britanikët e francezët që sollën demokracinë në Gjermani në vitin 1945”, tha Frank-Walter Steinmeier për “Der Spiegel”.
“Por, shumë të tjerë e kanë përjetuar demokracinë parlamentare përpara vitit 1933, të gjeneruar nga aktorë të konfliktit të 1848-ës. Kjo është arsyeja përse një memorial për të ashtuquajturit Dyzet e Tetëshit, është një mundësi e madhe për të evokuar kujtimin e ndikimit të përbashkët gjatë themelimit të demokracive të qëndrueshme në të dyja anët e oqeanit”.
Historianë dhe publicistë, gjithashtu, janë duke rizbuluar trashëgiminë gjermane të Amerikës. Kur gazetarja amerikane dhe autorja e shumë librave, Erica Wagner nisi kërkimet për një biografi të Washington Roebling, inxhinierit civil të njohur më së shumti për punën e tij në Urën e Bruklinit, ajo u habit nga fakti që burri që qëndron pas një prej ikonave më të famshme të Amerikës, nuk fliste anglisht deri në moshën 10-vjeçare.
Ai u rrit në Saxonburg të Pensilvanisë, një qytet emigrantësh gjermanë themeluar nga i ati, John që ishte i pari që dizenjoi fillimisht urën. Libri i saj, “Kryeinxhinieri”, publikuar nga Bloomsbury verën e një viti më pas, tregon historinë e asaj që ajo e quan “një monument për inxhinerinë gjermano-amerikane”.
Kjo është një histori që mund të rezonojë më shumë sesa transatlantikët britanikë mund të imagjinojnë. Gjermano-amerikanët përbëjnë komunitetin më të madh etnik në Shtetet e Bashkuara nëse llogarit hispanikët duke i ndarë në meksikano-amerikanë, kubanezo-amerikanë etj.
Në vitin 2013, në një vëzhgim të komuniteve amerikane, 46 milionë amerikanë pretenduan se kishin origjinë gjermane: më shumë sesa numri i personave që mund të gjurmojnë prejardhjen e tyre nga Irlanda (33 milionë) apo Anglia (25 milionë).
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/