Nga Bardha Nergjoni
Kush tha se Shpëtim Idrizi ka ndonjë inat me grekët?! Përkundrazi, e vlerëson bashkëjetesën mes dy popujve, pavarësisht se si çam mund t’i shoh gri e zi ato. Por ja, ai e vlerëson lart si një figurë si Vasil Melo, ish-kryeu i ndjerë i PBDNJ-së, që sipas tij impononte respekt. Dhe do e kishte këtë respekt dhe për Dulen, atë me të cilin shkon si macja me miun, nëse, siç thotë, nuk di mbantë aso qëndrimesh kundrejt çështjes çame.
Nga ana tjetër, a mos vallë është PDIU një lloj “LSI”-e në politike?! Idrizi, duke folur për tesheshi.com, pranon disa ngjashmëri, por dhe veçon diferencat.
Ai flet gjithashtu dhe qeverisjen Rama, se çfarë nuk shkon në të; për ardhjen e Mesila Dodës në partinë e drejtuar prej tij; si dhe për faktin se PDIU mishëron në vetvete dhe bashkëjetesën fetare, si një vlerë shqiptare.
Çmon besimin që duhet të ketë njeriu tek Zoti si një virtyt i lartë e natyrshëm, dhe thotë se problemin më të madh do e kishte me ata që nuk besojnë fare e jo me ata që besojnë në një mënyrë a një tjetër….
Sipas një perceptimi të përgjithshëm, Rilindja nuk është ajo që kanë pritur njerëzit; madje po rezulton një zhgënjim. Sipas Ramës, janë efekte të reformave të mëdha, që me kohë do japin një tjetër rezultat. Në gjykimin tuaj, ç’po ndodh?
Është e vërtetë që ka një perceptim edhe të publikut, që pritshmëritë e kësaj qeverie janë të ndryshme nga ato për të cilat u votua. Pa dyshim që masat rregullatore janë të nevojshme për forcimin e shtetit ligjor dhe që shteti ligjor të funksionojë, por kjo për mendimin tim nuk duhet të jetë qëllim në vetvete pasi shteti është në radhë të parë për të ndërtuar të mira publike për qytetarët. Ndërkohë, ajo që unë do ta shihja si një ndër problemet më të mëdha të kësaj mazhorance, përtej pritshmërive të parealizuara, ka të bëjë me përqasjen e saj drejt ekonomisë, mungesën e një sistemi fiskal që stimulon biznesin, rëndim me masa shumë të mëdha administrative për atë që quhet biznes i vogël. Dihet që biznesi i vogël i jep frymëmarrje të gjithë ekonomisë shqiptare. Mbi të gjitha, është një lloj deperesioni ekonomik që ka të bëjë me rënien e konsumit, i cili është një tregues shumë i madh si nga pikëpamja e psikologjisë në ekonomi por edhe për shkak të ruajtjes së defiçitit buxhetor që pasqyrohet në investimet e munguara në ekonominë shqiptare.
Shpresoj shumë të ketë të drejtë kryeministri, pasi kjo është ajo që pret çdo shqiptar, por deri më sot realiteti tregon se nuk janë dhënë këto rezultate të pritshme. Ka shumë për të rregulluar, për një klimë të mirë ndaj biznesit, për të rritur investimet për të rishikuar politikën e taksave, etj. Nuk po shoh një prioritet të qëndrueshëm apo profil të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare, apo prioritete të qarta që e bëjnë konkuruese edhe në rajon, por shoh iniciativa që zëvëndësojnë njëra-tjetrën dhe që nuk janë në sinkron me situatën.
Cila është një këshillë që ju ja jepni Ramës, ku pra mendoni se nuk po ecet mirë, e ai nuk po qeveris siç duhet?
Këshilla ime për kryeministrin: të jetë më pak i pranishëm në media dhe më shumë në zyrën e tij.
Së fundi, ka kaluar në radhët e PDIU-së ish-deputetja demokrate, Mesila Doda. Çfarë vlerësoni tek ky gjest dhe por dhe në përgjithësi tek personaliteti i saj?
Kalimi i deputetes Mesila Doda drejt PDIU është i natyrshëm. Vjen në radhë të parë për shkak të kauzës së përbashkët, ka përkrahur gjithmonë këtë kauzë. Ka shprehur një vokacion të përbashkët për t’u ndarë nga e kaluara në nisma të tilla si heqja e dekoratave, në ligjin e lustracionit, pasi sot kemi faktin që krimineli Enver Hoxha është akoma “Hero i Popullit dhe i Punës Socialiste”. Gjithashtu, me z. Doda na lidh rrugëtimi i përbashkët qysh nga Dhjetori ’90-të e deri më sot. Po kështu, ajo ka mbiemrin Demi, një familje çame pra e lidhur me kauzën e PDIU-s që. Pra ka bërënjë kalim fare të natyrshëm.
Zonja Doda është një e larguar nga PD-ja, për arsye që ajo i ka bërë publike. Ju vetë, duke qenë dhe një ish-aleat i PD-së, i jepni të drejtë për këtë akt? Pra, vërtet kjo parti nuk po kalon kohë të mira?
Unë nuk mund të shtoj apo të bëj analizën sepse znj. Doda i ka marrë vendimet vetë. Ndërkohë, sa i përket situatës në PD, besoj se duhet të kemi një përqasje tjetër për rolin e opozitës. Opozita nuk është ca të qejfmbetur e ca qejfprishur që presin t’u vijë radha për të ardhur në pushtet, por është institucioni moral i shoqërisë shqiptare dhe ka një rol të rëndësishëm në politikën shqiptare.
Siç dihet, znj. Doda ka dhe një proflil publik fetar si një katolike e zellshme, ndërkohë që PDIU është e para parti shqiptare që ka si këshilltare bashkiake një muslimane me shami. Rastësi apo kuptimplotë ky fakt?
Është komplet rastësi përkatësia fetare pasi është parti e hapur. Vendi ynë është me disa besime dhe nuk i shohim anëtarët apo përfaqësuesit tanë nga përkatësia fetare. Besimi është diçka personale. Vokacioni im është i besimit mysliman, dhe jo vetëm si një traditë islame e familjes, por unë personalisht kam mendimin se besimi në Zot është një gjë shumë e rëndësishme. Pra, do të kisha një problem psikologjik me ata që nuk besojnë fare, por jo tek ata që kanë zgjedhur apo trashëguar një besim të caktuar. E quaj gjë të natyrshme ashtu, që PDIU pra ka shumë anëtarë të besimeve të ndryshme në parti si në Lezhë, Kukës apo Kamëz dhe ku janë. Besimi në Zot është një vlerë shumë e rëndësishme personale. Bashkëjetesa fetare në Shqipëri është një vlerë shumë e madhe që duhet ta ruajmë fort dhe në traditën tonë.
Duke qenë se jeni dhe n/kryetar parlamenti, pse është degraduar aq keq gjuha parlamentare?
Jam i keqaardhur për situatën e krijuar, por ajo është një gjë e stimuluar nga forcat kryesore politike që t’i mbajnë të ngërdheshur shqiptarët jo nga produkti i diskutimeve në parlament, por duke luajtur rolin e tyre si dy blloqe të mëdha kundërshtare në mënyrë që qytetarët të mos kuptojnë e të mos dëgjojnë për çështje për të cilat është krijuar parlamenti i Shqipërisë. Ky parlament është joproduktiv pasi rrallë ka debate për ligjet apo për ato që shqetësojnë shqiptarët, për përqasjen e ekonomisë, për papunësinë për drejtësinë. Ju e dini që po endemi vërdallë edhe për reformën e drejtësisë apo jo.
Kaq vite në politikë dhe besoj keni përshtypjet tuaja për liderët, anët pozitive apo negative. Me kë është komoditet të bashkëpunosh, pra kush është ai që t’i lehtëson gjërat? Dhe nga ana tjetër, kush është më i vështiri?
Është e vërtetë që kam bashkëpunuar me disa prej tyre. Ata kanë profile të ndryshme jo vetëm si natyrë dhe si karaktere, por janë edhe shprehje e tranzicionit shqiptar. Pra kanë dominuar politikën shqiptare në një kohë të ndryshme. Ajo që dua të them unë është se në politikën shqiptare, edhe për shkak të këtij polarizimi të madh, çdonjëri prej lidërve mendon për partinë e tij; dhe unë kam të drejtën e Zotit të mendoj për PDIU.
Keni një raport të afërt me Metën. Mos vallë dhe nga fakti që ashtu siç LSI-Ja, edhe PDIU është një parti që sa vjen dhe rritet? Pra, mos është ngjashmëria mes dy stileve të të bërit politikë?
Sa i përket z. Meta, edhe prej vokacionit të PDIU-së që është kauza të të gjithë shqiptarëve, por edhe vetë personalisht, jam kundër përplasjes politike dhe mendoj se duhet të dialogojmë. Jam i hapur dhe me komunikim të vazhdueshëm me të gjithë liderët, pavarësisht jemi në opozitë apo jo. Me z. Meta kemi një afërsi institucionale dhe kështu mund takohemi më shpesh. Kemi pasur disa rrugëtime të përbashkëta dhe një lloj afërsie që u ndërtua dhe në momente të veçanta ka përbërë lajm, por nuk ka qenë takimesh kafesh konsipirative, sepse siç e thashë nuk është rasti i PDIU të bëjë një lojë politike të tillë, nagë ne jemi të fokusuar në kauzën tonë.
E vetmja gjë që mund t’i bashkojë në rrugëtimin e vet këto dy parti, pra PDIU dhe LSI, është se nëse do ta shohim, që nga viti 2005 ato kanë qenë dy parti që kanë hyrë dhe janë konsoliduar në politikën shqiptare. Po flas për historinë e partive pas vitit 2005, pas sistemit mazhoritar dhe proporcional. Që të dy janë forcat politike që kanë treguar qëndrueshmëri dhe që janë rritur nga zgjedhja në zgjedhje. Nëse mund të gjej një diferencë është se PDIU nuk ka qenë asnjëherë pjesë e kabineteve qeveritare të paktën këto 7 vjet që ka qenë parlamentare.
Pretendoni ende të keni përfaqësues në qeveri?
Çdo parti aspiron të bëhet pjesë e qeverisë për të shtyrë përpara kauzat e saj, por edhe për të mbështetur mbështetësit të saj. Ne jemi partia e katërt me 65 mijë vota dhe këto vota e bëjnë të natyrshme kërkesën që në rast të rikompozimit të qeverisë, PDIU ka të gjitha resurset e kapacitetet e mundësitë për të qenë pjesë e këtij kabineti dhe këtu nisem nga ato parti që kanë pasur poste qeveritare qoftë edhe me një deputet. PDIU ka resurse, ka kauzë që do ta fiksonin mirë rolin e saj në qeverisje.
Një pyetje në rafshin politiko-patriotik: pse atje në popull grekë e çamë shkojnë mirë me njëri-tjetrin, madje ndodh të jenë dhe ortakë në biznese, ndërsa tek ju, në politikë kjo gjë nuk ndodh. E ngas llafin pra për raportet tuaja me z.Dule?
Më vjen shumë mirë dhe i stimuloj gjithmonë që raportet e shqiptarëve me minoritetin grek të jenë sa më të mira. Ne nga ana jonë e kemi treguar vullnetin duke firmosur dokumentin për të Drejtat Europiane në KE, ndryshe nga Greqia. Ne kemi bashkëjetuar prej qindra vjetësh dhe nuk do ta thoja që është ndryshe në politikën shqiptare. Do isha gati të mbështesja të gjithë çështjet për të drejtat e njeriut që do të ngrinte z. Dule, por nuk e kam kuptuar asnjëherë pse z. Dule artikulon e sulmon çështjen çame. Atij nuk i takon dhe, sa herë që ka hyrë në çështje dhe zona që nuk i takojnë, atëherë ka marrë përgjigjen tonë.
Nëse z. Dule nuk do ishte ai që është sipas jush, pra me ato qëndrime që mban, ju do e kishit një mik në kuptimin më njerëzor të fjalës?
Unë jam edhe nga natyra njeri shumë luajal, dhe nëse do ishte parti tipike për çështjen e të drejtave do të bashkëpunoja dhe do të kërkoja ndihmë reciproke për kauzat tona që janë për të drejtat e njeriut. Për të sjellë një shembull në këtë drejtim, mund t’i adresohem PBDNJ-së në historinë e saj. Kam shumë respekt për z. Melo, i cili ishte një njeri që merrte 45 mijë vota, ndërsa Dule është katandisur me shumë herë më pak. Z. Melo e bëri një parti shqiptare dhe e hapi në të gjithë Shqipërinë. Besoj ky do të ishte modeli për t’u ndjekur. Z. Dule ka ndjekur një model tjetër. Unë mund të jem subjektiv në komentet e mia, por ne, një herë në dy vjet jemi nëpër zgjedhje. Rrugëtimi i PDIU-së ka qenë komplet i ndryshëm nga rrugëtimi i PBDNJ-së, dhe në forcë dhe në mandate, e kjo mua nuk është se më gëzon…
Meqë i përkisni dhe një kauzë nacionale, asaj çame, si ka mundësi që në zonën më turistike të Shqipërisë, atje ku është konsumuar dhe një pjesë e tragjedië, pra në Sarandë, nuk keni mundur dot të ndërtoni një muze serioz të Çamërisë me gjithçka ajo përfaqson, në mënyrë që bota të njihej më shumë, jo vetëm me tragjedinë, por dhe historinë, trashëgiminë e pasur, kulturën…?
Pa dyshim kemi bërë shumë për të aktivizuar çështjen çame. Pavarësisht se pyetja është shumë e drejtë, realiteti është pak më ndryshe. Ne kemi bërë përpjekje si me rezolutën e çështjes çame. Jemi duke përfunduar varrezat monumentale në Kllogjer, nga më të bukurat në Ballkan. Janë një memorial i gjallë jo vetëm si varrezë masive por edhe bashkë me murin e kujtesës ku do të jenë emrat e të gjithë të vrarëve brenda dhe jashtë kufinjve të Shqipërisë. Ky memorial është shumë dinjitoz.
Edhe në Konispol po punojmë për kompleksin muzeal të Hasan Tahsinit, një dijetar i madh dhe figurë shumë e ndritur i njohur si rektor i parë i universitetit të Stambollit. Këto janë dy pika shumë të rëndësishme për çështjen çame. I bashkohem kritikës suaj, sepse ka akomë shumë për të bërë për një hapësirë për arsimin shqiptar, ndërkohë që edhe në muzeun historik kombëtar të kemi një hapësirë për Çamërinë.
Ka qenë një kompleks i madh, në fakt çështja çame edhe për politikën. Madje, sa herë më duket që PDIU mundohet të largojë këtë lloj presioni me çështje të caktuara, politikanët shqiptarë anohen si Kulla e Pizës. Edhe në këtë pikë ne do të jemi konsistent dhe do jemi shumë aktivë dhe në lobimet kombëtare, sepse besoj se ka akoma shumë për të bërë në këtë drejtim. /tesheshi.com/