Nga Slavoj Žižek
Që të dënojmë siç duhet kolonializmin rus, duhet të jemi konsistentë dhe të dënojmë edhe shembuj të tjerë, e jo më pak i rëndësishëm është edhe nënshtrimi i palestinezëve në territoret e pushtuara nga Izraeli. Aq më tepër tani që një qeveri e re izraelite e krahut të djathtë po kryen aneksimin e Bregut Perëndimor. Por, ndërkohë që mediat perëndimore lavdërojnë “rezistencën heroike” të Ukrainës, ato heshtin për rezistencën palestineze ndaj pushtimit dhe aparteidit izraelit.
E vetmja gjë që ia vlen të festohet në përvjetorin e parë të luftës së Rusisë janë përmasat dhe guximi i rezistencës ukrainase, e cila ka habitur të gjithë, përfshirë aleatët e Ukrainës, e ndoshta edhe vetë ukrainasit. Nëpërmjet vetëmbrojtjes, Ukraina po arrin një vetë-transformimin.
“Dëshira e njerëzve për drejtësi në shtëpi nuk është zvogëluar,” vëren gazetarja ukrainase Kateryna Semchuk. “Përkundrazi, mbase është bërë më e fortë – dhe me të drejtë, pasi shumica e qytetarëve po rrezikojnë jetën e tyre për të luftuar kërcënimin gjenocidal nga Rusia. Njerëzit kanë një interes personal në të ardhmen e Ukrainës. Ata janë më të ndjeshëm se kurrë ndaj asaj se çfarë lloj vendi po bëhemi dhe si duhet të jenë gjërat pas luftës.”
Përkundër kësaj situate të re, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkarkoi kohët e fundit disa zyrtarë të lartë, të cilët dyshoheshin për korrupsion dhe vepra të tjera. Por mbetet për t’u parë nëse fushata e Ukrainës kundër korrupsionit do të shndërrohet në një pyetje më radikale se “si duhet të jenë gjërat pas luftës”.
Ukraina thjeshtë do të luajë me demokracitë liberale të Perëndimit, apo do të lejojë që të kolonizohet ekonomikisht nga korporatat e mëdha perëndimore? A do t’i bashkohet ajo reagimit populist ndaj globalizimit dhe tregjeve të lira, siç bëri Polonia? Apo do të duhet një kohë e gjatë ku do të përpiqet të ringjallë demokracinë e stilit të vjetër social?
Këto pyetje janë të lidhura me përgjigjen e përzier ndërkombëtare ndaj agresionit rus. Për të dënuar siç duhet kolonializmin rus, duhet të jesh i qëndrueshëm dhe gjithashtu të dënohen shembuj të tjerë të nënshtrimit kolonial, ku jo më pak e rëndësishme është shtypja e Izraelit ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Gaza.
Vërtetë, pushtimi i Bregut Perëndimor nga Izraeli nuk është rezultat i një ofensive apo pushtimit ushtarak. Përkundrazi, është një trashëgimi e Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967, të cilën shtetet arabe e humbën. Për më tepër, gjithmonë duhet ecur me kujdes në diskutimet e mosmarrëveshjes izraelito-palestineze, duke pasur parasysh se sa shpesh përdoret për të nxitur antisemitizmin – një problem në rritje në Perëndim. Kujdesi i jashtëzakonshëm është edhe më i nevojshëm tani, ku dhuna ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve po rritet përsëri.
Megjithatë, është një fakt i pamohueshëm se shumica e palestinezëve sot në Bregun Perëndimor kanë lindur nën okupim dhe pas gati gjashtë dekadash nuk kanë asnjë perspektivë të qartë për të fituar ndonjëherë shtetësinë e vërtetë. Përkundrazi, ata janë të detyruar të shikojnë të pafuqishëm teksa toka e tyre përvetësohet gradualisht nga kolonët izraelitë. Mediat perëndimore janë plot lavdërime për “rezistencën heroike” të Ukrainës, por qëndrojnë të heshtura për çështjen e palestinezëve të Bregut Perëndimor që i rezistojnë një regjimi që po bëhet gjithnjë e më i ngjashëm me sistemin e aparteidit të dikurshëm në Afrikën e Jugut.
Tani që qeveria e re izraelite, e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanjahu, është e angazhuar në aneksimin de facto të Bregut Perëndimor, është e vështirë të mos ngresh paralele me mënyrën e trajtimit të Ukrainës nga Rusia, ku Presidentit Vladimir Putin u mohon të drejtën ukrainasve për të ekzistuar si popull. Në dhjetor 2022, qeveria izraelite deklaroi në mënyrë eksplicite se “populli hebre ka të drejtë ekskluzive dhe të padiskutueshme mbi të gjitha pjesët e Tokës së Izraelit”, duke përfshirë Judenë dhe Samarinë – domethënë Bregun Perëndimor.
As koalicioni i Netanjahut nuk u ndal me kaq. Sipas një vlerësimi nga Just Security, një iniciativë e bazuar në Shkollën Juridike të NYU, “dokumentet themeluese të qeverisë së re tregojnë një strumbullar të qartë dhe dramatik në kuadrin normativ organizues me të cilin ajo po administron territoret: nga ligji i pushtimit – në një zbatimi të ligjit të brendshëm izraelit”. Në praktikë, kjo nuk është tjetër veçse “aneksim, por pa i vënë emër”. Prandaj, një ndryshim në ligjin e pronës armike do t’ua kthente pronën në Bregun Perëndimor izraelitëve që e mbanin atë përpara vitit 1948. Siç pritej, ky ndryshim vlen vetëm në një drejtim: pronat në Izrael që më parë zotëroheshin nga palestinezët nuk do të “lëshohen” në mënyrë të ngjashme.”
Në parim, një ndryshim i tillë mund të jetë një akt progresiv, pasi nënkupton që zbatimi i regjimeve të ndryshme ligjore për izraelitët dhe palestinezët e Bregut Perëndimor – një komponent thelbësor i akuzës së aparteidit – nuk mund të justifikohet më. Por ne e dimë se qeveria e re e Izraelit nuk është aspak progresive. Pra, si do të menaxhohet aneksimi? Nëse Bregu Perëndimor thjesht bëhet pjesë e Izraelit, a nuk duhet që afro tre milionë palestinezë që jetojnë atje të bëhen qytetarë izraelitë që mund të votojnë në zgjedhjet izraelite?
Natyrisht, ky rezultat do të ishte i papranueshëm për Netanjahun dhe aleatët e tij të krahut të djathtë. Megjithatë, ata kanë vetëm dy mundësi për ta parandaluar këtë. Ata ose mund të dëbojnë sa më shumë palestinezë të jetë e mundur nga territoret e aneksuara, ose mund të imponojnë atë që Just Security e përshkruan si “një regjim të institucionalizuar të shtypjes sistematike dhe dominimit nga një grup racor mbi një tjetër, me synimin për të ruajtur këtë regjim, i njohur ndryshe si aparteid.”
Gjatë dy muajve të fundit, Izraeli është tronditur nga demonstratat kundër përpjekjeve të qeverisë Netanjahu për të nënshtruar gjyqësorin ndaj vullnetit të saj. Por qindra mijëra izraelitë liberalë, liridashës që kanë dalë në rrugë, pak a shumë e kanë injoruar gjendjen e vështirë të palestinezëve (përfshirë arabët që përbëjnë 20% të popullsisë së Izraelit), edhe pse janë ata që do të vuajnë më shumë nga qeveria e re dhe reformat e saj joliberale. Në fakt, legjislacioni i propozuar është trajtuar si një çështje e brendshme hebreje.
Një akt i vërtetë proteste do të njihte se çfarë është në fakt në rrezik. Për të ruajtur demokracinë izraelite dhe sundimin e ligjit, izraelitët liberalë duhet të krijojnë një koalicion të madh demokratik që përfshin edhe përfaqësues të palestinezëve. Po, kjo do të ishte një lëvizje radikale dhe e rrezikshme, pasi do të thyente një rregull të pashkruar në politikën izraelite – domethënë, që izraelitët palestinezë nuk duhet të vendosin për fatin e vendit.
Por një radikalizëm i tillë mund të jetë tani mënyra e vetme për të parandaluar që Izraeli të bëhet një shtet tjetër fetar-fundamentalist – madje edhe racist. Kjo do të ishte një shpërfytyrim. Do të ishte një braktisje e lidhjes së thellë historike e hebrenjve me iluminizmin dhe pasimin e drejtësisë – dhe një fitore tjetër për forcat e përkushtuara ndaj idealeve më të errëta.
Slavoj Žižek është filozof, teoricien kulturor dhe intelektual slloven. Ai është drejtor ndërkombëtar i Institutit Birkbeck për Shkenca Humane në Universitetin e Londrës, profesor i jashtëm në Universitetin e Nju Jorkut dhe një studiues i lartë në Departamentin e Filozofisë të Universitetit të Lubjanës.