Myftiu i Jeruzalemit, Muhamed Ahmed Huseini tha që konsiderohen haram pra një veprim i ndaluar nga ana fetare – të gjitha vizitat në Al-Aksa që do të organizohen në përputhje me marrëveshjen e diskutueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit.
“Al-Aqsa është i hapur për t’u lutur për ata që janë me Palestinën, jo për ata që hyjnë në marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin dhe në këtë kontekst zbatojnë të ashtuquajturin plan paqeje të SHBA,” tha kleriku i lartë musliman.
Duke kujtuar se fetvatë e mëparshme hodhën poshtë planin amerikan që Jeruzalemin e trajton si kryeqytet të Izraelit, Huseini tha që të përmbyllësh një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin ishte pjesë e këtij plani amerikan dhe ishte i ndaluar si i tillë.
“Ne i ftojmë të gjithë ata që sinqerisht dëshirojnë të vizitojnë Al-Aksën dhe luten në tëm për të ndihmuar në përfundimin e pushtimit izraelit,” tha Myftiu Huseini.
Myftiu tha gjithashtu se kujdestaria e Al-Aksa-së u takon mbrojtësve të saj dhe Jordanisë, dhe se askush nuk mund ta marrë përsipër përmes marrëveshjeve të dyshimta.
Tre ditë më parë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli njoftuan se kishin arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve bilaterale. Drejtuesit e të dy vendeve pritet të nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen muajin tjetër në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.
Emiratet u bënë kështu vendi i tretë arab që arriti një marrëveshje me Izraelin për normalizimin e marrëdhënieve, siç kishin bërë më parë Egjipti (1979) dhe Jordania (1994). /tesheshi.com