Invazioni i tmerrshëm i katërrotëshit tek shqiptarët, nuk ka mundur gjithsesi që ta sfidojë dyrrotëshin në Shkodër. Aty, biçikleta mbetet njësh! Po si erdhi e si zu vend biçikleta në këtë qytet?
Nga Anila Dushi
Shkodra është quajtur “qyteti i biçikletave” dhe vazhdon të quhet i tillë , dhe pse përdorimi masiv i mjeteve të tjera të lëvizjes, kryesisht automjeteve, e ka ulur disi numrin e përdoruesve të dyrrotëshave. Por përsëri, biçikleta vaszhdon të jetë një mjet lëvizjeje i preferuar dhe mjaft i përdorshëm për qytetarët shkodranë dhe vështirë mund të gjesh shtëpi që nuk e ka së paku një biçikletë. Dhe ky fakt vërehet lehtë, pasi në çdo rrugë e rrugicë të këtij qyteti dallon njerëz që qarkullojnë me biçikleta. Lëvizja me biçikleta, edhe pse trafiku është i rënduar nga lëvizjet e mjeteve motorrike , vazhdon të jetë masive në Shkodër .
Ka disa arsye që shkodranët nuk i ndahen dyrrotëshit. Qyteti verior ka një shtrirje gjeografike relativisht të madhe, me shumë rrugë e rrugica dhe me tendencë zgjerimi e rritje si qytet . Kjo afron mundësi lëvizjeje më të kollajshme me biçikletë . Prej dekatash të tëra, qyteti i Shkodrës ka patur vetëm një linjë shërbimi urban, i cila funksionon pjesërisht dhe me mjaft probleme. Kjo ka sjellë që edhe në kohën kur ndërrmarrjen e shumta në këtë qytet funksiononin, biçikleta të ishte mjeti kryesor i lëvizjes . Dhe kjo jo vetëm në linjat ku nuk kalonte urbani siç ishin ndërrmarrja artistike, ajo e Zunkth-Kashtës etj., por dhe ndërrmarrjet e zonës industriale të asaj kohe kur urbani kalonte vazhdimisht . Shkodranët, preferonin biçikletën për të shkuar në punë por dhe për të lëvizur nëpër rrugët e qytetit.
Fillimet e biçikletës në Shkodër
Ky qytet ka lidhje të hershme me këtë mjet lëvizës simpatik. Studiuesi Agim Paruca në librin e tij “Shkodra bastion i qytetrimit shqiptar”, për biçikletën e parë në Shkodërshkruan: “Në vitin 1907, konsulli i nderit i Suedisë në Shkodër, solli nga jashtë një biçikletë, por e pat mjaft të vështirë ta fuste në Shkodër sepse edhe vetë doganjerët nuk e njihnin atë “lloj hallati”, siç e quajtën. Kjo biçikletë tërhoqi vëmendjen e të gjithë banorëve, të cilët e shikonin me habi, sepse ishte i pari dhe i vetmi mjet në tokë në atë kohë në Shkodër, që ecte pa u tërhequr nga kuajt apo nga qetë. Ndonjë fanatik e quajti edhe “karroca e djallit”. Sidoqoftë koha bëri të veten dhe numri i biçikletave erdhi gjithnjë duke u rritur, kështu që nuk habitej askush nga ai mjet udhëtimi. Pas disa vitesh, një biçikletë tërhoqi përsëri vëmendjen e qytetarëve të Shkodrës, sa që kur morën vesh se po kalonte para kafenesë, burrat lanë tavolinat bosh dhe vrapuan te dera e te dritaret e kafenesë për ta parë atë: biçikleta ishte e zakonshme si të tjerat , por e “jashtëzakonshmja” ishte se atë po e niste një grua e konsullatës austriake , pra ishte hera e parë që shikohej një grua të niste biçikletën”.
Në vite…
Dhe më pas, ky mjet pati një përhapje të madhe dhe, është e çuditshme nëse gjen njeri në Shkodër, madje që në moshë të vogël që thotë se nuk e di biçikletën. Qyteti ka një shtrirje rreth 12 km të gjatë dhe rreth 6 km të gjerë dhe, lëvizja me biçikleta kursen kohë dhe është më e lehtë . Në gazetën lokale të para vitit 1990 “Jeta e Re”, në maj 1981, autori Agim Paruca shkruan: “Eshtë llogaritur që në rrugët kryesore të qytetit, nga ora 6 e mëngjezit dhe deri në 18 të darkës, në çdo seksion të rrugëve qarkullojnë rreth 1000 biçikleta në orë. Kjo është arsyeja që Shkodrës i thonë “qyteti i biçikletave””. Por ndërsa është i padiskutueshëm fakti që para ardhjes së demokracisë dhe lejimit të përdorimit të mjeteve motorrike private, Shkodra mbante numrin më të madh të përdoruesve të biçikletës në vend, përsëri duket se ajo e mban këtë pozicion. Aktualisht, në qytet ka mjaft pika tregtimi biçikletash të llojve e madhësive të ndryshme, përfshirë dhe ato për fëmijë. Kjo tregon se biçikleta është një mjet që vazhdon të shitet e të përdoret mjaft.
Janë mbi 15 pika që merren me riparime biçikletash, një zanat ky i hershëm në Shkodër, i cili ka mbijetuar pikërisht nga vazhdimi i përdorimit masiv të këtij mjeti. Në pjesën më të madhe, aty ku është e mundur, lokalet, dyqanet e ambjentet e ndryshme private. përfshirë dhe hotelet e mëdhenj, kanë vend parkimi për biçikletat, ose vend qëndrimi për to, diku përpara e diku anash sipas vendit. Po kështu, përpara institucioneve publike si Poliklinika Qendrore, Spitali, Prefektura, Gjykata, Tregu tek stadiumi etj., ka vende qëndrimi biçikletash, madje dhe parkime pasi ka persona që i ruajnë ato kundrejt një pagese prej 10 lekësh të reja. Dhe biçikleta, ky mjet lëvizës , është jo vetëm i dashur për shkodranët por dhe mjaft i përdorshëm. Mjafton të kujtosh rrethet çiklistike që e kanë znafillën në këtë qytet, tradita në çiklizëm, organizimi i aktiviteteve si dita pa makina ku njerëz të moshave të ndryshme demostrojnë lëvizjen me biçikleta, garat e ndryshme të fëmijëve me biçikleta, pa folur për të apasionarit pas këtij mjeti që përshkojnë distanca të gjata me të. Kjo dikur ishte domosdoshmëri për shkak të mungesës së makinave, ndërsa sot bëhet për sport, lëvizje që sjell shëndet por dhe për shëtitje.Madje, në disa prej rrugëve të rikonstruktura kohët e fundit, Bashkia ka lënë një vend të veçantë për lëvizjen e biçikletave, ndonëse si rregull nuk respektohet gjithmonë.
Përvoja dhe rrëfime…
Duke folur me qytetarë shkodranë, kupton qartë përse ato vazhdojnë të përdorin biçikletën si mjet lëvizjeje . “Është shumë më ekonomike. Unë kam një autoveturë, por e përdor vetëm për raste kur bie shi, kur dalim shëtitje jashtë qytetit me familjen. Në punë shkojmë me biçikleta, pasi kursejmë kohë, lëvizim më lehtë dhe është më e shëndetshme”, shprehet Marjan Kraja, banor në qytetin e Shkodrës. Ndërsa I.Bajraktari shton se makinën e përdor për të marrë mall për dyqanin ku shet me pakicë si dhe në raste kur bie shi .”Në qytet është shumë e vështirë të lëvizësh me makinë se rrugët nuk janë shumë të gjëra dhe parkimet vend e pa vend e vështirësojnë lëvizjen, pa folur për mungesën e parkingut. Për personat që e kanë punën në qytet dhe nuk e kanë të nevojshme të marrin mjete pune të mëdha e të rënda për të cilat duhet automjeti , është shumë më efikase lëvizja me biçikletë Unë e përdor mjaft pasi lëvizja me makinë më shkaton stress nga këto pengesa dhe më vonon”.
Për biçikletën, këtë mjet që koha dhe përdorimi i vazhdueshëm në qytetin e Shkodrës e ka në kthyer në një nga identifikimet e tij, flasin dhe ato që në një farë mënyre e kanë mënyrën e mbijetesës, ato që kanë patur e ushtruar për shumë vite profesionin e biçiklistit. Sadik Sadiku është 76 vjeç , dhe gjithë jetën ka patur si profesion atë të biçiklistit. Dhe pse në moshë të thyer, Sadiku vazhdon të ndjekë me vëmendje zanatin të cilit i kushtoi jetën dhe që ia ka trashëguar djalit të tij. Sadiku rrëfen për këtë profesion por dhe për evolimin e këtij mjeti masiv, për shkaqet përse ai vazhdon të jetë mjaft i përdorshëm në këtë qytet, për vështirësitë e kaluara dhe për persona që e kanë përdorur biçikletën për distanca të gjata. ”Biçikleta para viteve 90-të ka patur më shumë rëndësi sepse atëherë nuk kishte automjete private dhe të kishe biçikletë ishte sa e domosdoshme as dhe një privilegj, madje dukej si luks. Jo vetëm se biçikleta ishte diçka e kushtueshme dhe në çmim për kohën, por se me të kryeje më shumë e më shpejt punë dhe dukej sikur ishe para të tjerëve”, e fillon rrëfimin Sadik Sadiku . Që në fëmijëri ai është marrë me biçikletat. Në vitin 1951 e deri sa ka dalë në pension, për mbi 30 vjet, Sadiku ka ushtruar profesionin e biçiklistit. Ai tregon se si me biçikletë lëviznin njerëz të kategorive të ndryshme, nga mjekë të dëgjuar në Shkodër e më gjerë, e deri tek njerëzit e thjeshtë, punëtorët që punonin me turne në ndërrmarrje të ndryshme . Markat më të përhapura të biçikletave para 90-ës ja kanë qenë ato kineze, Rubista hungareze, Mifa gjermano lindore , Bjanki e Reuster, biçikletat çeke e sovjetike. “Në ato vite, pas 1944-ës, ishin mallrat e lindjes që dominonin tregun dhe biçikletat vinin nga lindja . Më së shumti kanë ardhur biçikletat kineze, të cilat ishin më të përhapurat, disa llojesh dhe mjaft cilësore e të forta. Biçikletat vinin pjesë – pjesë dhe montoheshin në Shkodëri . Pjesët e biçikletave çeke, hungareze e kineze vinin të paketura në arka në dy ndërrmarrjet e atëhershme, NTSH (Ndërrmarrja Tregtare e Shitblerjes që njihej dhe si Bashkimi), si dhe NTAP (Ndërrmarrja Tregtare e Artikujve të Përzier). Ne si biçiklistë profesionistë që pasi kishim punuar privat në vitin 1951 kishim kaluar në shtet, si dhe gjithë zejtarët e tjerë shkonim dhe i montonim. Këto pastaj shiteshin në dyqanet e ndryshme në qytet e fshtat. Për kohën paguheshim mirë për montimin e biçikletave që vinin nga jashtë, ku paga mujore shkonte deri 1100 lekë të reja, aq sa nuk merrte asnjë drejtor atëherë. Blerja e biçikletave ishte e madhe pasi ajo ishte mjeti më i përdorur dhe kërkesat ishin të shumta, sa shpesh ato mungonin në treg. Kur dilnin në shitje, njerëzit rrinin në rradhë dhe shtyheshin për të blerë një biçikletë, dhe pse ajo kushtonte për kohën. Por ishte mjet pune dhe ishte kthyher në domosdoshmëri. Shkodra si qytet me shumë rrugica e mure avullish, bënte që me biçikletë të lëvizej lirisht, por dhe makina nuk kishte njeri. Kështu biçikletën e përdorte dhe intelektuali, drejtori, mësuesi, inxhinjeri, mjeku etj, dhe punëtori që shkonte me të në punë, madje shumë dhe gratë. Por me biçikletë shkonin në fshtra dhe ato që punonin nga qyteti atje, kryesisht mësuesit e mjekët. Kujtoj që intelektualë të njohur shkonin me biçikletë në punë çdo ditë, në fshatra si Barbullush, Bushat etj. Në ndërrmarrjen ku unë kam punuar, NRSH(Ndërrmarrja e Riparim-Shërbimeve), ka patur 20 pika biçiklistash, pra pika për riparim biçikletash, pa fshatin, ku në çdo fshat ka patur një pikë të tillë. Kjo pasi biçikleta ishte mjaft e përhapur në Shkodër. Shkodra ishte ajo që kërkonte më shumë kapertona e pjesë ndërrimi për biçikleta, pasi këtu kishte më shumë se kudo të tilla, pas saj vinte Lushnja. Kjo deri pas hyrjes në treg të makinave private, lejimit të përdorimit të tyre në fillim të viteve 90-të. Atëherë puna ra, ndërrmarrjet u shkrinë, por profesioni ynë mbijetoi. Kjo pasi në Shkodër nuk e lëshojnë biçikletën dhe ndonëse ka mjaft automjete, makina e motorçikleta, ajo përsëri është mjaft e pranueshme në rrugët e qytetit por dhe të fshatit”, thotë ai, ndërsa tregon se lëviz me biçikletën e tij prodhim i vitit 1950.
Ajo që pohohet nga qytetarë shkodranë është fakti se pavarësisht shtimit të mjeteve motorrike, biçikleta vazhdon të mbetet e pazëvendësueshme për ta dhe për shumë kohë do të vazhdojë të jetë e tillë. Shkodra nuk mund të kuptohet pa biçikletat në çdo rrugë të saj, shprehen shkodranët. Në shëtitoren kryesore të qytetit, atë që njihet si pedonalja, tek shatërvani bashkia në ka vendosur një biçikletë e cila tregon simbolikisht lidhjen e qytetit me këtë mjet lëvizës. /tesheshi.com/