Shkodra bëhet gati për protestën më të pazakontëe krejt të domosdoshme, në mbrojtje të një figure policore të qytetit, që dukshëm trashë është ndëshkuar nga mafioziteti shtetëror pasi ka goditur kultivimin e kanabisit në zonën e Shkodrës.
Fjala është për Saimir Rrustemi, një drejtues model policie në qytetin verior, së fundi i transferuar në sallën operative të Policisë në Dibër, pra nga terreni në zyrë, e më pas arrestuar së bashku me të tjerë zyrtarë policorë në Shkodër për çështje tenderash.
Kjo ka sjellë reagime të shumta në nivel qytetar në Shkodër, duke çuar deri në organizimin e një proteste në mbrojtje të tij.
Ja ç’shkruan një nga gazetarët e Shkodrës:
“Policia jonë e dashur paska arrestuar shef Saimir Rrustemin. Nuk mjaftoi perskutimi që i bënë atij dhe shumë ekspertëve të tjerë të policisë së shtetit që u fyen në mënyrën më të rëndë të mundshme duke e degdisur si punonjës në sallën operative të policisë së Dibrës.
Policia arreston shef Saimirin bashkë me 17 të tjerë se paska firmosur një tender disa vite më parë për rikonstruksionin e komisariatit të policisë së madhe. Shef Saimiri ka qenë pjesë e grupit formal për marrjen në dorëzim të objektit dhe siç duket paska hedhur një firmë siç ia kanë kërkuar shefat për atë godinë. Kuptoni se këto grupe janë totalisht formale dhe realisht nuk kanë asgjë në dorë. Ata që vjedhin paratë, nëse realisht, ka pasur një abuzim janë shefat e tyre bashkë me firmat dhe supervizorët. A mund të ketë njeri në botë që beson se një grup formal vjedh paratë dhe shefat nuk qenkan në dijeni? A mund ta besojë dikush se lulëzon droga dhe shefat nuk qenkan në dijeni? A mund ta besojë kush se di gjithë Shkodra vrasjet dhe vetëm shefat e tyre nuk kanë dijeni? Një perskuetim i gjallë.
Figura e shef Saimirit në vend të prangave dhe burgut duhej të ishte shembulli më i mirë i policisë së shtetit. Zoti Gledis Nano, Zoti Ministër i Brendshëm dhe ju prokuror e gjykatës që do keni në dorë dosjen e shef Saimirit, hapini mirë sytë. Ndaluni në një moment dhe thirrni ndërgjegjes sepse përpara keni shef Saimirin dhe jo ordinerët e policisë së shtetit që kanë tre punë paralele, rrogën e shtetit, grupeve kriminale dhe bizneset e paligjshme ku vendosin emra qarramanësh. Keni përpara një efektiv policie që ka sakrifikuar për të ruajtur nderin dhe dinjitetin e tij. Unë e di që duhej të kishte bërë më shumë, unë e di që mbase duhet të kishte denoncuar shefat e tij për vjedhjen në tenderin e komisaritit të Malësisë së Madhe. Ama shef Saimiri nëse nuk ka bërë atë ka bërë shumë më tepër. Ka bërë atë që shumë shefa policie, shumë ministra e po të doni edhe kryeministra nuk e kanë bërë në këto 30 vite. Është përballur me shumë kriminelë, grupe kriminale të rrezikshme por edhe barkderrat e policisë.
Policia e Shkodrës, sa arreston shef Saimirin, të tregojë se si ka asgjesuar 500 mijë rrënjë në gjithë faqen e malit në Oblikë? E kujt ishte ajo drogë? Kush e mbrojti në policinë e Shkodrës? Përse u degdis shef Saimir në Dibër? A lidhet kjo me asgjesimin e 500 mijë rrënjëve që policia i bëri 500 rrënjë?
Unë e di se shef Saimir do të lirohet shumë shpejt dhe do ta fitojë betejën e tij si dhe do jetë sërish pranë familjes por nuk është ky diskutimi. Përse duhet ta ndot emrin e saj policia e shetit me arrestimin e shef Saimirit dhe ta njollosë edhe emrin e tij. A është ky shef Saimiri që kontribuoi në goditjen e emrave më të tmerrshëm sapo Berisha erdhi në pushtet? A është i njëjti që kontribuoi edhe në arrestimin e shumë individëve dhe grupeve kriminale edhe pas 2013 në qeverisjen e Ramës?”, shkruan ndër të tjera gazetari Senad Nikshiqi.
Dhe pothuajse ajo që shpreh ky i fundit në lidhje me figurën e Saimir Rrustemit, është mendim unik në Shkodër rreth këtij shefi policie. /tesheshi.com/