Fenomeni El Niño që shkaktoi thatësirë në Kaliforni nuk do të ndalet me kaq, pasi shkencëtarët paralajmërojnë se pasojat e zgjatjes së tij do të ndjehen pothuajse në të gjithë botën. Ujërat e Oqeanit Paqësor po ngrohen, duke përgatitur pasoja të fuqishme të El Niño-s që mund të jenë të krahasueshme me ato të fenomenit në vitin 1997 që shkaktoi katastrofa të motit në të gjithë globin, që nga rrëshqitjet e dheut në Kaliforni deri tek zjarret në Australi.
Sipas parashikimeve më të fundit, nga Qendra e Parashikimit të Klimës, fenomeni El Niño i këtij viti është domethënës dhe i fuqishëm.
“Ka një rrezik 90 për qind të shtuar që El Niño të kalojë përmes hemisferës veriore gjatë dimrit që po afron dhe rreth 85 për qind shanse që ai të zgjasë deri në fillim të verës së vitit të ardhshëm”, thuhet në raportin e qendrës.
Fenomeni i motit u bë i njohur në botë nga ngjarjet e vitit 1997 kur kapi vëmendjen e publikut për shkak të përmbytjeve shkatërrimtare në perëndim të Shteteve të Bashkuara dhe thatësirës në Indonezi. Fenomeni u fajësua edhe për epidemi të viruseve vdekjeprurëse në Afrikë dhe rritjen e çmimeve të kafesë në të gjithë botën.
/tesheshi.com/