Ndërsa nuk ka një afat se kur mund të mbyllet dialogu Kosovë-Serbi, së fundmi është raportuar se do i vihet kapaku me shkëmbimin e territoreve. Pala serbe e le të hapur këtë opsion dhe thotë se kanë një marrëveshje nën tavolinë me Thaçin, por ky i fundit e ka mohuar duke e quajtur debat të kotë.
Këtë ide e sheh tejet të rrezikshme, Sami Behrami, magjistër i Shkencave të Gjeografisë, pasi thotë se mund të sjellë konflikt për shkak të pakënaqësive që mund të lindin nga grupe e të palëve.
Ai, në një intervistë për tesheshi.com tregon pse Kosova do ishte humbëse e madhe, cili është interesi kryesor i Serbisë që mbështet këtë ide, a do ishte më e rrugës të forcoheshin kufijtë aktualë…
Intervistoi Blendi Gashi
Si i komentoni raportimet e fundit rreth asaj se po bëhen negociata të fshehura në mes të Kosovës dhe Serbisë për shkëmbim territoresh?
Fatkeqësish ditëve të fundit sërish është riaktualizuar tema e shkëmbimit të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë duke u aluduar në pjesën veriore të Kosovës me Luginën e Preshevës. Them se është riaktualizuar për faktin se kjo ide është aktuale jo vetëm nga përfundimi i luftës së vitit 1999 por edhe më herët.
Por shqetësues janë informacionet se në këtë proces përveç presidentit të Kosovës janë përfshirë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti, ndërsa në të njëjtën kohë nuk kemi prononcim dhe demantim nga akterve rreth kësaj çështje.
Edhe me shqetësuese është një deklaratë nga Presidenca e Kosovës sipas të cilës “në këtë faze, ideja e shkëmbimit të territoreve është spekulim”, duke mos përjashtuar mundësi që në të ardhmen edhe temat te tilla të jenë objekt i bisedimeve.
Prandaj organet kompetente me këtë rast Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë duhet të kërkojnë sqarime rreth bisedimeve të mundshme, e nëse janë të vërteta të inicohen procedurat për përgjegjësi të të gjitha llojeve.
A mund të sjellë fatkeqësi veç nëse veç realizohet një skenar i tillë?
Jo vetëm që do të sjell fatkeqësi por fatkeqësitë janë sot prezentë vetëm nga ideja për procesin e lëre më nëse realizohet.
Ideja e shkëmbimi të territorit pamundëson integrimin e serbëve në shtetin e Kosovës duke ushqyer në vazhdimësi ndjenja dhe ide nacionaliste duke e mbajtur situatën e tensionuar në vazhdimësi. Në të njëjtën kohë pamundëson shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në këtë pjesë duke e shndërruar në çerdhe të krimit të organizuar. Mungesa e shtrirjes të sovranitetit dhe lulëzimin i krimit të organizuar pengon njohje te reja dhe anëtarësimin e Kosovës në shumë organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë.
Nëse realizohet, do të inkurajonte serbët në viset tjera të Kosovës për mos respektim të institucioneve dhe ligjeve te Kosovës duke ushqyer ide për bojkot institucional. Shkëmbimi i territorit në vetvete nënkupton edhe zhvendosje të popullsisë me mundësi edhe të konflikti, me qenë se në të dyja palët do të ketë grupe dhe forca që do ta kundërshtojnë shkëmbimin e territoreve të gatshme këto edhe për konflikte të mundshme. Në të njëjtën kohë kjo do tu mundësonte infiltrimin edhe të shteteve tjera, në radhë të parë të Rusisë duke e shndërruar pashmangshëm si aktor në kriza të tilla.
Fatbardhësisht (për momentin) një ide e tillë nuk gëzon mbështetje e politikës amerikane e as evropiane nga frika e mundësisë së destabilizimit të shumë vendeve të rajonit në radhë të parë të Maqedonisë. Pra kjo ide ka pak gjasa të ndodhë pasi që partneret ndërkombëtar e shohin si ide të rrezikshme.
Veç nëse ndodh, çfarë shkëmbime mund të bëheshin, ç’vende mund të humbte Kosova?
Sa herë që përmendet shkëmbimi i territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë, aludohet në pjesën veriore të Kosovës me Luginën e Preshevës. Me këtë rast Kosova përveç humbjeve tjera, humbëse më e madhe do të jetë sa u përket pasurive natyrore duke përfshirë këtu në radhë të parë ujin si pasuri natyrore.
Kosova Veriore disponon me rezerva të mëdha të plumbit dhe zinkut. Fusha xeherore e Kopaunikut disponon me rezerva rreth 6.5 milion tonë të cilat karakterizohen me % të lartë të pjesëmarrës së plumbit, zinkut, arit e veçanërisht të argjendit. Gjithashtu 3 komunat disponojnë edhe me rezerva të: asbestit, tufitit, mergelëve, gëlqerorëve etj.
Lugina e Preshevës disponon me pasuri të cilat në masën më të madhe janë eksplatuar siç është kromi i cili është shfrytëzuar deri në vitet e ’60, antimoni deri në vitet ’50, ndërsa rezervat e manganit dhe bakrit janë të pa mjaftueshme për shfrytëzim. Aktualisht shfrytëzohet kuarci dhe gëlqerorët ndërsa vendburimet e mineraleve janë të braktisura. Të dy tersit karakterizohen me ujëra termominerale të cilat gjithashtu mundë të llogariten si pasuri natyrore.
Kosova do të jetë humbësja më e madhe me rast të shkëmbimit të territoreve pikërisht për faktin e pasurive natyrore. Bazuar në hulumtimet e gjertanishme gjeologjike të të dy rajoneve mundë të konstatohet se Kosova Veriore disponon me pasuri shumë më të mëdha natyrore se sa Lugina e Preshevës.
Megjithatë, humbje më e madhe për Kosovën me shkëmbim të territoreve do të jetë sa i përket ujit si pasuri natyrore. Kosova me 1600 m3 ujë për kok banori hyn në radhën e vendeve me mungesë të ujit. Liqeni i Gazivodës- (10.9 km2 dhe me 39 milion m3/ujë) me këtë shkëmbim të territorit do të mbetej ne Serbi me çka do të rrezikohej ekzistenca e popullsisë dhe ekonomisë së Kosovës me qenë se nga ky akumulacion me ujë furnizohen popullsia e Mitrovicës, Vushtrrisë, Skenderajt etj., ndërsa shihet edhe si alternativ për furnizim me ujë edhe të pjesëve të tjera të Rrafshit të Kosovës që për momentin me ujë furnizohen nga akumulacioni i Badovcit. Gjithashtu është edhe alternativë për mbushje (furnizim) me ujë të këtij të fundit me qenë se në periudhat e thata të vitit sasia e ujit dhe furnizimi i një pjese të Prishtinës me ujë të pijes mundë të vihet në pikëpyetje siç ishte rasti i vitit 2014.
Në aspekt ekonomik, gjigantet më të madhej kosovar ( Trepça, Korporata Elektroenrgjetike e Kosovës, Feronikli etj), furnizohen gjithashtu me ujë nga i njëjti akumulacion, pa te cilin as që mundë të paramendohet funksionalizimi dhe ekzistenca e tyre. Gjithashtu nga liqeni i Gazivodes ujiten gati i tërë rrafshi i Kosovës dhe Drenicës, prandaj edhe bujqësia do të vihet ne pikëpyetje me këtë rast. Fakti bëhet edhe ma tragjik kur dihet se edhe Liqeni i Badovcit në pjesën më të madhe ndodhet nën administrim të komunës së Graçanicës.
Në bazë të asaj që u elaborua më lart mund të konstatohet se Kosova përveç se do të humbët territor dhe pasuri të mëdha natyrore me shkëmbim të territoreve do ta rrezikoi popullsinë dhe mirëqenie ekonomike të Kosovës jo vetëm për momentin por edhe për periudhë afatgjate,
Pse ky interesim i Serbisë për shkëmbim territoresh, pasi ka kohë që në Beograd flasin për këtë ? Cili është interesi i saj kryesorë?
Vet fakti se kjo ide burimi e ka nga Serbia dhe nuk është e re tregon se për Kosovën është e dëmshme, duke pasur për bazë faktin se Serbia i ka studiuar në të gjitha aspektet të dy rajonet dhe ka ardhur ne përfundim për shkëmbim territoresh.
Interesimi i Serbisë për shkëmbim territoresh nuk vjen nga interesi i saj për popullsinë serbe që jeton në veri të Kosovës por pikërisht për faktin e pasurive të mëdha natyrore me të cilat disponon rajoni.
Gjithashtu Serbia në shkëmbim të territorit me Kosovën synon që ta destabilizoj Kosovën jo vetëm në aspekt politik por edhe ne ata social dhe ekonomik. Kështu me shkëmbim të territoreve Kosova jo vetëm që do të ketë humbje të territorit, pasurive natyrore dhe stabilitetin politik por do të rrezikonte popullsinë dhe perspektiven ekonomike në periudhë afatgjate, me çka problemi do të bartej nga problemi me Serbinë në problem të brendshëm që është edhe qëllimi final i Serbisë duke e prezantuar para ndërkombëtarëve Kosovën si shtet të dështuar.
Sipas jush a është më e rrugës të punohet për forcim të kufijve se për ndryshimin e tyre?
Fatkeqësisht politika kosovare me tepër energji po harxhon ne idetë për ndryshim se sa për forcim të kufijve dhe shtrirje te sovranitetit ne veri.
Përkrahësit e idesë së shkëmbimit të territoreve në Kosovë siç duket nuk kanë analizuar humbjet dhe përfitimet nga shkëmbimi i territoreve duke u thirrur vetëm në stabilitetin politik i cili në rast të shteteve të mirëfillta (shteti ligjor) demokratike është lehtë i arritshëm me sundim te ligjit. Në fund të fundit Kosova nuk mundë t’i detyroj qytetarët e saj të pakicës serbe ta duan Kosovës si shtet, por duhet ndërtoj mekanizma që i detyrojnë ata t’i respektojnë ligjet e Kosovës. Respektimi i ligjit është obligim qytetar në çdo shtet demokratik prandaj nuk mundë te shikohet si presion ndaj pakicave nga institucionet ndërkombëtare.
Si i shihni opinionet që po bëhen rreth kësaj çështjeje?
Shoqëria kosovare si për shumë çështje tjera edhe në rastin e idesë për shkëmbim territoresh me Serbinë është ndarë në dysh: në ata që janë pro dhe ata që janë kundër shkëmbimit të territoreve. Opinione rreth shkëmbimit të territorit në shumicën e rasteve janë të mbështetura në sentimentalizëm dhe patriotizëm banal pa marr as mundin më të vogël për analizë të pasojave të këtij veprimi.
Që nga fillimi i dialogut Kosovë- Serbi ( që ende nuk po i dihet fundi) nuk janë të pakët zërat të cilët shprehen ne dobi të shkëmbimit të territorit ne mes Kosovës me Serbin respektivisht Kosovën Veriore me Luginën e Preshevës. Ide nga me të ndryshmet janë hedhur ne “pazar” në shumicën e rasteve për të mos thënë as një herë pa analiza rreth humbjeve dhe përfitimeve që sjell ky shkëmbim territoresh.
Mendoj se marrëveshjet Kosovë-Serbi (edhe pse e dëmshme për Kosovën) sa do që të jenë të dëmshme nuk mund të jetë më e dëmshme se sa shkëmbimi i territoreve me të cilin proces Kosova jo vetëm që do të ketë humbje të territorit, pasurive natyrore dhe stabilitetin politik por do të rrezikonte popullsinë dhe perspektiven ekonomike në periudhë afatgjate. Prandaj vetvetiu lind pyetja logjike: A ja vlen rrezikimi i qenies kombëtare (popullsisë dhe perspektivës ekonomike) për stabilitet politik ( i cili me këtë rast nuk është i sigurt) i cili në rastin e funksionimit të shtetit të mirëfillte ligjor është i garantuar. /tesheshi.com/