Nga Vepror Hasani
Banda e Lirisë ishte gjithnjë e pranishme atje ku gjendeshin adhëtarët. Nuk ndenji pa përcjellë as delegatët e Korçës për në kongresin e Dibrës:
“Delegatë të Korçës për në kongres të Dibrës u zgjodh Hafiz Aliu, Ymer Beu, Llambi Kota dhe Loni Llogori. Si ardhë edhe të Janinës, Leskoviqit, Gjinokastrës, Lurësit edhe Filatit shkuan bashkë për në Dibër”. (“Lidhja Ortodokse”, 31 korrik 1909).
Para nisjes, përshëndetën z. Belul Efendi kryebashkiaku i qytetit, dhe delegati i Leskovikut, z Ymer beu, kurse “Z. Sami Pojani në emër të “Bandës së Lirisë” uron udhë të mbarë edhe thotë që “Banda e Lirisë” do të jetë në krye për t’i mburrur shqiptarët kur të shfaqet ndonjë rrezik për mëmëdhenë”. Udhë të mbarë iu uroi edhe Mihal Grameno.
“Banda e Lirisë” i përcolli duke kënduar marshet kombiare në mes të bërtimeve të Korçarëve që u uronin udhë të mbarë”.
Në emër të “Bandës së Lirisë” fliste gjithnjë Sami bej Pojani, ishte kujdestari i përhershëm i saj. Edhe si pjesëmarrës në Komisionin e Paqes, Sami Pojani u zgjodh nga “Banda e Lirisë”:
“Nga ana e Klubit tonë (të shqiptarëve) u zgjodh Belul Efendiu, kryekatundar i qytetit dhe z. Mihal Grameno direktori tonë (i gazetës “Lidhja ortodokse”), nga ana e “Bandës së Lirisë” u zgjodh Z. Pojani direqtor i simotrës tonë (i gazetës “Korça”), edhe z. Pandeli Cale, kryesonjës i “Bandës”. (“Lidhja orthodhokse”, 2 vjesht III-të 1909).
Shoqëritë muzikore të mitropolisë ndiqnin gjithçka përsëlargu. Fama e “Bandës së Lirisë” po shtrihej në të gjitha territoret shqiptare. Banda priti edhe delegatët e Elbasanit:
“Kur u ngëthyen delegatët e Korçës që kishin vajtur në Elbasan, zotërinjtë Orhan Pojani, Idhomeno Kosturi, bashkë më delegatin e Selenikut, z. Midhat Frashëri edhe me delegatët e Leskovikut z. Haxhi Teki, u pritën me “Bandën e Shqiptarëve” prej një shumiceje të madhe”. (Gazeta “Korça”, 21 vjesht e I-rë 1909).
“Banda e Lirisë” synonte të ishte Banda e të gjithë shqiptarëve:
“Shqiptarët korçarë kurdoherë për shërbime të shenjtëruara kanë hedhur këmbën me të parë dhe gjithnjë kanë nxjerrë në shesh atë veprën q’i sjell dobi dhe mirësi të dashurit atdhe. Këta zotërinj dyke kuptuar që muzika është një nga ato mësime që çdo njeriu i shton dëshirën dhe i zgjon ndjenjat kombiare q’i janë rrënjosur në zemrën e vet dhe dyke pështetur në zgjatjen e dorës ndihmëtare të vëllezërve atdhetarë filluan këtë bandë të së cilës me gaz të madh po i shohim trupin. Shtytjet e anëtarëve dhe e përpjekura e mësonjësit, zotit Paskal, i cili është një italian la në shtrëngim gjithë pjestarët e bandës që në pak kohë të nisin dhe të lozin ato marshet dhe këngat më të bukura që sicilin dëgjonjës e lënë në kënaqje dhe në habitje të madhe. Qëllimi i kësaj bande, sipas kanonizmës së saj, me qenë q’është për të përhapurit e ndjenjave kombiare, pas pak kohe do të vizitonj gjithë Shqipërinë dhe do të vizitonj gjithë ata shqiptarë që dëshirojnë për përparimin e saj. Me qenë kështu, kjo Bandë nuk quhet “Band’ e Korçës”, po pa dyshim mban emrin më të lartër dyke u quajtur “Banda e Shqiptarve”. Prandaj sicili shqiptar që dëshiron mbrothësinë e kësaj muzike, pa dyshim s’kursenet në zgjatjen e dorës ndihmëtare si kushdo të vështronj me synë mëshirëbukur që të jetonjë për jetë” (Gazeta “Korça”, 29 vjesht e II-të 19090)
Ndërkohë u mor vesh se edhe Elbasani ishte bërë me shoqëri muuzikore:
“Elbasani nuk mund të qëndrojë prapa Korçës, kështu pra që themelojti një shoqëri për muzikën me emrin Afërdita…I urojmë Elbasanit për qëllimin e bukur dhe nuk dyshojmë që atdhetarët do të ndihmojnë…”. (“Lidhja ortodokse”, e mërkurë, 16 shënëndre 1909).
Ashtu si Korça dhe Elbasani, edhe shqiptarët e Bukureshtit formuan shoqëri muzikore:
“Mësojmë me gëzim të madh, që të rinjtë atdhetarë të Bukureshtit filluan një qark muzikal ku janë shkrojtur edhe zunë mësimet nën kujdesi të një të madhi profesor nga konservatori i Bukureshtit. Përgëzojmë nga zemra atdhetarët t’onë, të cilët s’lënë as një përthurje (rast) për të treguar atdhetarinë e tyre”. (“Lidhja orthodhokse”, 27 janar 1910)
Vetëm dy shoqëritë muzikore të mitropolisë, të gjendura vazhdimisht në hije, kryenin herë pas herë akte të shëmtuara. Kështu ndodhi edhe gjatë ekskursionit të tyre në Shën Naum:
“Silogu grekoman “Përlindja” bëri një ekskursion në “Shent Naum”, po në vend të vinin mënt u dualë fare me poshtërsitë e tyre!… nga një shkollë që lindin mace domosdo minj do të hanë. … gjyqi do të dëftejnë zagarllëqet që ngjajtën në Manastir të “Shent Naumit”… Po bukuroshët nuk kishin të paktën turp që të hynin natën në qytet, po ditën duke kënduar marshe sikur ktheheshin nga ndonjë luftë! Iper pistos qe patridhes! Si të mbarohet gjyqi do të shkruajmë gjer e gjatë poshtërsitë që ngjanë, gjer më sot vetëm dy veta janë burgosur se të tjerët janë fshehur!” ( “Lidhja orthodhokse”, 11 qershor 1910).
“Banda e Lirisë”, gjendej në pikën më të lartë të saj, por befasi i mbërriti një lajm i dhimbshëm. Kujdestari i saj, Sami bej Pojani kishte vdekur. Banda vendosi të mbajë një javë zi për të, pasi realisht njeriu me i rëndësishëm i bandës ishte Sami bej Pojani.
“Pleqësia e “Bandës” me t’u lajmëruar për vdekjen të Sami bej Pojanit, vendosi që “Banda” të mbanjë zi një javë, me qenë që Samiu ishte një nga themelonjësit edhe këshillonjës i vjetër”. (Gazeta “Koha”, 24 shkurtit 1911).
Vëllezërit Pojani ishin kujdesur vazhdimisht për “Bandën e Lirisë”. Ata i dhuruan asaj shtypshkronjën e tyre:
“Të shtrenjtët e të palodhurit atdhetarë zotërinjtë Mahmud (drejtor i shtypshkronjës) e Sami be Pojani, direktor i (gazetës) “Korça”, pjesët e tyre ja dhuruan “Bandës së Lirisë”, vepra e këtyreve atdhetarë nuk ka nevojë lëvdimi. Zoti iu faltë gjithë mirësitë dhe i shëmbëllefshin e të tjerë atdhetarë. Shprehim që këtë shembëll ta gjyrmonjë edhe pjestari tjetër z, Lytfi be Zavalani (kryeshkronjësi i gazetës “Korça”), që kështu t’i mbetet e gjithë shtypshkronja “Bandës Lirisë”. (Gazeta “Koha”, 1 shkurt 1911).
Për Bandën e lirisë u ngrit edhe një skenë ku do të interpretonte për banorët e qytetit të Korçës:
“Përgëzojmë nga zemra z.z. Paskal Anibale, profesor i muzikës, Stavri Taçin edhe të rinjtë anëtarë të bandës, të cilët muarr inisiativë kaq të pëlqyer sa edhe të nevojshme. Mblodhë ndihma në Korçë edhe ngritnë senë (skenë) teatrale të madhe në kopësht të bandës ku në verë të lozin më shumë pjesa teatrale. Po me që ndihmat e Korçës nuk iu përgjigjën gjithë nevojave për të bërë një skenë siç duhet, shprehim që atdhetarët të mërgimit dhe të brendshmit do të vrapojnë me ndihmat e tyre”. (Gazeta “Koha” 17 mars 1911).
Gjithashtu, “Banda e Lirisë” pati fatin të shkojë edhe në Misir, ku interpretimet e saj u pritën me entuziazëm:
“Me gëzim të veçantë mësuam që në Zagazik, Misir, tani dy javë, bandë e qytetit këndojti në kopësht të Katundarisë së atjeshme marshet shqip “Kongresi i Elbasanit” edhe “Banda e Lirisë”, kompozuar prej z. Profesor Paskale Anibale. Gjindja i ngriti me një entuziazmë kaq të madh sa duke përpjekur duart nuk deshën përveç këto dy marshe të këndohen. Përgëzojmë z. prof. Paskale Anibale për nder që i bëri kombit t’ënë duke përhapur muzikën në vend të huaj”. (Gazeta “Koha”, 23 qershor 1911)
Por, së fundi, edhe profesorit italian Paskale Anibale iu desh të largohej. Korça e përcolli me nderim të madh:
“Nga shakaku i luftës Tyrko-Italiane z. Paskal Anibale, profesor i “Bandës së Lirisë” shkojti në Misir dyke lënë një kujtim të paharruar në këto tre vjet që ndenji në Korçë. Një shumicë e madhe e përcolli gjer jashtë Korçës dyke i uruar udhë të mbarë”. (Gazeta “Koha”, 4 shënëndre 1911).
Pas kësaj mbërritën ditë të këqija. Në dhjetor të vitit 1912 grekët hynë në Korçë, plaçkitën pazarin e dogjën Kasabanë të krijuar me aq mund nga njerëzit e saj.
Ah, për pak harruam t’ju tregojmë çmenduritë e muzikantëve grekomanë të Korçës, ndaj “Bandës së Lirisë”, kur delegatët ktheheshin nga kongresi i Elbasanit. Nuk e duruan dot shkëlqimin e Bandës dhe u hodhën në sulm mbi muzikantët e saj:
“Me gjithë dëshirën që kemi patur për të mos nxirë vëllezërit t’anë nga shkaku i emrit të bukur q’i ka mbetur qytetit t’onë duke pritur nga Perëndija ose vetëvetiu të vinte ndërmend, sot jemi të shtrënguar të thomi që në Korçën e bukur, në kjo Korçë fjesht Shqiptare është themeluar një klikë ose më mirë një fole prej ndjenjash grekomane me tin megalin idhean! Do t’i linim në prehje me idenë e tyre të ndryshkur gjer të shëroheshin, por këta zotërinj nuk na lënë. Kështu që prej ca kohë, kur panë që gjithë korçarët u ftohnë nga kjo ide edhe të mos besojnë intrigat e propagandat të tyre, që Shqiptarët janë Masonë e të tjera, shumë menduan që më mirë është propaganda edhe metoda e vjetër e kështu gjetnë të udhës që ta venë në praktikë. Atë ditë që u kthyen delegatët nga Kongres’ i Elbasanit, “Banda e Lirisë” – e cila është halë në syt ndër grekomanët për përparimin e saj- i priti fort bukur me një shumicë të patreguar nga korçarët, pastaj me qenë dhe një dasmë e një anëtari të Bandës, vanë t’i këndojnë një këngë, po me të vajtur në shtëpi të martonjësit, nja 200 a 300 grekomanë me fëmijë, hynë në shtëpi edhe të armatosur me gurë, me çomage, me pushka e me gjashtore goditin për vdekje Bandën, duke plagosur me gurë profesor Llambi Bimblin, Stavre Berberë e shumë të tjerë, të cilët edhe sot dergjen në shtrat”. (“Lidhja orthodhokse” 2 vjesht e 2-të 1909).
Por, nëse dëshironi të dini çfarë ndodhi në dasmën e anëtarit të Bandës së Lirisë ku ishte e ftuar edhe kjo shoqëri muzikore, na ndiqni në fundjavën që vjen, do njiheni me një histori që s’do t’i mungojë asnjë detaj, që nga sulmet, plagosjet, arresimet, burgosjet e gjithçka tjetër, që ju nuk e keni ditur më parë. /tesheshi.com/