Nga Linah Alsaafin, Al Jazeera
Konflikti izraelito-palestinez ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe ka zhvendosur miliona njerëz. Rrënjet e tij shtrihen në një akt kolonial të kryer më shumë se një shekull më parë.
Pas shpalljes së luftës nga Izraeli ndaj Rripit të Gazës, si përgjigje ndaj një sulmi të paprecedent të Hamasit më 7 tetor, sytë e gjithë botës janë drejtuar nga zhvillimet e ardhshme.
Luftëtarët e Hamasit vranë më shumë se 800 izraelitë në disa qytete në jug të Izraelit. Si kundërpërgjigje, Izraeli nisi një fushatë bombardimesh në Rripin e Gazës, duke vrarë mbi 500 palestinezë. Trupat izraelite u vendosën përgjatë kufirit të Gazës, me gjasë në përgatitje për një sulm tokësor. Dhe më 9 tetor, Izraeli shpalli një “bllokadë totale” të Rripit të Gazës, duke ndërprerë furnizimin me ushqime, karburant dhe mallra të tjera të domosdoshme, akt që sipas ligjit ndërkombëtar përbën krim lufte.
Por zhvillimet e ditëve dhe javëve në vijim janë të lidhura ngushtësisht me historinë e këtij konflikti.
Prej dekadash, mediat perëndimore, akademikët, ekspertët ushtarakë dhe liderët botërorë e kanë përshkruar konfliktin izraelito-palestinez si të ndërlikuar, të vështirë për t’u zgjidhur dhe të mbërthyer në një bllokim të përhershëm.
Ky është një udhëzues i shkurtër që synin të sqarojë një nga konflitet më të jetëgjata në botë.
Çfarë ishte Deklarata e Balfurit?
Më shumë se 100 vjet më parë, më 2 nëntor 1917, Sekretari i Jashtëm britanik i asaj kohe, Arthur Balfour, shkroi një letër drejtuar Lionel Walter Rothschild, një figurë e rëndësishme e komunitetit hebre britanik.
Letra ishte e shkurtër – vetëm 67 fjalë – por përmbajtja e saj pati një ndikim të thellë në Palestinë, ndikim që ndihet edhe sot. Ajo e angazhonte qeverinë britanike për “krijimin në Palestinë të një atdheu kombëtar për popullin hebre” dhe për të lehtësuar “realizimin e këtij qëllimi”. Kjo letër njihet si Deklarata e Balfurit.
Në thelb, një fuqi evropiane i premtoi lëvizjes sioniste një vend ku banorët vendas arabë palestinezë përbënin mbi 90% të popullsisë.
Në vitin 1923, u krijua Mandati Britanik, i cili zgjati deri në vitin 1948. Gjatë kësaj periudhe, britanikët lehtësuan emigrimin masiv të hebrenjve – shumë prej të cilëve iknin nga persekutimi nazist në Evropë – si dhe kishin përballuar protesta e greva të shumta. Palestinezët u alarmuan nga ndryshimi i përbërjes demografike të vendit të tyre dhe nga konfiskimi i tokave të tyre, të cilat britanikët ua dorëzonin kolonëve hebrenj.
Çfarë ndodhi gjatë viteve 1930?
Tensionet në rritje kulmuan me Revoltën Arabe, e cila zgjati nga viti 1936 deri në vitin 1939.
Në prill të vitit 1936, Komiteti Kombëtar Arab i sapoformuar bëri thirrje për një grevë të përgjithshme, për të mos paguar taksat dhe për të bojkotuar produktet hebraike në shenjë proteste ndaj kolonializmit britanik dhe emigracionit hebre në rritje.
Kjo grevë gjashtëmujore u shtyp brutalisht nga britanikët, të cilët nisën një fushatë arrestimesh masive dhe urdhëruan shkatërrimin e shtëpive si ndëshkim, praktikë që Izraeli vazhdon ta zbatojë edhe sot ndaj palestinezëve.
Faza e dytë e revoltës filloi në fund të vitit 1937 dhe udhëhiqej nga lëvizja e rezistencës fshatare palestineze, e cila kishte në shënjestër forcat britanike dhe kolonializmin.
Deri në gjysmën e dytë të vitit 1939, Britania kishte dislokuar 30,000 trupa në Palestinë. Fshatrat u bombarduan nga ajri, u vendos ndalim-qarkullime, shtëpitë u shkatërruan dhe arrestimet masive e vrasjet u bënë mjaft të përhapura.
Ndërkohë, britanikët bashkëpunuan me komunitetin hebre dhe krijuan grupe të armatosura, si dhe një forcë “kundër-insurgjente” të udhëhequr nga britanikët, të përbërë nga luftëtarë hebrenj, të quajtur Skuadrat Speciale të Natës.
Brenda Yishuv-it, komunitetit të kolonëve para-shtetërorë, armët u importuan fshehurazi dhe u krijuan fabrika armësh për të zgjeruar Haganah-n, forcën paraushtarake hebreje që më vonë do të bëhej bërthama e ushtrisë izraelite.
Gjatë kësaj revolte trevjeçare, 5,000 palestinezë u vranë, 15,000 deri në 20,000 të tjerë u plagosën dhe 5,600 u burgosën.
Cili ishte plani i OKB-së për ndarjen?
Deri në vitin 1947, popullsia hebreje ishte rritur në 33% të Palestinës, por ata zotëronin vetëm 6% të tokës.
Kombet e Bashkuara miratuan Rezolutën 181, e cila parashikonte ndarjen e Palestinës në një shtet arabe dhe një shtet hebreje.
Palestinezët e refuzuan planin pasi ai u jepte hebrenjve rreth 55% të tokës palestineze, duke përfshirë shumicën e zonës pjellore bregdetare.
Në atë kohë, palestinezët zotëronin 94% të tokës historike të Palestinës dhe përbënin 67% të popullsisë së saj.
Nakba e vitit 1948: spastrimi etnik i Palestinës
Edhe përpara përfundimit të Mandatit Britanik më 14 maj 1948, forcat paramilitare sioniste kishin nisur një operacion ushtarak për të shkatërruar qytete dhe fshatra palestineze, me qëllim zgjerimin e kufijve të shtetit sionist të sapoformuar.
Në prill 1948, mbi 100 palestinezë – burra, gra dhe fëmijë – u vranë në fshatin Deir Yassin, në periferi të Jerusalemit.
Kjo ngjarje vendosi tonin për pjesën tjetër të operacionit, dhe nga viti 1947 deri në vitin 1949, më shumë se 500 fshatra, qytete dhe qyteza palestineze u shkatërruan, në atë që palestinezët e quajnë Nakba, ose “Katastrofa” në arabisht.
Vlerësohet se rreth 15,000 palestinezë u vranë gjatë kësaj periudhe, përfshirë dhjetëra masakra të tmerrshme. Lëvizja sioniste zgjeroi kontrollin mbi 78% të Palestinës historike. Pjesa tjetër, 22%, u nda në ato që sot njihen si Bregu Perëndimor i pushtuar dhe Rripi i rrethuar i Gazës.
Rreth 750,000 palestinezë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, duke u bërë refugjatë. Pasardhësit e tyre sot janë rreth 6 milionë refugjatë që jetojnë në 58 kampe të varfëruara në Palestinë dhe vendet fqinje si Libani, Siria, Jordania dhe Egjipti.
Më 15 maj 1948, Izraeli shpalli zyrtarisht themelimin e tij. Të nesërmen, filloi lufta e parë arabo-izraelite dhe luftimet përfunduan në janar 1949, pas një armëpushimi ndërmjet Izraelit dhe Egjiptit, Libanit, Jordanisë dhe Sirisë.
Në dhjetor të vitit 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 194, e cila bënte thirrje për të drejtën e kthimit të refugjatëve palestinezë në shtëpitë e tyre.
Vitet pas Nakbës
Të paktën 150,000 palestinezë mbetën brenda shtetit të sapokrijuar të Izraelit dhe jetuan nën një regjim të rreptë ushtarak për gati 20 vite, derisa më në fund iu dha nënshtetësia izraelite. Ndërkohë, Egjipti mori kontrollin e Rripit të Gazës dhe, në vitin 1950, Jordania filloi kontrollin administrativ të saj mbi Bregun Perëndimor.
Në vitin 1964, u formua Organizata për Çlirimin e Palestinës (OÇP), e cila përfaqësonte popullin palestinez në arenën ndërkombëtare. Një vit më vonë, u themelua partia politike Fatah.
Naksa: Lufta Gjashtëditore dhe fillimi i kolonive
Më 5 qershor 1967, Izraeli pushtoi pjesën tjetër të Palestinës historike, përfshirë Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor, si dhe Lartësitë e Golanit sirian dhe Gadishullin e Sinait egjiptian, gjatë Luftës Gjashtëditore kundër një koalicioni të ushtrive arabe.
Për shumë palestinezë, kjo shënoi një zhvendosje të dytë të detyruar, e cila njihet si Naksa, që do të thotë “Pengesë” në arabisht.
Në dhjetor 1967, u formua Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës me ideologji marksiste-leniniste. Gjatë dekadës së ardhshme, një seri sulmesh dhe rrëmbime avionësh nga grupe të majta tërhoqën vëmendjen e botës për gjendjen e palestinezëve.
Ndërtimi i vendbanimeve izraelite filloi në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës të pushtuar. U krijua një sistem me dy nivele, ku kolonët hebrenj gëzonin të drejta dhe privilegje të plota si shtetas izraelitë, ndërsa palestinezët jetonin nën pushtim ushtarak, duke u përballur me diskriminim dhe ndalimin e çdo forme të shprehjes politike apo qytetare.
Intifada e parë (1987-1993)
Në dhjetor të vitit 1987, shpërtheu Intifada e parë palestineze në Rripin e Gazës pas vrasjes së katër palestinezëve kur një kamion izraelit u përplas me dy furgona që transportonin punëtorë palestinezë. Protestat u përhapën me shpejtësi në Bregun Perëndimor, ku të rinjtë palestinezë hidhnin gurë kundër tankeve dhe ushtarëve izraelitë.
Ky konflikt çoi në krijimin e lëvizjes Hamas, një degë e Vëllazërisë Muslimane, e cila u angazhua në rezistencën e armatosur kundër pushtimit izraelit.
Reagimi i ashpër i ushtrisë izraelite u karakterizua nga politika e “thyerhes së kockave”, e mbështetur nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Izak Rabin. Ajo përfshinte pushkatime, mbyllje universitetesh, dëbime të aktivistëve dhe shkatërrim të shtëpive.
Intifada u çua përpara kryesisht nga të rinj dhe u drejtua nga Udhëheqja e Bashkuar Kombëtare e Kryengritjes, një koalicion i fraksioneve politike palestineze, i angazhuar për përfundimin e pushtimit izraelit dhe krijimin e një shteti të pavarur palestinez.
Në vitin 1988, Liga Arabe njohu Organizatën për Çlirimin e Palestinës (OÇP) si përfaqësuesen e vetme legjitime të popullit palestinez.
Vitet e Oslos dhe Autoriteti Palestinez
Intifada përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjeve së Oslos në vitin 1993 dhe krijimin e Autoritetit Palestinez (AP), një qeveri e përkohshme që u dha palestinezëve vetëqeverisje të kufizuar në disa zona të Bregut Perëndimor të pushtuar dhe Rripit të Gazës.
OÇP-ja njohu Izraelin mbi bazën e një zgjidhjeje me dy shtete dhe nënshkroi marrëveshje që në fakt i dhanë Izraelit kontrollin mbi 60% të Bregut Perëndimor, duke përfshirë shumë prej tokave dhe burimeve ujore të rajonit.
Megjithatë, një shtet i pavarur palestinez nuk u bë kurrë realitet. Kritikët e Autoritetit Palestinez e shohin atë si një organizatë të korruptuar, që shpesh bashkëpunon ngushtë me ushtrinë izraelite për të shtypur aktivizmin kundër pushtimit.
Në vitin 1995, Izraeli ndërtoi një gardh elektronik dhe një mur betoni rreth Rripit të Gazës, duke ndarë fizikisht territoret e ndara palestineze dhe duke i izoluar më tej palestinezët nga bota jashtme.
Intifada e dytë
Intifada e dytë filloi më 28 shtator 2000, kur lideri i opozitës Likud, Ariel Sharoni bëri një vizitë provokuese në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa me mijëra forca sigurie të dislokuara brenda dhe rreth qytetit të vjetër të Jeruzalemit.
Përleshjet midis protestuesve palestinezë dhe forcave izraelite vranë pesë palestinezë dhe plagosën 200 të tjerë gjatë dy ditëve.
Incidenti shkaktoi një kryengritje të gjerë të armatosur. Gjatë Intifadës, Izraeli shkaktoi dëme të paprecedentë në ekonominë dhe infrastrukturën palestineze.
Izraeli ripushtoi zonat e qeverisura nga Autoriteti Palestinez dhe filloi ndërtimin e një muri ndarës që së bashku me ndërtimet e shfrenuara të vendbanimeve (kolonive), shkatërroi jetesën dhe komunitetet palestineze.
Vendbanimet janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, por me kalimin e viteve, qindra mijëra kolonë hebrenj janë zhvendosur në kolonitë e ndërtuara në tokën e vjedhur palestineze. Hapësira për palestinezët po zvogëlohet ndërsa rrugët dhe infrastruktura vetëm për kolonët copëtojnë Bregun Perëndimor të pushtuar, duke i detyruar qytetet dhe qytezat palestineze në bantustane, si enklavat e izoluara që shërbenin për afrikano-jugorët e zinj që krijoi ish-regjimi i aparteidit në Afrikën e Jugut.
Në kohën kur u nënshkrua Marrëveshja e Oslos, pak më shumë se 110,000 kolonë hebrenj jetonin në Bregun Perëndimor, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor. Sot, shifra është më shumë se 700,000 që jetojnë në më shumë se 100,000 hektarë (rreth 630 km katrorë) tokë të shpronësuar nga palestinezët.
Ndarja palestineze dhe bllokada ndaj Gazës
Udhëheqësi i PLO (OÇP), Yasser Arafati, vdiq në vitin 2004, dhe një vit më vonë, Intifada e dytë përfundoi, vendbanimet izraelite në Rripin e Gazës u çmontuan dhe ushtarët izraelitë bashkë me 9,000 kolonë u larguan nga enklava.
Një vit më vonë, palestinezët votuan në zgjedhjet e përgjithshme për herë të parë.
Hamasi fitoi shumicën. Megjithatë, shpërtheu një luftë civile midis Fatahut dhe Hamasit, e cila zgjati për muaj të tërë, duke rezultuar në vdekjen e qindra palestinezëve.
Hamasi e dëboi Fatahun nga Rripi i Gazës dhe Fatahu – partia kryesore e Autoritetit Palestinez – rifilloi kontrollin e pjesëve të Bregut Perëndimor.
Në qershor 2007, Izraeli vendosi një bllokadë tokësore, ajrore dhe detare ndaj Rripit të Gazës, duke akuzuar Hamasin për “terrorizëm”.
Luftërat në Rripin e Gazës
Izraeli ka nisur katër sulme të zgjatura ushtarake në Gaza: në 2008, 2012, 2014 dhe 2021. Mijëra palestinezë janë vrarë, duke përfshirë shumë fëmijë, dhe dhjetëra mijëra shtëpi, shkolla dhe ndërtesa zyrash janë shkatërruar.
Rindërtimi ka qenë pothuajse i pamundur, sepse rrethimi pengon materialet e ndërtimit, si çeliku dhe çimentoja, që të arrijnë në Gaza.
Sulmi i vitit 2008 përfshinte përdorimin e armëve të ndaluara ndërkombëtarisht, si gazi fosfor.
Në vitin 2014, në një hark kohor prej 50 ditësh, Izraeli vrau më shumë se 2,100 palestinezë, duke përfshirë 1,462 civilë dhe afër 500 fëmijë.
Gjatë sulmit, të quajtur Operacioni “Mbrojtja e Kufirit'” nga izraelitët, rreth 11,000 palestinezë u plagosën, 20,000 shtëpi u shkatërruan dhe gjysmë milioni njerëz u zhvendosën.
Solli në shqip Tesheshi.com. Burimi: Al Jazeera