Borxhi publik i Maqedonisë, i cili në fund të vitit 2015 arriti në 4.2 miliard euro, ose në 47 për qind të PBB-së, do të vazhdojë të rritet deri në vitin 2018, duke shkuar në “vijën e kuqe” të 50 përqindëshit.
Edhe pse, sipas qeverisë, situata nuk është shqetësuese, të tjerë indikatorë tregojnë se tashmë shteti ka mbetur “thatë”.
Në analizën e bërë nga analistë të ekonomisë në Telma TV theksohet se qeveria maqedonase për vetëm tre muaj e ka rritur borxhin publik në 283 milionë euro.
Sipas Ministrisë së Financave, që nga viti 2006 borxhi publik i Maqedonisë u rrit me 2.4 miliardë euro. Qeveria, sipas strukturës, e ka rritur borxhin e jashtëm në një nivel prej 2.8 miliardë eurosh, por që borxhi ndaj kreditorëve lokalë është në nivelin e 1.3 miliard eurove.
Në tremujorin e fundit të vitit 2015, shteti mori 270 milionë euro nga tregu i eurobondit.
Shifrat tregojnë se në tre muajt e fundit të vitit të kaluar borxhet ndaj qeverisë qendrore të ndërmarrjeve publike dhe komunave janë rritur me 217 milionë euro.
Sipas strategjisë fiskale, borxhi i ndërmarrjeve, institucioneve shtetërore, publike, dhe komunave do të vazhdojë të rritet dhe në vitin 2018, për të tejkaluar “vijën e kuqe” të 50 përqindëshit. Borxhi publik i Maqedonisë deri në 2018-ën do të arrijë në 5.6 miliardë euro, ose në 52.4 për qind të PBB-së, në bazë të dokumenteve dhe qeverisë maqedonase. /tesheshi.com/