Nga Albinot Maloku
Shteti i miliona banorëve me prejardhje nga kombe të ndryshme, shteti me më shumë se tridhjetë e pesë milion turistë të sezonit, me një GDP prej nëntëqind miliard dollar dhe i treti vend në botë i cili u vije në ndihmë vendeve e popujve tjerë në nevojë, ishte destinacioni i grupit nga Kosova për dhjetë ditë. Student, magjistra, doktorant, ligjërues universitar, mësues, historian, punëtor shëndetësor, aktivist të shoqërisë civile dhe miq të mirë nga qytetet të ndryshme të Republikës së Kosovës, nën organizimin e organizatës jo qeveritare ‘IDEA’ me qendër në Prizren dhe me mbështetje të Qeverisë së Republikës së Turqisë, vizituan qytete e vende të ndryshme të Turqisë.
Vizita studimore ishte konceptuar në atë formë që gjithsecili nga grupi të ndahej i plotësuar në fushat e interesit të vet. Pritja ishte përgatitur në atë mënyrë që të linte përshtypjen e një oferte me sprova, dhe kjo për të na e ofruar ndjenjën për secilin vend e situatë, për kohën dhe momentin në të cilin gjendeshim. Edhe pse në temperatura të larta, orar të ngjeshur, ku gjumi linte për ta dëshiruar, planifikimi i vizitave, takimeve zyrtare e jo zyrtare, muhabeteve, pyetjeve e fotografive ishte maksimalisht i përputhshëm me synimin e vizitës.
Stambolli: çelësi i civilizimit turk
Të katër-dhjetë e dy vizitoret nga Kosova udhëtimin e nisën nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” i Prishtinës për të fluturuar përmes qiellit të hapur, deri në momentin kur aeroplani u hipi përmbi reve të bardha, e ku përveç të bardhës poshtë e të kaltërtës lart nuk shihej gjë tjetër. Koha e fluturimit kaloj shpejt dhe muhabetet mes miqve mbaruan kur aeroplani çau retë e bardha, për tu futur në hapësirën nga ku aeroplani na njoftonte nga lartë me destinacionin e parë të vizitës sonë, pra Stambollin, për tu lëshuar në Aeroportin Ndërkombëtar “Sabiha Gökçen” të Stambollit.
Ibn Halduni thotë “Hapësira ku jetoni është fati juaj”. Stambollasit me durim e pranonin realitetin se e kishin fatin të jetonin në një qytet që nuk fle kurrë, me shumë vizitor, me lloje të ndryshme të mjeteve të udhëtimit, me mbi pesëmbëdhjetë milion banor dhe afërsisht dy milion udhëtar ditor nga të katër anët globit që hyjnë e dalin në këtë qytet. Me të drejt turqit e konsiderojnë dhe e trajtojnë Stambollin si çelësin e qytetërimit turk. Për ta njohur dhe ndjerë Stambollin, një profesor universitar i tha grupit tonë, ‘duhet të dish si ulen stambollasit, si flasin ata, me cilën trajtë e tonë gjuhësor të qasen ata, si ushqehen ata, cilin peshk e zgjedhin dhe në cilin vend e hanë atë’. Të nxehtit e natës së parë, që dukej sikur asgjë nuk e ndalonte i “detyrojë” shumë veta nga grupi të mblidheshin në ballkonin sipër vendbanimit tonë e ta shikonin në mes të natës kolonën e dritave të veturave që pa shkëputur dukeshin si litar ndriçues, pa fund e pa fillim dhe aeroplanët në qiell që në çdo minutë një ngrihej e një zbriste.
Me të mbaruar me ushqimin e mëngjesit, grupin nga Kosova e priste autobusi i njërës nga Komunat e Komunës së Qyteti të Madh të Stambollit (İstanbul Büyükşehir Belediyesi) i cili ishte i angazhuar për të qenë me ne gjatë gjithë kohës sa ishim në Stamboll. Vizitat në xhamit e bukura të Stambollit që në vete kanë historinë, kulturën e besimin mbaruan me vizitën që i bëmë xhamisë kryesore, pra asaj që sot krenare qëndronte si muze i respektuar, Ayasofya. Pas drekës në restorantin i cili i përkiste Komunës së Qyteti të Madh të Stambollit, dhe kjo gjë ishte praktik gjithandej qyteteve ku i vizituam, e që shpjegim kishte ruajtjen e ekonomisë komunale nga mundësia e shpërdorimit të financave publike për nevojat e komunës, pika tjetër e vizitës tonë ishte muzeu historik ‘Panorama 1453’. Gjatë qëndrimit në muze dhe pamjeve madhështore të cilat tregonin një moment kryesor nga historia e Stambollit, njëri nga organizatoret kosovar të kësaj vizite studimore, Beni, me thotë pa u kujtuar: “Sa madhështore do të ishte që ta kishim një muze të tillë në Prekaz, që fletë për betejën e Adem Jasharit”. Këtë mendim e ndanim të gjithë dhe me arsye e bënim. Viti 1453 është datë që nga historia turke konsiderohet si beteja për çlirimin e Stambollit e cila u fitua nga Sulltan Mehemt Fatihu. Darka e ditës së parë përveç se me ushqim e pushim, shkojë në biseda të detajuara rreth asaj që kaluam, mes pjesëmarrësve të grupit që shpejt po bëheshin shok.
Dita tjetër filloj me vizitën që i bëmë organizatës simotër të ‘IDEA’-s, pra asaj ‘TÜGVA’ në Stamboll, e të cilët kishin ftuar njërin nga këshilltarët për Ballkanin të Presidentit të Turqisë, Erdogan për një ligjëratë e cila u përqendrua tek angazhimi i Republikës së Turqisë në Ballkan. Grupi dëgjonte me vëmendje të dhënat e prezantuara dhe sidomos qëndrimin se Turqia e do një Kosovë të fortë, të përparuar dhe në paqe. Dreka ishte momenti që e prisnim për ta mbaruar dhe të gjithë bashkë ta merrnim ‘vaporin’ që shëtiste turistët nëpër Bosfor nga Stambolli aziatik në Stambollin evropian. Aparatet shkrepnin dhe gjithsecili mundohej ta kapte momentin më të mirë nën urën simbol të lidhjes mes Stambolleve. Deri sa po lundronte ‘vapori’, drejtuesi i ‘IDEA’-së, Faruku me tregonte për çajin turk që e kishim pirë në mbrëmjen e ditës së kaluara dhe i cili shërbehej gjithandej, si në kafe, restorante, institucione jo-qeveritare e qeveritare. Ai më thotë: “I nxehti me të nxehtë largohet”, duke aluduar tek temperaturat e nxehta dhe çaj i nxehtë.
Stambolli i madh na dukej edhe më i madh për ta parë, nga fakti se në program i kishim vetëm dy ditë dhe na duhej të kalonim në qytetet tjera. Për të ia ofruar mundësin vizitorit që ti shoh monumentet e ndërtesat me kryesore të Stambollit e të Turqisë, shteti turk të gjitha ato i kishte përmbledhur në muzeun ‘Miniaturk’, ku çdo gjë ishte në një vend dhe lehtësisht i qasshëm për ti parë në formën e tyre origjinale, por të zvogëluar. Studentin nga Kosova që studionte me Konya, Mevlanën e mbaja afër për të mi shpjeguar ato detaje që ai i dinte për ato monumente e ndërtesa, jashtë asaj që shkurtimthi shkruhej në pllakat informative të vendosura para gjithsecilës. Të njëjtën e kërkoja nga studenti Sarajevas që po mbaronte shkallën e magjistraturës në Stamboll.
100 vite pas Betejës së Çanakkalasë!
Para mëngjesit erdhi autobusi dhe udhëtimi filloj nga Stambolli në një destinacion që para 100 vitesh kishin udhëtuar ushtar nga kombe e shtete të ndryshme, në një betejë që për Turqinë përfaqëson histori të ndritshme e trimërore, por edhe falënderuese për të gjithë pjesëmarrësit e asaj beteje. Ndjenjat në këtë vend ishin të përziera, por që shtonin dozën e kureshtjes për ta lexuar e rilexuar këtë pjesë të historisë së gërshetuar shqiptare e turke. Sipas ciceronit dhe të dhënave, hero i kësaj beteje ishte Seyit Ali Çabuk i cili në shpinën e tij, kishte mbajtur deri te topi një gjyle prej 275 kg. Përkthyesin tonë, Emirin e angazhoja shtesë për të më përkthyer nga turqishtja në shqip edhe pyetjet që i bëja ciceronit. Ciceroni ishte një historian turk dhe pyetja ime ishte rreth asaj se me cilin motiv janë ftuar ushtarët shqiptar në këtë betejë. Nisur nga e thëna, mendoj që historia shqiptare duhet ta studioj e interpretojë atë betejë dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në te, pa emocion e paragjykim. Edhe nga grupi mendimet rridhnin ndryshe nga njëri tjetri, por Beteja e Çanakkalasë apo e njohur ndryshe si Beteja e Galipolit është fakt historik i ndodhur në vitin 1915, ku në te konsiderohet se kanë marr pjesë me mija shqiptar nga e gjithë Ballkani. Republika e Turqisë në vendin e betejës ka nderuar të gjithë ata burra shqiptar që kanë marr pjesë në atë betejë, duke i sjell në gurët e varreve dhe në mbishkrimet tjera, emrat e qyteteve nga kanë ardhur shqiptarët, por edhe duke përmendur kufirin e hapësirave shtetërore, pra të Kosovës e Shqipërisë.
Qëndrimi në qytetin e Çanakkalas dhe vizita në muzetë që i janë dedikuar kësaj beteje, në formë dhe përmbajtje ishte interesant për gjithsecilin nga grupi gjatë kësaj vizite studimore në Republikën e Turqisë. Pa dyshim, trajtimi që i bëhej prezantimit të kësaj historie nga ana e institucioneve shtetërore turke është për lakmi e për çdo lëvdatë.
Bursa: Qyteti i shqiptarëve dhe i Osman Gazit, themeluesit të perandorisë Osmane!
Udhëtimi nga Çanakkaleja për në Bursa nuk ishte i shkurtër, por ishte interesant. Para autobusit tonë priste një kolon automjetesh për të zbarkuar në anijen e cila na bartte nga një breg në tjetrin, në ngushticën e Dardaneleve, për tu nisur më pastaj për në Bursa.
Qyteti i Bursas me shumëçka ngjante me Prizrenin tonë dhe Sarajevën e Bosnjës. Kalaja nga ku për çdo iftar hedhen gjyle topi për të treguar kohen e iftarit, ishte ngjashmëria e parë. Më pastaj në kodrën Uluda ishte një lisë 600 vjet, i gjatë dhe i gjerë në dimensione shumë të mëdha e që ta kujtonte lisin që ndodhet tek Marashi i Prizrenit, i cili po ashtu është mbi 400 vjet e me gjatësi e gjerësi të madhe.
Vizita në Bursa dhe takimet me përfaqësuesit institucional e politik, interesimet e pjesëmarrësve të grupit, për çështje të ndryshme, për dy ditë të qëndrimit konsideroheshin kohë e shkurtër për ti përmbyllur të gjitha. Organizatorët në agjendë të vizitave kishin programuar vizita në muzetë e ndryshme të qytetit: si muzeu i tekstilit, muzeu i energjisë elektrike, muzeu Karagoz (lloj i lojës me kukulla humoristike), muzeu i refugjatëve e shumë xhamia e tyrbe që përfaqësonin specifik për qytetin.
Në dreken e shtruar pas takimit me nënkryetarin e Komunës së Qyteti të Madh të Bursasë, grupit i foli edhe njëri nga deputetët e Kuvendit të Madh të Republikës së Turqisë, z.Cemalettin Kani Torun. Fjalimi i tij u përqendrua tek rëndësia e një Kosovë stabile, në paqe e të fortë për Turqinë. Shpjegimi ishte se Turqia do të vazhdojë të kujdesët e ta ndihmoj shtetin e Kosovës në çdo situatë. Po ashtu foli edhe për integrimet evropiane të Turqisë, mirëpo veçojë faktin se Bashkimi Evropian sikur ka ndaluar së interesuari për Turqinë si anëtare të mundshme sajën, dhe sikundër peshë edhe Turqia nuk është se do të shpenzojë energji në këtë çështje.
Konya e Xheladin Rumit – Mevlana
Mevlana Xheladin Rumi është njëri prej poetëve të gjuhës persiane që në literaturën turke, por edhe botërore ka një vend të vetin. Ai lind në një krahinë të Afganistanit dhe u varros në Konya afër varrit të babait të tij. Varri i tij, që sot vizitohet nga shumë vizitor nga anë e mbanë bota në Konya të Turqisë, njihet si ‘Jeshil Tyrbe’ dhe në epitaf shkruan: “Kur të vdes, mos e kërkoni varrin në tokë, por e gjeni atë në zemrat e njerëzve”. Urtësia dhe mistika, poetin Rumi e bënë të veçantë dhe jo pa qëllim, fakti se varri i tij gjendet në Konya, vendasit i bënte krenar.
Ajo çfarë e diskutonim me pjesëtarët e grupit tonë, ishte mënyra sesi trajtohej tyrbja e tij, e që ishe në kundërshtim me mendimin e mirëfilltë islam ndaj varreve. Vizitat përveçse turistike nga disa konvertoheshin në vizita ndaj një faltoreje për lutje. Gjithsesi, ciceroni, një person i shkolluar mirë dhe njohës i detaleve të ambientit ku ndodheshim, nuk linte hapësirë për të gjykuar nëse ishte e drejt apo jo, dhe kjo nga se ligjërimi i tij ishte historik dhe i pa ngarkuar, gjë që ishte për tu lavdëruar.
Qyteti i Konyas ishte aq i rregulluar dhe i pa prekshëm nga ndërhyrjen e ndërtimeve të egra, sa që u tha se; po provoj ndokush të ndërtojë diçka jashtë planit rregullativë të qytetit, vetë qytetaret nuk e lejojnë këtë. Parqe të bukura, rrugë shumë trakshe etj. Vizitat në qytetin e Konyas mbaruan pasi vizituam muzetë si atë të Shkencës dhe Fluturave. Edhe në Konya pija tradicionale që shërbehej me patjetër nga mikpritësit, ishte çaj turk.
Ankara: Kryeqytet i Turqisë moderne
Qendra kryesore e të gjitha institucioneve shtetërore të Republikës së Turqisë, vendi nga ku tregohet interes për diasporën turke dhe vendet që ky shtet i sheh me interes strategjik për veten dhe politikën e saj, – kjo është Ankara. Qëndrimi në Ankara dhe pritja nga zyrtarët më të lartë shtetëror të dikastereve që ne i vizituam, ishte në nivelin e pritjeve shumë miqësore, ose siç ata thonin: “ndjehuni si në shtëpinë tuaj, nga se kjo është e juaja”. Gjithsesi, këtë qasje e shikoja edhe me ndjesinë se Turqia u është falënderues shqiptarëve, kjo nga se ishin kontribuuesit kryesor të saj gjatë një historie bukur të madhe. Pritja e grupit tonë u bë nga dy ministri të Qeverisë Turke dhe në të dyja pritjet, qasja ishte e njëjtë: “një Kosovë e fortë, stabile e në paqe, është në interesin e Turqisë, dhe se kujdesi ynë për Kosovën do të vazhdojë”. Nga grupi ynë, Bajrami, një aktivist i shoqërisë civile nga Prizreni, në një turqishte mjaft elokuente, para të dy ministrive e veçojë faktin se Kosova është gjeografikisht në Evropë dhe duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, porse miqësinë dhe bashkëpunimin duhet ta fuqizoj e vazhdoj me Republikën e Turqisë. Ishte kjo një qasje që duhet përshëndetur gjithsesi dhe në dobi të shqiptarëve.
Ankara sot përfaqëson një epokë e cila do ta rikthej respektin për Turqinë dhe këtë me çdo veprim mundohet ta bëjë. Si qytet dallohej nga qytetet tjera të Turqisë, dallohej në çdo gjë. Ndërtesa të bukura, arkitekturë e re dhe mjaft perëndimore. Institucione edukativo-arsimore si në gjitha qendrat tjera të mëdha të Turqisë kishte me bollëk, e çka është më kryesorja ishte një numër mjaftë i madh i studentëve shqiptar në ato institucione.
Vizita kryesore dhe përfundimtare e turneut tonë ishte ajo tek Pallati Presidencial i Republikës së Turqisë në Ak Saray. Pallati dukej grandioz e me hapësira të mëdha brenda tij, e ndarë në dhoma të pritjeve, ku secila përfaqësonte një kulturë në vete. Simbolika e parë e kësaj ndërtese është: Turqia po ndryshon; kultura, ekonomia, politika, gjeopolitika dhe mendimi filozofik i tanishëm i Republikës së Turqisë është me synime e duke ruajtur traditën. Pallati përfshin në vete një oborr të madh brenda së cilit ndodhen disa në ndërtesa me shumë zyre dhe një numër të madh të personelit presidencial. Brenda këtij oborri të rregulluar me kujdes gjendet edhe Xhamia e emëruar “Beştepe Millet Camii” (Xhamia e Popullit në Beshtepe). Një Xhami e bukur me kate e disa minaret. Duhet thënë se ndërtimi i këtij kompleksi presidencial kishte tërhequr kritikë të madhe nga opozita në Turqi, porse presidenti Recep Tayyip Erdoğan e kishte prezantuar në hapje si simbolin e Turqisë moderne e të respektuar.
Përfundimisht duhet thënë se ta vizitosh Republikën e Turqisë të duhet kohë për t`i parë si bukurit natyrore e po ashtu edhe mbetjet e historisë. Kur jemi tek kjo e fundit, padyshim përshtypja është se Turqia po e prezanton me kujdesin, respektin dhe nivelin më të lartë historinë e saj. /tesheshi.com/