Nga Bujar M. Hoxha
Shqipëria vërtet mori mbrëmë vetëm një pikë, i cili qe objektivi më minimal para ndeshjes, por fitoi në fushën e fair play-it, pas një sjelljeje shembullore në fushë. Të njëjtën gjë bënë dhe mbështetësit e kuqezinjve, që krejt qytetarisht nuk pushuan për asnjë çast së gjenduri në krah lojtarëve me thirrje inkurajuese.
Ndryshe tyre, danezët, tifozë, lojtarë e drejtues të stolit, se ç’kishin mbrëmë, duke mos reflektuar për asnjë çast qetësi e lojë të ndershme. Spikati në fillim fare Krohn-Dehli, që në dy raste simuloi në mënyrë të paturpshme, duke vazhduar më pas, gjatë gjithë ndeshjes, të mos linte çast pa u qarë tek gjyqtari. Një sërë lojtarësh danezë bënë të njëjtën gjë, herë duke simuluar e herë duke bërë gjeste jo fort sportive.
Publiku danez po ashtu nuk reshti së protestuari, e shpesh e bënte këtë në mënyrën më absurde, për ndërhyrje krejt të pastra apo për pozicione jashtë loje lehtësisht të dallueshme.
Shenjat e një shqiptarofobie të lehtë qenë shfaqur që me vendimin për të mos i lejuar të futen në stadium ata përkrahës të kombëtares së Shqipërisë që ishin jashtë numrit të përcaktuar.
Por më i veçanti, më surprizuesi, qe trajneri danez, Morten Olsen. Në një shpërthim të zhgënjimit të mbledhur për dështimin e radhës, ai pas ndeshjes i lejoi vetes të dalë nga kornizat e asaj për çka është i detyruar të flasë, pra, për aspektet e lojës në fushë, e ta ngrejë zërin për vendimin e CAS-it, duke e kundërshtuar në mënyrë të përsëritur hapur dhënien e tre pikëve Shqipërisë në ndeshjen me Serbinë, për fotot e lojtarëve tanë, e për njeriun që pretendohet ta ketë ngritur dronin në Beograd.
I neveritshëm në reagimin e tij, kushedi me ç’logjikë, Morten Olsen, që në pamje të jashtme të jep përshtypjen e një njeriu babaxhan e që nuk i bën keq asnjë mize, dukej qartë që nuk mundej ta kapërdinte pezmin pas barazimit, duke u kapur pas argumentesh e faktesh që as janë fare punë e tij!
Morten Olsen mund të ketë qenë një lojtar për së mbari, e mund të ketë rekorde në karrierën e tij futbollistike si lojtar e trajner, por mbrëmë u shfaq shumë i vogël, si një plak mistrec që vendin e ka në azil!
Kombëtarja daneze, edhe pse i vuri kuqezinjtë në vështirësi në ca momente të lojës, në cilësi nuk i afrohej aspak Danimarkës të këtu e shumë viteve të shkuara, e për më tepër, seç kishte dhe një bjerrje në sjelljen sportive. Me më të parin mes tyre si shembull, Morten Olsenin, që me frazat fyese ndaj shqiptarëve në fund të ndeshjes është e sigurt se mbeti në klasë, si dhe humbi atë vlerësim që njohësit tanë të futbollit kishin për të! /tesheshi.com/