Një gjest i pazakontë nga ana e kreut të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, e vuri atë në shënjestër të reagimeve të shumta, nga politika e rrjetet sociale, madje më së shumti nga këto të dytat. Duke trajtuar rastin e një 15-vjeçari të goditur nga katër policë, ngjarje e ndodhur dy javë më parë në afërsi të Liqenit Artificial, Veliu tentoi të kujtonte se jo vetëm nga ana e policisë kishte përgjegjësi për atë skenë të dënueshme.
Duke pranuar përgjegjësinë e unformave blu në trajtimin e rastit, Veliu pohoi se kishte tejkalim kompetencash në ushtrimin e dhunës, se për këtë ishte marrë dhe masë pezullimi për policët, porse jo çdo gjë ishte e pafajshme nga ana tjetër. Ai nuk u ndal te reagimi i 15-vjeçarit ndaj policëve, gjë që çoi dhe në humbjen e torruas nga këta të fundit, siç nuk është ndalur as gjykimi i përgjithshëm i opinionit, atij të rrjeteve sociale, por solli si argument faji faktin që nëna e 15-vjeçarit ishte nga ato që luante me pistoletë. Për këtë, ai ofroi një video si provë. Dhe këtu jemi në sferën e gjykimit etik e jo ligjor. Nëna e 15-vjeçarit mundet të mos ketë as një problem me ligjin, mundet që dhe pistoletën ta ketë patur prej lodre, por për të gjithë ata që e avokuan atë, duke sulmuar nga ana tjetër kryepolicin Veliu, do bënin një provë psikologjike duke imagjinuar secili nënën e tyre duke luajtur me pistoletë, qoftë dhe lodër. Nëse iu rezulton normale, duhet të kenë shumë probleme me të qënurit normal.
Por a ka gabuar kryepolic Ardi Veliu? Po, e rëndë madje, pasi edhe në pastë bërë gjënë e duhur, ka gjetur kohën dhe formën e gabuar. Ai do ishte mirë të kish potencuar vetëm reagimin më shumë se rrugaçesk të 15-vjeçarit, në sjellje ndaj njerëzve të ligjit. “Më shumë se rrugaçesk” në këtë rast, është sinjali se ajo gjuhë e tij dhe ai reagim, mund të merren si prova të një delikuenti të së nesërmes, thënë ndryshe, të një potenciali krimi. 15 vjeç e të reagosh ndaj policisë me aq çartje sfiduese, duhet të jesh një rast alarmant për të nesërmen 20 a më shumë vjeç, ku ajo çfarë nxjerr nga goja merr të tjera trajta, akoma me të frikshme. Por ata që iu bënë krah, nga politika e rrjetet sociale, i ranë shkurt e nuk u morrën me këtë pjesë. Eshtë bash ai gjykimi partizan, që nuk e shqetëson drejtësia, e vërteta e një situate, që preferon vetëm leximin e asaj që duket, të pasojës por jo të shkakut.
Sigurisht, është prirje psikologjike që në këtë rast të mos jesh me të fortin – shtetin – por me më të dobëtin – 15-vjeçarin. Por jo gjithnjë ky është një lexim i drejtë. Mjafton të kujtohet se dhe policët janë qënie sociale porsi ne; kanë dhe ata FB e tyre, komentojnë dhe ata në rrjete sociale, janë prindër, të rinj, familjarë, kanë qejfet e hallet e tyre porsi ne, e në finale janë prej nesh; miq, kushërinj, fqinj tanët.
Ata janë gjithashtu një copës shoqërie me lloj-lloj tipologjish brenda, dikush me virtyte e dikush me vese, dikush i edukuar e dikush xhambaz, dikush gojëëmbël e dikush gojëhidhur, dikush i ndershëm e dikush i korruptuar. Por mbi të gjitha, skena si ajo me 15-vjeçarin ndodhin kudo, kanë ndodhur e do ndodhin, pasi pavarësisht shumë konteksteve, janë pashmangshmërisht pjesë e papërsosmërisë njerëzore. Mos harrojmë se ai polici që javë më parë zuri një ndër kriminelët e regjur në kërkim – ngjarja të Xhamlliku – që siç u mësua ishte produkt devocioni profesional, shkoi e plagosi një qytetare, kalimtare rasti, që për fati shpëtoi paq. Në këtë rast, varet se në ç’këndvështrim zgjedh ta shohësh. Edhe te incidenti me 15-vjeçarin, është zgjedhje këndvështrimi, por nëse aty ka prirje për gjykim të drejtë, s’mundet të anashkalosh horrllikun e tij me “gjuhën pistoletë” karshi njerëzve të ligjit. Përfshihet në këtë rast, patjetër që përfshihet si lëndë për gjykim, jo nga drejtues policorë por nga opinionbërës e dhënës në rrjete, edhe pistoleta në dorën e të ëmës. Gjithnjë, edhe nëse ka qenë thjesht një lodër e gjesti i saj një hargalisje. Mjafton të provohet te vetja, me nënën e gjithësecilit prej neve që luan me pistoletë!
Sa për aspektin politik të çështjes, reagimin e opozitës, në SHBA, aty po protestohet frikshëm deri me djegie stacionesh policore, e kjo pas vdekjes së një afro-amerikani nga egërsia e një polici, nuk po ka akuza nga ana e demokratëve të tipit “ja, kjo është policia e Trump-it”.
Kjo, për faktin e thjeshtë se ajo që ka ndodhur nuk është as rasti i parë vështirë të jetë i fundit, e që as dje e as sot, s’ka patur lidhje as me demokratë e as me republikanë. Eshtë thjeshtë çështje njeriu, edhe policie po të doni, e një vendi të ardhuruar si kampion demokracie, ku të gjithë ata që zgjodhën të shohin dhunën e policisë e jo dhunën verbale të një 15-vjeçari, do donin të iknin me Green Card. /tesheshi.com/