Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka inkurajuar drejtuesit e institucioneve vendore që ta formojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por kjo, sipas saj, duhet të bëhet duke respektuar ligjet e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Këto komente Apostolova i ka bërë në një intervistë për gazetën “Zëri”, duke shtuar se për një marrëveshje të tillë janë pajtuar dy palët gjatë bisedimeve në Bruksel.
Diplomatja Apostolova ka shtuar se edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, në Parlamentin e Kosovës ka theksuar se presin që AKS-ja të mos jetë një strukturë paralele, por me këtë do të inkorporohen serbët e Kosovës në institucione dhe kjo do të jetë e dobishme për të gjitha palët.
“Pra, kemi të bëjmë me një situatë ‘Win-Win, porse si do të merret kjo Qeveri me këtë çështje do të jetë shumë e rëndësishme për ne, veprime këto që do t’i monitorojmë gjatë ditëve të ardhshme”, ka deklaruar ajo. /tesheshi.com/