Sokol Havolli, shef i kabinetit të kryeministrit, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka shkruar në lidhje me 70 dosjet, që Lëvizja Vetëvendosje thotë se i ka dërguar në Prokurori për Isa Mustafën, për kohën kur ishte kryetar i Komunës së Prishtinës.
Havolli ka kërkuar nga Prokuroria që të hetojë Shpend Ahmetin, siç thotë ai për korrupsion.
“Çdo ditë prokuroria po sqaron se 70 dosjet e dërguara nga Shpend Ahmeti, nuk përmbajnë elemente penale. Kjo i bie që Shpendi ka bërë atë që di më së miri, mashtrimin.
Tani, prokuroria është mirë të hetojë Shpend Ahmetin për dhënie të lejeve të objekteve, të cilat vet i ka dërguar në prokurori.
Duket se i ka shantazhuar ndërtuesit e atyre ndërtimeve, dhe më pas i ka pajisur me leje. Vetëm korrupsioni e shpjegon këtë sjellje të Shpendit, e cila po ashtu, është shkelje e ligjit”, ka shkruar Havolli. /tesheshi.com/