SHBA kundërshton përpjekjet për të barazuar vdekjen e rreshterit të policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, i cili u vra në një sulm nga një grup i armatosur serb në veri të Kosovës, me vdekjen e sulmuesit, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Matthew Miller.
I pyetur se si i sheh Uashingtoni sulmuesit në fshatin Banjska, Miller tha se SHBA-ja ishte “shumë e qartë” në qëndrimin e saj “që dënon fuqishëm sulmet e koordinuara dhe të dhunshme ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator”.
“Ne i shprehim ngushëllimet tona familjes së rreshterit të policisë së Kosovës i cili u vra në krye të detyrës. Përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent. Hetimi është duke vazhduar”, tha Miller.
E enjtja ishte ditë zie në Serbi për vdekjen e tre serbëve të vrarë në shkëmbimin e zjarrit me policinë e Kosovës në Banjskë. Kjo, pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku.
Ky vendim i Beogradit u dënua edhe nga BE, zëdhënësi i së cilës Peter Stano tha se Unioni “është kundër glorifikimit dhe vajtimit të kriminelëve dhe terroristëve” dhe se “sulmuesit nuk duhet të barazohen kurrë me viktimat”.
Por jo vetëm kaq. SHBA i ka lëshuar një ultimatum të fortë Beogradit, duke i kërkuar që të tërheqë menjëherë trupat e saj ushtarake nga kufiri me Kosovën.
“Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby.
Kirby tha se “madhësia” e trupave të grumbulluara është destabilzuese.
Ai shtoi më tej se gjatë bisedës që Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi më herët gjatë ditës me presidentin Vuçiç, ka kërkuar që Serbia të ulë tensionet.
Kirby tha se incidentet e dhunshme, sikurse ai i majit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe ai në Banjskë, paraqesin rrezik jo vetëm për personelin e sigurisë së Kosovës, por edhe të NATO-s. /tesheshi.com/