“Air Albania Stadium” e ka nisur me humbje historinë e tij, diçka parashikueshme duke qenë se përballja e kuqezinjve do qe me Francën, e kjo në një periudhë jo fort të mirë për kombëtaren shqiptare. Kanë qenë dy gola të shënuar nga “gjelat” që në pjesën e parë, lehtësisht, përballë shqipeve anemike, që as stadiumi i ri e as entuziazmi i tifozerisë, nuk i motivuan dot së paku për një lojë dinjitoze, e cila nuk u shfaq në asnjë rast. Kjo bëri që loja e francezëve të ngjante me një seancë stërvitore.
Fat qe që i njëjti rezultat mbeti i pandryshuar dhe në pjesën e dytë, ku duhet thënë se dy ekipet patën raste të pastra, ku u veçua një shtyllë e Giroud në portën bosh të Berishës.
Ndërkohë, 90 minutëshi në stadiumin e ri përcolli dhe kontekstet e nxehta politike, ku u dëgjuan thirrje në korr “Rama ik”, me këtë të fundit në tribunë.
Nga ana tjetër, në Prishtinë, kombëtarja kosovare u shfaq e demotivuar pas humbjes me Çekinë dhe u dorëzua me katër gola përballë anglezëve. /tesheshi.com/