Kapiteni i përfaqsueses spanjolle, Sergio Ramos, u bë mbajtësi i rekordit për numrin e paraqitjeve në fanellën e “Red Fury” mbrëmë në raundin e shtatë për eliminatoret e Evropianit 2020.
Ramos regjistroi paraqitjen e tij të 168-të për Kombëtaren spanjolle në një barazim (1: 1) në Oslo, duke ia kaluar kështu portierit Iker Casillas.
“Gjithçka që është personale për mua është sekondare. Me kënaqësi do ta ndërroja këtë paraqitje të 168-të me një fitore, por nuk ishte kështu. Sidoqoftë, ky rekord është një shpërblim i shkëlqyeshëm pas kaq shumë vitesh. Sa herë që e vesh këtë fanellë, pushtohem nga emocionet. Kjo nuk do të ndryshojë dhe shpresoj ta bëj këtë edhe për shumë vite të tjera”, tha Ramos pas lojës.
Spanja është e para në grupin F me 19 pikë. Të martën, ajo luan kundër Suedisë, dhe një pikë është e mjaftueshme për t’u kualifikuar në EURO 2020. /tesheshi.com/