Ivica Daçiç e falënderoi Abdullah bin Zayed për mbështetjen e Emiratit në përpjekjet e Serbisë në zbatimin e reformave ekonomike.
Serbia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan në Nju Jork marrëveshjen për heqjen reciproke të vizave për udhëtime midis dy vendeve.
Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç dhe Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed.
Të dy ministrat gjithashtu ranë dakord mbi fillimin e përgatitjes së një marrëveshjeje të partneritetit strategjik dhe takimeve të rregullta reciproke, u tha në deklaratë.
Në bisedën mes tyre ata konfirmuan dhe miqësinë reciproke midis dy vendeve.
Daçiç falënderoi homologun e tij arab për mbështetjen e vazhdueshme të Emirateve për ekonominë serbe.
Bin Zayed theksoi se aktiviteti ekonomik ndërshtetëror është në rrugën e rritjes dhe se priten investime të reja. /tesheshi.com/