Nga redaksia
Njihet “vëllazëria” shqiptaro-serbe kur është fjala për “xhepin”, interesin për paranë. Kështu po ndodh dhe në rastin e kontrabandës së mallrave të tipit “me letra” që po ndodh në doganat e Kosovës, që më së shumti dëmton buxhetin e këtij shteti, pasi dihet që të ardhurat bazë janë nga doganat.
Kjo, me përkrahjen e institucioneve qendrore të Kosovës, Beogradit pa dyshim, si dhe të zyrtarëve të EULEX-it.
Konfirmohet ky fakt nga një burim konfidencial i portalit ‘tesheshi.com’.
Burimi që informon me kusht të anonimitetit, thotë njerëz të fuqishëm të këtyre dy vendeve janë të përfshirë në këtë kontrabandë, që me gjuhë juridike renditet tek aktet e rënda kriminale në dëm të shtetit.
Në konkretisht, burimi saktëson se ndërmarrjet serbe të përfshira në këtë valë kontrabande janë: ‘Premia’, ‘Stela’ dhe ‘Rekiq’ nga qyteti i Novi Pazarit; kompania ‘Jaz’ nga qyteti i Rashkës; si dhe kompania ‘Trnava’ nga qyteti i Kragujevcit të Serbisë.
Këto kompani tregtojnë-kontrabandojnë me letra mallra si: kryesisht pije alkoolike, të gazuara dhe jo-alkoolike, por edhe mallra ushqimore.
“Një kamion me birra pa rimorkio, kushton diku rreth 5 mijë euro. E nëse kamionit i bëhen letrat, kompania që eksporton në Kosovë, lirohet nga akciza 25 % si dhe nga TVSH-ja 4 % nga shteti i Serbisë”, ka thënë burimi i portalit ‘tesheshi.com’, që vijon të informojë në shifra:
“Në një kamionin me mall që kushton 5 mijë euro, kompanitë fitojnë ose zhvatin rreth 1500 euro. Dhe këtu nis ndarja e parave mes palëve: nga kjo shumë, pra 1500 euro, doganierët serbë që janë të vendosur në terminalin doganor në Rashkë apo në Novi Pazar, marrin 15 %, e 15 % të tjera ndahen mes firmave serbe dhe shqiptare simotra (veri-jug) që janë në Kosovë.
“Doganieri serb që vërteton dokumentet se malli ka kaluar në Kosovë, prapë merr 15 % të shumës, ndërsa 35 % i merr doganieri i Kosovës që vërteton letrat se malli ka hyrë në territorin e Kosovës”, ka thënë burimi.
Por nuk përfundon me kaq, pasi sipas tij, në këtë lloj pazari janë të përfshirë edhe monitoruesit e EULEX-it, doganierët e huaj që monitorojnë punën e kosovarëve, që vetëm për mbyllje të syve marrin 20 % të shumës.
“Pas vërtetimit të dokumenteve, një pjesë e dokumentacionit kthehet në Serbi, dhe me këtë kompania që eksporton mallin nga Serbia në Kosovë lirohet nga akciza dhe TVSh-ja, e dokumentacioni që duhet të vërtetohet nga doganat e Kosovës, zhduket”, thotë burimi.
Kjo e dëmton rëndë buxhetin e Kosovës ndërsa të fituar janë doganierët, kontrabanduesit, si dhe kriminelët që janë të implikuar në këtë kontrabande me letra, ku nuk mbesin pas as zyrtarët e EULEX-it.
Sipas statistikave, Serbia në Kosovë brenda vitit eksporton 400 milion euro mallra të ndryshme; 1.5 % e kësaj shume është rreth 80 milion euro, e nga ky 80 milionësh, 20 milion shkojnë direkt në xhepat e kriminelëve dhe kontrabandistëve serbë e shqiptarë bashkë.
Dhe sipas burimit, kjo lloj kontrabande me letra nuk bëhet vetëm në dy pikat kufitare në G1 në Jarinje të Leposaviqit dhe G31 në Bërnjak të Zubin Potokut, por edhe në të gjitha pikat doganore që Serbia ka me Kosovën, pra edhe në Merdare, tek Dheu i Bardhë etj.
Në kontrabandë janë të përfshirë edhe disa kompani të Kosovës, e që dyshohet se përveç kontrabandimit bëjnë edhe shpëlarjen e parave për kompanitë e Serbisë.
Dhe burimi citon këto kompani si të dyshuara: ‘ELKOS’, ‘Meridian’, ‘Gllareve’, ‘Buqaj’ etj”.
Për sqarim të lexuesve, kompanitë kosovare të sipërcituara importojnë pije alkoolike e jo-alkoolike të prodhuesve të ndryshëm, e sidomos nga vendet e BE-së, por që njëkohësisht kanë edhe prodhim në Serbi.
“Në këtë rast, doganat e Kosovës dyshohet se me urdhër të zyrtarëve të lartë favorizojnë këto kompani duke përshkruar mallin si vend të origjinës Serbinë, ndërsa malli ka si vend origjine Austrinë”, ka thënë burimi, që vijon të sqarojë se: “në vend se një kompani e Kosovës të paguajë 10 % tatim që malli hyn nga Serbia në Kosovë dhe 10 % tatim për origjinë të mallit, që në këtë rast është Austria, pra 20 %, ajo paguan vetëm 10 % pasi që në letra shkruan se importon nga Serbia dhe se vendi i origjinës së mallit nuk shkruhet fare.
Në një rast që ka ndodhur kohë më parë, një doganier i ri në pikën kufitare G 1 në Jarinje të Leposaviqit, duke parë këtë keqpërdorim ka reaguar duke ndaluar një kamion me lëngje frutash që mbushet në Serbi, ndërsa vendin e origjinës e kishte në Austri.
Doganieri për këtë veprim është pezulluar nga puna për një muaj dhe pas kësaj është transferuar në pikën kufitare të Merdarës, ndërsa kompania që ka importuar këto lëngje në vend që të dënohet me 20 mijë euro gjobë sipas ligjit në fuqi, është dënuar vetëm me 2500 euro, me arsyetim se kanë gabuar në shkresat e mallit”.
Dhe siç u cek më sipër, dyshohet se kompanitë kosovare përveç kësaj janë duke bërë edhe shpëlarjen e parave për kompanitë më të fuqishme të Serbisë.
Burimi thotë se për këtë flet fakti që prodhimet e kompanive serbe si ‘Bambi’, ‘$ionir’, ‘Ravanica’ etj., janë më të lira në çmim në pjesën jugore të Mitrovicës dhe Kosovës se në pjesën veriore, ku kompanitë dhe dyqanet serbe importojë mall nga Serbia, pa paguar asnjë taksë ndaj shtetit të Kosovës. /tesheshi.com/