Nga Donat Maloku
Me shumë se 30 minuta vonesë ka nisur seanca për Gjykatën Speciale. Në nisje të saj, kanë filluar edhe pakënaqësitë e partive opozitare “Vetëvendosje”, AAK dhe Nisma për Kosovën me mënyrën se si ka nisur dhe si po zhvillohet seanca.
Prania e madhe e forcave të Njësisë Speciale ka shqetësuar tej mase deputetët opozitarë të cilët kanë kërkuar sqarim nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca i tha kryeparlamentarit Veseli se çfarë seance po mbahet nën shantazh dhe frikë, duke thënë se po vdes demokracia në tempullin e saj.
“Çfarë seancë po mbajme ne. Pse vetëm në këto momente jepni urdhëra poltik për me u zhvillu seancë nën shantazh dhe frikë për deputetin e Kuvendit i cili duhet të vendos vetë. Ju duhet të sjellni shembullin e paraardhësit tuaj Jakup Krasniqi, i cili i dha urdhër Njësisë Speciale të largohet nga Kuvendi. Një institucion që i mban seancat nën masat policore në këtë vend ka vdekur demokraci”, tha Konjufca.
Kryeparlamentari Kadri Veseli, mohoi të ketë policë brenda ambienteve të Kuvendit, duke thënë se për më tepër ministi i Brendshëm Skënder Hyseni duhet të flas, por ky i fundit nuk e foli asnjë fjalë.
“Policë në ndërtesën e Kuvendit nuk ka. Ne nuk urdhërojmë organet e policisë. Kemi edhe ministrin e Brendshëm këtu. Deputetët mund ti mbrojë vetëm populli. Në ndërtesën e Kuvendit nuk ka police përveç atyre të zakonshëm që janë çdo herë. Ja ku e kemi edhe ministrin e Brendshëm. Forca shtesë nuk ka në Kuvend. Oborrin nuk e udhëzoj unë o Ramush Haradinaj”, tha Veseli derisa, nga vendi i tij fliste deputeti i AAK-së Ramush Haradinaj.
Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi nga AAK tha se sot Kosova është shtet Sovran, i pavarur dhe demokratik dhe ndryshimet kushtetuese po tentohen t`i bëjnë nën tytat e pushkave.
“Është e padrejtë dhe e pararsyeshme dhe kjo i ka ndodh Kosovës nën këtë regjim”, tha Kadaj-Bujupi.
Kurse, deputetja e Nismës për Kosovën, Valdete Bajramiu, tha se duhet të largohet Njësia Speciale nga oborri i Kuvendit. “Kjo është dhunë psikologjike ndaj nesh”, tha ajo.
Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, njëherit deputet, tha se Njësia Speciale sot është pozicionuar para Kuvendit me paisje komplete si të ishte dërguar në luftë. “Unë jam deputet s’du me i pa. Nuk mundesh me thanë s’janë policët në ambientet e Kuvendit. Dilni shihni, s’ke ku parkohesh prej tyre”, i tha Haradinaj, kryekuvendarit Veseli.
Pas, këtyre vërejtjeve të opozitës, Kadri Veseli kërkoi publikisht të largohen forcat policore nga Kuvendi, duke thënë se në Paralament janë të zgjedhurit e popullit.
Ndryshe, kryeministri i vendit, Isa Mustafa u kërkoi deputetëve të votojnë Gjykatën Speciale. /tesheshi.com/