Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, deputeti më i vjetër Adem Mikullovci, ka caktuar vazhdimin e seancës konstituive nw datën 10 gusht, ora 10:00.
Në agjendën e punimeve, është vetëm një pikë, sipas dokumentit: “zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve të Kuvendit”.
Ndaj thirrjes së seancës ka reaguar zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj, i cili ka thënë se nuk mund të thirret seanca pa u zhvilluar një takim konsultativ me partitë e tjera.
“Qëndrim i PAN-it dhe i AAK-së është se Adem Mikullovci nuk mund të thërrasë vazhdim të seancës, pa përfunduar konsultimet me forcat politike”, ka thënë Nitaj për mediat.
Ky veprim i Mikullovcit vjen pas caktimit të një takimi konsultativ me partitë politike që është paralajmëruar për të mërkurën.
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë me dije se nuk do të marrë pjesë në këtë takim derisa PAN është koalicioni që kërkon me këmbëngulje një marrëveshje mes partive se kur duhet të thirret seance e radhës. /tesheshi.com/