Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e dytë ndërministror mes Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, i cili u mbajt në Selanik.
Ministri Bushati e vlerësoi këtë takim si të rëndësishëm për të forcuar e thelluar më tej marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit.
“Vendet tona kanë përballuar disa momente të vështira në fushën e sigurisë, luftës kundër trafiqeve të paligjshme dhe ekstremizmit të dhunshëm. Në këtë moment po skicojmë disa fusha për të shtyrë me tej bashkëpunimin, që shpresojmë do na ndihmojë në procesin e integrimit si Shqipërinë, ashtu edhe Maqedoninë”, theksoi ministri Bushati.
Në këtë takim u diskutua mbi implikimet strategjike të situatës dhe sfidave aktuale të sigurisë në rajonin tonë, nevojën për të adresuar kushtet e reja politiko-ekonomike, adresimin e sfidave të përbashkëta, si dhe çështjet të cilat lidhen me sektorin e energjetikës. /tesheshi.com/