Nga Bardha Nergjoni
Është shembulli tipik i metodistit, mësuesit dhe një dashamirësi të arsimit. Ka mbi 50 vjet që ka lidhur të përditshmen e tij me shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri”, e cila është edhe shkolla më e vjetër shqipe zyrtare në Elbasan. Jetën e tij Sami Domni e ka gërshetuar pazgjidhshmërisht me muzeun e kësaj shkolle. Samiun e njohin të gjithë si njeriu i muzeve të arsimit, pasi gjatë gjithë jetës së tij punoi për të ndërtuar dhe pasuruar muze. Edhe sot që i ka kaluar të 70-at, çdo ditë kujdeset për muzeun që është kthyer në një model për të gjitha shkollat brenda dhe përtej kufinjve shtetërorë. Babai i tij kishte dëshiruar që të bëhej mjek, por Samiu për shkak të fatit dhe rrethanave ndoqi tjetër rrugë dhe e shqua duke realizuar gjëra që pak kush mund t’i bëjë me aq pasion dhe përkushtim.
Si mësues vizatimi, ai filloi të ndërtonte shumë modele në shërbim të arsimit duke formuar edhe të parin muze arsimor në vend pas atij të Shkollës Normale, për të cilin u kujdes për shumë vite vëllai i tij. Ruajtjen sistematike dhe koleksionimin, dy vëllezërit Domni e trashëguan nga i ati dhe vazhduan në këtë rrugë deri sot. Samiu është edhe një mësues shembullor. Me rastin e 100-vjetorit të shkollës së parë shqipe në Korçë, ai do të merrte titullin “Mësues i Merituar”, titull që e kanë marrë pak mësues në Shqipëri. Samiu numëron shumë nxënës të famshëm dy prej të cilëve shkencëtarë që kanë bërë emër në Greqi dhe Amerikë. Mësuesi që ka kaluar 50 vjet të jetës së tij në ambientet e shkollës “Naim Frashëri” tregon se merita është e kësaj shkolle me traditë të vyer që nër vite ka nxjerrë shumë emra shkencëtarësh e gjuhëtarësh.
Në një bisedë për jetën e tij, Sami Domni tregon pasionin për arsimin dhe sidomos muzetë.
Si u formësua dëshira juaj për të ndërtuar muze?
Shkollën fillore për të vazhduar deri në klasën e shtatë e kam përfunduar shkollën “Naim Frashëri”. Në Elbasan nuk kishte ende gjimnaz në atë kohë, po vetëm Shkollë Normale. Dy vëllezërit e mi kishin mbaruar Normalen dhe babai mendoi që unë të vazhdoja shkollë të mesme të përgjithshme. Kishte dëshirë të bëhesha mjek. Ne jemi shkodranë me origjinë dhe babai vendosi të më dërgojë në Shkodër në gjimnazin “28 Nëntori”. Mbarova gjimnazin me të gjitha pesa dhe vetëm një 4. Kërkesa për studim ishte për Mjekësi por përgjigja ishte për Bujqësi. Kur u interesuam, shefi i Arsimit tha se ishim familje tregtarësh dhe nuk e meritonim se i kishim pirë gjakun popullit. Por vëllai im kishte dalë partizan dhe nëse do të humbte jetën në luftë do të ishim familje dëshmori. Ne ishim ndër të paktat familje që strehuam hebrenj në kohë të vështira. E megjithatë ajo e drejtë nuk doli kurrë.
Në këtë kohë filluat punë si mësues?
Në atë kohë gjimnazi ishte i mjaftueshëm për t’u bërë mësues dhe u emërova në Mollas ku qëndrova gati 7 vjet. Kanë qenë vite shumë të vështira. Kalonim përmes lumit pasi ura ishte ende e pandërtuar. Pas 7 vjetësh u spostova në ndërmarrjen e artizanatit ku qëndova për gati 7 vjet në repartin e pikturës. Më parë në të njëjtën ndërmarrje kishte punuar im vëlla që më pas ishte mësues në Shkollën Normale për Punën e Dorës. Më jepej mjaft për punimet grafike. Në repartin e artizanatit kishte nga të gjithë zanatet ku bëheshin të gjitha zbukurimet, sidomos për festa. Në vitet ’72-‘73 pati një aksion i ministrisë së Arsimit të asaj kohe për kabinetet mësimore.
Drejtori i shkollës “Naim Frashëri”, Abdyl Paralloi i thotë dy nëndrejtorëve të gjejnë një mësues të mirë vizatimi për të realizuar kabinetin e vizatiit. Një prej tyre i thotë për mua dhe kështu filloj punë në shkollën “Naim Frashëri”. Duke punuar në artizanat dhe me eksperiencën e vëllait tim kisha mësuar realizimin e figuracioneve apo shkronjave me materiale të ndryshme. Me këtë eksperiencë realizova disa stenda dhe punime të ndryshme në shkollën ku punoja. Prej këtyre punimeve, në shkollën “Naim Frashëri” filluan të vijnë grupe arsimtarësh për përvojë edhe për të mësuar.
Si lindi idea për të ndërtuar një muze në këtë shkollë?
Në kohën kur punoja si mësues koleksionoja dhe grumbulloja materiale, si dhe kisha ndërtuar edhe një historik të shkurtër të shkollës. Një vit para festimit të 70-vjetorit të shkollës, më bie në dorë një historik i shkurtër. I them drejtoreshës së shkollës për të realizuar një aktivitet dhe po kështu ndërtimin e një muzeu. Duheshin marrë lejet dhe duhet të përgatiteshim për një përvjetor të rëndësishëm pasi deri atëherë nuk ishte festuar asnjë përvjetor i shkollës. Të gjithë mësuesit u angazhuan për përgatitjet. Mbaj mend që lejen për të ndërtuar një muze dhe ceremoninë e përvjetorit e ka dhënë Stefan Bebi, që në atë kohë ishte shef i seksionit të Arsimit, por që më vonë do të vinte drejtor në shkollën tonë.
Çelet muzeu bëhet një aktivitet shumë i madh me pjesmarrjen e personaliteteve të rëndësishme edhe nga Ministria e Arsimit e asaj kohe. Muzeu nga viti 1978 ka ardhur duke u pasuruar vit pas viti.
Megjithëse jeni marrë me muzetë, ju nuk e latë mënjanë edhe vizatimin?
Në muzeun e shkollës janë të ruajtura edhe 460 vizatime të nxënësve në vite. Gjithmonë kam dashur të ketë një grup të organizuar vizatuesish dhe çdo vit veçohen talente nga klasa të ndryshme. Aktualisht kemi një grup vizatuesish pranë muzeut. Ndër aktivitetet që organizojmë është edhe pjesmarrja me punimet e nxënësve nga anëtarësimi në një galeri të njohur në New York. Një ish nxënëse e shkollës, Armela Dino, është bërë shkak për këtë lidhje që vazhdon.
Fotografia është një pjesë e rëndësishme e muzeut të shkollës?
Muzeu ka një fond të pasur me fotografi. Ne gjithashtu kemi pasur fotografë të vjetër që gjithmonë ndërsa realizonin fotot bënin edhe një kopje për muzeun. Po kështu kemi të ruajtur negativët e të gjitha fotografive. Fotografët Ibrahim Topi e Shyqyri Koburja kanë qenë gjithmonë pranë shkollës duke pasuruar edhe më tepër muzeun. Ruajmë fotografi të vjetra nga nxënësit e parë e deri sot. Tradita e fotografive të nxënësve të shkollës vazhdon të bëhet pjesë e fondit të muzeut.
Ju keni kaluar 50 vite të jetës suaj në ambientet e kësaj shkolle?
Tashmë kanë kaluar 50 vjet. Në të njëjtën shkollë kam bërë arsimin 7-vjeçar dhe kam mbushur 43 vjet si mësues dhe si përgjegjës i muzeut. Më shumë se gjysmën e jetës e kam kaluar në këto ambjente.
Ju jeni ndërtuar edhe me titullin “Mësues i Merituar” në një datë të shënuar…
7 marsi 1987 me rastin e 100-vjetorit të shkollës së parë shqipe, është një datë e shënuar për karrierën time si mësues. Ministër i Arsimit në atë kohë ka qenë Skënder Gjinushi. Vetëm pak kohë përpara ne kishim festuar 80-vjetorin e shkollës dhe në aktivitetin e organizuar me këtë rast kishte qenë në shkollën tonë dhe i kishte bërë shumë përshtypje gjithçka e organizuar në atë kohë. Nga Elbasani u dërguan 12 emra mësuesish të shquar për nderimin me rastin e 100-vjetorit të shkollës së parë shqipe. Ndërsa seleksionoheshin mësuesit, më vonë mora vesh që emri im ishte fiksuar në kujtesën e ministrit Gjinushi. Titullin e kam marrë titullin në atë kohë nga Ramiz Alia. Tre mësues nga Elbasaniu vlerësuan me këtë titull.
Shkolla “Naim Frashëri” njihet edhe si shkolla e shkencëtarëve. Pse?
Kjo shkollë ka një traditë të pasur në përgatitjen shkencore të nxënësve dhe talenteve. Do të veçoja emra të shquar të shkencës që kanë mësuar në këto banga si Klejda Bega, e doktoruar në fizikë bërthamore, ka punuar në NASA ndërsa tani është pedagoge tek Kolumbia University, një ndër universitetet më të mira në botë. Po kështu Hipokrat Muçi, i diplomuar për informatikë shkencore në Greqi, Kastriot Spahiu, përgjegjës në laboratorin kimik mbretëror në Suedi, Shaban Baxhaku matematicien, Mehmet Çeliku, Shyqyri Demiri, e shumë e shumë të tjerë që kanë bërë emër në të gjitha shkencat.
Ju jeni kujdesur gjithashtu edhe për ndërtimin dhe pasurimin e muzeve të shkollave të tjera…
Po më kanë kërkuar ndihmë dhe nuk jam kursyer për çdo shkollë që ka dashur të realizojë një muze. Madje po ju tregoj një ngjarje lidhur me këtë gjë. Në si shkollë jemi binjakëzuar me një shkollë në Gjilan të Kosovës. Nxënësit e kësaj shkolle kanë qenë në shkollën “Naim Frashëri” ku janë njohur nga afër me muzeun. Një grup prej tyre filmuan e fotografuan gjithçka në muzeun e shkollës sonë. Gati një vit më pas na ftojnë një aktivitet në Gjilan. Kur hyra në muze, u habita pasi ishte identik me muzeun e shkollës sime. Kryetari i komunës më bëri qytetar nderi i Gjilanit për kontributin për muzeun e shkollës. Kam orientuar dhe kam modeluar muzen bashkë me nxënësit e shkollës “Dhaskal Todri”. Po kështu me rastin e 100-vjetorit të institucionit arsimor kam kontribuar për historikun që daton qysh nga viti 1913.
Angazhime dhe botime
Për shumë vite ka qënë anëtar i Kolegjumit të revistës së njohur ”Pionieri”. Ndërsa kohët e fundit ka shërbyer si redaktor i gazetës arsimore ”Përvojë”; gazetë rajonale, arsimore, metodike, kulturore. Është autor i programit mësimor të lëndës së vizatimit, klasa V – VIII, i ngarkuar nga ana e Ministrisë së Arsimit në vitin 1993. Gjatë viteve 1994-2004, drejton shoqatën kombëtare ”Miq të fëmijëve të talentuar”, dega Elbasan. Më 2008, ka krijuar ”Galeri Arti” në shkollën e tij ”N. Frashëri”, e para e këtij lloji në vendin tonë, me rreth 400 krijime në vizatim e pikturë të nxënësve të shkollës” ndër vite (1973-2012). Është pjesë në bordin e Galerisë ndërkombëtare të piktorëve të vegjël ”Jardin Galerie” në Neë York, ku nxënësit e tij marrin pjesë rregullisht në ekspozita.
-1982, Broshura metodike “Atyre, që për Lirinë dhanë rininë”.
-1984, Metodika e Vizatimit, për klasën V – VIII.
-1986, Albumi historik ”40-vjetori i kampit të pionierëve ”Q. Stafa” Durrës
- Albumi historik ”80-vjetori i shkollës ”Naim Frashëri” në Elbasan”.
- Libri -”Pasaporta” e shkollës”- (libër dokumentar, përshkrues e metodik për historikun e shkollës “Naim Frashëri” në Elbasan.
- Libri – Album tregues ”Mirënjohje. Për mësuesit e nderuar të qytetit tim”. botim me rastin e 100-vjetorit të shkollës ”Normale”.
Ka botuar 186 shkrime me karakter informativ, metodik, studimor dhe përgjithësues në organet e shtypit: ”Mësuesi”, ”Revista Pedagogjike”, ”Historia e Arsimit”, ”Pionieri”, ”Horizonti”, ”Fatosi”, ”Bashkimi”, ”Shqiptarja e Re”, ”Shkumbini”, ”Fjala e Lirë”, ”Intelektuali”, ”Elbasani”. /tesheshi.com/