Buxhetet më të larta ushtarake të vendeve evropiane dhe rritja e prodhimit në industrinë e pajisjeve ushtarake janë të nevojshme për të siguruar Evropën, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte në një intervistë për një gazetë gjermane.
“Ne do të duhet të shpenzojmë më shumë për të mbrojtur veten”, tha Rutte për gazetën gjermane Welt am Sonntag.
“Por ne gjithashtu duhet të rrisim me shpejtësi prodhimin tonë të mbrojtjes në të dy anët e Atlantikut… ne kemi prodhuar shumë pak për një kohë të gjatë”, shtoi ai.
Duhen municione, anije, tanke, aeroplanë, por edhe satelitë dhe dronë, theksoi Rutte, transmeton Reuters.
Dyshime për angazhimin e SHBA-së ndaj aleatëve evropianë
Vendet evropiane duan të rrisin shpenzimet e mbrojtjes dhe të ruajnë mbështetjen për Ukrainën pasi Presidenti i SHBA Donald Trump ngriu ndihmën ushtarake amerikane për Kievin dhe ngriti dyshime për angazhimin e Uashingtonit ndaj aleatëve evropianë.
Parlamenti gjerman do të debatojë ndryshime të rëndësishme në rregullat e huamarrjes së qeverisë për financimin e mbrojtjes, së bashku me një fond infrastrukturor prej 500 miliardë eurosh, nga 13 marsi, me qëllim miratimin e masave përpara formimit të parlamentit të ri më 25 mars, thanë burimet.
Udhëheqësit e BE-së u takuan të enjten për të mbështetur kreditë e përbashkëta të mbrojtjes për vendet anëtare dhe për të lejuar shpenzimet e mbrojtjes jashtë rregullave të rrepta buxhetore për sektorë të tjerë.
Rutte tha se ai ishte takuar me shumë drejtues të kompanive të pajisjeve ushtarake dhe u kërkoi atyre t’i përgjigjen kërkesës në rritje.