Nga Vepror Hasani
Rrëfyesi i kësaj historie, Myteveliu XVI dhe i fundit i Korçës nuk jeton më. Intervistimi i tij u bë pak kohë më parë se të ndahej nga jeta. Ndiqni rrëfimin, keni për të mësuar shumë nga peripecitë e jetës së tij.
Rrëfimi:
“Në vitin 1504-1505, Iljaz bej Mirahori, themeluesi i qytetit të Korçës, e shpalli Korçën vakëf, qytet pa taksa. (Personi që kujdeset për Vakëfin merr emrin Myteveli. Ai administron të ardhurat që sigurohen nga Vakëfi, të cilat shpenzohen për zhvillimin e qytetit, urbanizimin, spitalin dhe për familjet e varfëra. Ushqimi për këta të fundit jepet falas). Myteveli i parë i Korçës u bë vetë Iljaz bej Mirahori, themeluesi i qyteti të Korçës. Pas vdekjes së tij, drejtimin e Vakëfit e mori i biri, Sefer Shah Beu. Kështu vazhdoi për pesëmbëdhjet breza me radhë. Myteveliu XV i Korçës deri në vitin 1934, kur shteti shlyeu edhe detyrimet e fundme financiare ndaj Vakëfit, shërbeu Hysen Myteveliu, babai im, pasardhës i Mirahorit, nisi kështu rrëfimin e tij, Rustem Myteveliu, (myteveliu XVI) ose i fundit i Korçës.
II
Më 14 mars 1930, në lagjen “28 Nëntori” të qytetit të Korçës, në shtëpinë që mbante nr. 14, u linda unë, vijon të na tregojë më tej Rustem Myteveliu. Kjo lagje në fillesat e veta mbante emrin “Blloku i Imaretit”. (Imareti ishte qendra sociale për të varfërit, përfshi edhe spitalin). Prindërit më dhanë emrin e gjyshit tim.Unë do të isha myteveliu i XVI i qyteti të Korçës, kurse gjyshi im Rustem Myteveliu, kishte qenë myteveliu i XIV. Në këtë lagje kalova fëmijërinë time. Familja ime përbëhej nga gjyshi Rustemi, (i vjetri), gjyshja Gjylistani, babai Hyseni, nëna Jalldezi, nga dy motrat Endera ( e lindur më 1925), Floresha (1928) dhe nga vëllai i vogël, Myslim Myteveliu (1933). Privilegji për të qenë myteveliu i ardhshëm i Korçës më takoi mua sepse isha djali i madh i myteveliut në detyrë. Ky ishte rregulli: myteveli bëhej gjithnjë djali i madh i myteveliut në fuqi. Për myteveliun pasardhës tregohej kujdes i jashtëzakonshëm që nga dita e parë e lindjes së tij për shkollimin, kulturën, financat, administrimin, historinë, letërsinë etj, pasi qyteti do të ishte në duart e tij.
III
Më caktuan dy shërbëtore, rrëfen Myteveliu, Velianën dhe Tushen. Ato ishin shumë të dashura me mua. Ishin rritur jetime. Edhe unë i doja ato. Familja ime i trajtonte me shumë dashuri. Gjyshja ime, Gjylistani, tregonte dhembsuri të veçantë sepse edhe ajo vetë ishte rritur jetime. Gjylistani ishte kushërira e parë e vëllezërve Frashëri; Abdylit, Samiut, Naimit. Ata u kujdesën për martesën dhe pajën e saj. Edhe nëna ime, Jalldezi, nga Frashërllinjtë rridhte. Në vitin 1924 kishte ardhur nuse nga Elasona e Greqisë, ishte bijë e Istref Aqifit nga Leskoviku; merrej me kultivimin, përpunimin dhe shitjen e duanit. Pema gjenealogjike e Frashërllinjve fillon me Iljaz bej Mirahorin. Viktor Gjika në revistën “Nëntori” 12/1893 shkruan: “Emin Erera, nipi i Sami Frashërit ka qenë dy herë në Shqipëri, ka shkuar edhe në Frashër, ku ka ndihmuar për restaurimin e shtëpisë së vëllezërve Frashëri. Me interes ishte skema e plotë gjenealogjike e Frashërllinjve të mëdhenj. Ajo fillon që në shekullin XV me Iljaz bej Mirahorin, stërgjyshin e nënës së tyre. Të vjen keq që kjo pemë e shëndoshë mbyllet me Emin Ererën, që s’ka fëmijë”.. Megjithatë dega e nënës së patriotëve të mëdhenj vazhdon në Shqipëri me Mytevelinjtë e Korçës. Pema gjenealogjike e Mytevelinjve fillon që nga viti 1408 me lindjen e Iljaz bej Mirahorit dhe vazhdon deri në ditët e sotme, që do të thotë një pemë 600 – vjeçare.
Për myteveliun që vinte në jetë, shkollimi ishte një nga kërkesat e para që duhej të përmbushte me sukses. Kur u bëra 4 vjeç, gjatë viteve 1934-1936, dy motrat e mia, Endera dhe Floresha, më çonin çdo mëngjes te kopështi prapa kishës së “Shën Gjergjit”. Motrat vazhdonin të më shihnin si myteveliun e ardhshëm të Korçës. Gjyshja Gjylistani më mësonte përmendësh vjershat e Naimit: “Lulet e Verës”, “Bagëti e Bujqësi”, “Historinë e Skënderbeut” dhe vjersha të tjera. Në mbrëmje më tregonte për historinë e Shqipërisë. Për Iljaz bej Mirahorin, themeluesin e qytetit të Korçës më fliste me shumë respekt. Kur mbusha 7 vjeç më regjistruan te shkolla e lagjes tonë, te “Lagjja e Lumit”. Mësuesi Isuf Gjata interesohej për mbarëvajtjen time në mësime. Edhe shumë njerëz të tjerë më shinin si myteveliun e Korçës, pavarësisht se që nga viti 1934 vakëfet nuk njiheshin më. Më pas, kur isha 11 vjeç, në vitin 1941, kalova në shkollën fillore nr 2, e cila gjendej te “Ura e Safetit”, përballë me Poliklinikën sot. Aty kalonte rruga që të çonte para Imaretit, ose para shtëpisë time, e cila shkonte në drejtim të Përmetit dhe Janinës. Kjo rrugë vinte nga Follorina dhe Kosturi, gjurmë e saj, sot është bulevardi “Republika”.
IV
Më 7 prill 1939, me ardhjen e italianëve, familja ime doli në mbrojte vendit. Si mund të ndodhte ndryshe, Korça ishte themeluar nga paraardhësit tanë. Gjatë kësaj kohe unë vazhdoja shkollën fillore. Ime motër, Floresha, grisi librin e Edukatës Fashiste dhe bashkë me disa shoqe të tjera u largua nga shkolla. Në fund të vitit 1942 babai im, Hyseni, nëna Jalldezi dhe motra, Floresha u arrestuan nga italianët dhe u internuan në Porto-Romano në Durrës. Do ta kishin arrestuar edhe motrën tjetër, Enderin, por unë arrita ta lajmëroja dhe ajo mundi të strehohej te shtëpia e Cute Selenicës nga Kolonja, me të cilin ishim komshinj dhe kishim miqësi. Cutja banonte aty ku sot kjo rrugë quhet “Riza Cerova”, kurse unë me vëllanë Myslimin u fshehëm te shtëpia e Faslli Luarasit. Me të gjetur momentin u nisëm drejt Leskovikut te dajallarët. Qendruam te shtëpia e dajës Aqif Leskoviku; ai ishte avokat. Vëllai i madh i nënës ishte anëtar i çetës së Bajo Topullit. Më 7 prill 1939 vdiq mes dy urave nga infarkti në zemër. Kur italianët hynë në Leskovik, ikëm që aty dhe bashkë me dajat u strehuam në malet e Gramozit. Kur u kthyem në Korçë, iu bashkova debatikasve. Babai dhe motra Floresha ishin arrestuar edhe një herë më parë, por arritën të arratiseshin bashkë me komandantin e burgut, Rahman Beragozhdën dhe disa xhandarë.
V
Kur erdhën gjermanët u strehuam në Tresovë të Korçës në zonën e Oparit. Në shtëpinë tonë u vendos komandatura gjermane. Gjatë kësaj kohe, Endera jetoi në Tiranë, atje jetonte edhe halla, Emineja. Kur vendi u çlirua, para se të ktheheshim në Korçë, babai, nëna, Floresha, Myslimi dhe unë u nisëm drejt Tiranës. Korçë-Librazhd udhëtuam me një kamion. Urën e Librazhdit e gjetëm të shkatëruar. Deri në Elbasan udhën e bëmë më këmbë. Prej aty deri në Tiranë na nisën me makinën e Shefqet Verlacit e Nexhip Vinçanit. Në mbrëmje ishim në Tiranë. Pas dy ditësh u kthyem në Korçë. Shtëpinë e gjetëm të dëmtuar nga lufta: muret, ambientet e brendshme, oborri, lulet, pemët e gjithçka tjetër nuk ishte më si më parë; shtëpia ishte plaçkitur. Në vitin 1945, nisa përsëri shkollën.
VI
Në Shqipëri u vendos diktatura, por prindërit e mi nuk hoqën dorë nga shkollimi im. Pavarësisht nga fakti nëse do të isha apo nuk do të isha myteveliu i ardhshëm i Korçës, detyrimet e mia duhej t’i përmbushja. Ata dëshironin të studioja jashtë shtetit. Edhe pse dolëm në mbrojtje të vendit, (s’kishte si të ndodhte ndryshe) dhe Floresha, mori pjesë në luftë, nëna dhe babai më më porosisnin të shkoja nëpër aksione, që të mos më privonin nga e drejta e studimit. Në vitin 1946, kur isha 16 vjeç shkova vullnetar për tharjen e kënetës. Punova gati një vit. Flinim në çadra. Mensa ishte e hapur, pa çati. Çdo mëngjes na jepnin çaj me sheqer të pjekur. Na e servirnin nëpër helmeta lufte. Në drekë na jepnin fasule, por përsëri në helmeta. Kështu ndodhte edhe me ushqmin e darkës. Në mëngjes ngriheshim herët. Punonim brenda në lumë. Atë që pastronim sot, lumi e mbushte të nesërmen. Ishte një punë torturuese. Punonim 12 orë, zhveshur, pa çizme. Pastrimin e llumit e bënim me lopatë. Kjo ishte jo vetëm qesharake, por edhe ironike. Mushkonjat i kishim sipër çdo çast. Pagesa ishte simbolike. Në familje shkonim të shtunave, ktheheshim çdo të hënë në orën 06.00. U ndodha atje edhe kur i varën inxhinierët “sabotatorë”. Nuk i harroj asnjëherë ato që pashë atje.
VII
Në vitin 1948 më dërguan në shkollën unike të Elbasanit, por unë kisha ëndërruar për diçka tjetër, ëndrra ime ishte arti i ndërtimit të qyteteve, ashtu siç kishte bërë Iljaz bej Mirahori me ndërtimin e Korçës. Ëndërroja të restauroja Xhaminë e Iljaz bej Mirahorit, Imaretin, sahatin, dyqanet e vjetra, hanet, sheshet e tregtimit dhe udhët e Pazarit. Po kaq shumë dëshiroja të restauroja edhe konakët e Iljaz bej Mirahorit, shtëpinë ku unë kisha lindur, e cila mbante nr 14. Ato ishin nga gjërat më të shenjta që kishim trashëgim nga të parët tanë. Për ndërrimin e shkollës nuk hasa shumë kundërshti. Gjatë viteve 1948-1952 studiova në politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë. Pushimeve shkoja nëpër aksione. Në vitin 1950 punova në ndërtimin e kombinatit të sheqerit në Maliq. I ndihmuar nga kryeinxhinieri Koço Koçiu, drejtova punimet për ndërtimin e fabrikës së bërsive dhe të fonderisë pranë kombinatit, praktikat i kalova në ndërtimin e rrugës Milot-Skuraj. Brigada e Sali Vatës merrej me shpërthimin e minave. Ushqimi ishte i pakët; vrisnim peshk me mina për të mbushur barkun. Të njëjtën gjë provova edhe në hekurudhën Durrës- Peqin, edhe në ndërtimin e rrugës së Shkopetit.
VIII
Prindërit e mi kishin pasur të drejtë. Aksionet do të më ndihmonin për të studiuar jashtë shtetit. Pas përfundimit të shkollës “7 Nëntori” pashë emrin në gazetë; isha një prej nxënësve që do të vazhdonin studimet jashtë vendit, por kur bëmë analizat mjekësore, më nxorën të paaftë; arsyeja, sipas tyre, vuaja nga tensioni i lartë. Këtë “defekt” të shëndetit tim e dëgjoja për herë të parë. Ishte një gënjeshtër e madhe. Kërkova me këmbëgulje përsëritjen e analizave, ndërkohë u vunë në lëvizje gjithë miqtë e familjes. Nxënësit që kishin emrin në gazetë u nisën jashtë shtetit, vetëm unë mbeta këtu. Gjatë kohës që prisja përgjigje për studimet jashtë vendit, punova si pedagog në shkollën 3-vjeçare të ndërtimit, e cila ndodhej në rrugën e Dibrës mbi ndërmarrjen Rruga-Ura; jepja vizatim teknik. Miqtë e familjes ia dolën mbanë, nuk kishin lënë pa përmendur as faktin që kisha qenë në të gjitha aksionet. Një muaj e gjysmë më pas nga shokët, u nisa drejt Bashkimit Sovjetik. Do të studioja për Urbanistikë. Ishte viti 1952.
IX
U nisa drejt Moskës. Udhëtoja me vaporin “Kutuzov”, i cili ishte një vapor i vogël. Deti dukej i trazuar. Për të mbërritur deri në Odesa duhej të kalonim shumë dete: detin Adriatik, detin Jon, detin Egje, detin Marmara, ngushticën e Bosforit dhe detin e Zi. Një çast mendova se jeta nuk ishte gjë tjetër veçse një det i trazuar me dallgë. Një burrë që ishte ulur pranë meje më tha: “Na duhen 7 ditë për të mbërritur në Odesa!”. Udhëtimi ishte i bukur, shpesh shikoja delfinët që nga ndiqnin në rrugën tonë. Një çast u gjenda para Stambollit, mbeta i mahnitur; shikoja vetëm drita; ishte një qytet i madh i pafund; nuk kisha parë kurrë ndërtesa të tilla. Aty kishte jetuar stërgjyshi im, Iliaz Bej Mirahori. Më pas bëmë një ndalesë në Varna të Bullgarisë, pastaj në Konstanca të Rumanisë. Ushqimi ishte mjaft i mirë. Pas një jave mbërritëm në Odesa. Njerëz të ambasadës më prisnin aty. Me ndihmën e tyre mora trenin e Moskës, do të kalonim edhe Kievin, kisha përpara edhe 2000 kilometra rrugë të tjera për të përshkuar. Pas dy ditësh, në orën 16.00, arritëm në Moskë. Zbritëm në stacionin “Kievski Vagzall”. Atje më pritën disa studentë. Bashkë me ta mora tramvajin dhe shkuam në qytetin e studentëve “Studgorodok” Qyteti ndodhej në veri të “Mazhajskaja Shose”, rreth 200 metra larg. Më në fund kisha mbërritur në Moskë. Në konviktet e qytetit Studenti u sistemova që atë mbrëmje. Të nesërmen u regjistrova në në Fakultetin e Urbanistikës, në grupin A. Instituti ndodhej rreth 10 minuta larg stacionit të metrosë “Bauman”. Udhëtimin nga konvikti në Institut e bënim 10 minuta me tramvaj, 20 minuta me metro dhe 10 minuta më këmbë. Instituti ishte një godinë e ndërtuar 300 vjet më parë”. Megjithëse vajta me vonesë, provimet e simestrit të parë i dhashë bashkë me shokët në janar; matematikën dhe historinë e ndërtimit të qyteteve dhe arti i tyre. Në semestrin e dytë vazhdova rregullisht me shokët.
X
Vitin e dytë e bëra në Leningrad; qytet i ndërtuar mbi kënetë. Mbi truallin e tij ishin hedhur deri në 5 metra zhavorr. Lumi Niva e ndante në dy pjesë. Pranë lumit mgrihej Pallati Mbretëror i Carit, i cili ishte kthyer në muze. Duhej një javë për ta shëtitur. Kati përdhes kishte të ekspozuar antikitetin, mumjet e faraonëve, vepra arti, skulptura romake dhe greke. Vizitova edhe muze të tjera, atë mbi lumin Niva ku ishin ekspozuar disa mjete pune të Pjetrit të Madh, ndërtuesit të qytetit të Shën Pjetërburgut (Leningradit). Përshtypje më la edhe ekspozimi i zemrës së sekretarit të carit, në një qelq me solucion;. ai kishte qënë 2.20 metra i gjatë; po kaq shtatlartë kishte qenë edhe vetë cari. Përgjatë lumit Niva ndodheshin ndërtime të carit dhe monumenti i Pjetrit të Madh, vendosur mbi një shkemb, hipur në kalë. Edhe mbi lumin e Korçës mund të bëheshin ndërtime të tilla e të vendoseshin skulptura të bukura. Statuja e themeluesit të qytetit të Korçës, Iljaz bej Mirahori mund të vendosej buzë lumit. Në Leningrad punova si drejtues punimesh me pagesë në ndërtimin e një blloku bananesash, ku nuk do të mungonin konviktet, shkollat, kopështet, lulishtet, këndet e lojrave dhe institucione të tjera. Kënaqësi ishin netët e bardha. Ato mbylleshin me një festë të madhe nga fundi i muajit maj. Leningradi argëtohej gjithë natës nëpër parqe.
XI
Në Leningrad, kur isha në vitin e dytë, më 1953, u njoha me një vajzë moskovite, Valentinën, shkurt e thërrisja Vala. Ajo u bë bashkëshortja ime. Shtëpia e saj ishte shumë pranë me sheshin qëndror të Moskës, në rrugën “Kaçallova” pranë “Bulvarnaja Kalco”, jo shumë larg “Sheshit të Kuq”, pranë rrugës “Gorki”. U martuam në Bashkimin Sovjetik, celebrimet i bëmë në qytetin e Moskës. Që nga atëherë banova në shtëpinë e saj. Në maj të vitit 1957 lindi fëmija ynë i pare; e quajtëm Ilir. Gjatë shtatzanisë e ndihmoja bashkëshorten për hartimin e projektit të diplomës. Djalin e regjistruam në Ambasadën Shqiptare, rrejdhimisht u regjistrua në Korçë. Praktikën e radhës e bëra në Kiev me 12 studentë të tjerë. Aty, si teknik zbatimi, mora përsipër me pagesë ndërtimin e një magazine interniti. Gjatë kësaj kohe udhëtuam me vapor në lumin e Vollgës, vizituam qytetet Kazan, Ufa dhe Stalingrad, deri në Urale pra; u njohëm me diga, hidrocentrale etj. Këtë kohë mora detyrën e projektit të diplomës me temë: “Studim-Projektim, kuartal banimi me sipërfaqe 12 ha, me shkolla, kopështe, çerdhe, lulishte, ambiente sportive dhe argëtuese. Si objekt kisha për detyrë projektimin e një pallati sporti. Në mbrojtjen e diplomës u vlerësova shkëlqyeshëm.
XII
Në vitin 1957 u ktheva në Shqipëri. Më emëruan në Drejtorinë e Urbanistikës në Institutin e Ndërtimeve pranë Ministrisë. Në këtë Institut, në muajin nëntor, filloi punë dhe bashkëshortja. Punoja për planet rregulluese të qyteteve. Punova për shumë palne rregulluese te qyteteve, pata fatin te jem edhe projektues i stadiumit të Gjirokastrës. Më 3 maj 1959 lindi vajza jonë, Eleonora, por me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, rreth vitit 1961, u prish edhe familja jonë. Njerëz të Drejtorisë së Punëve të Brendshme kërkuan nga unë dhe bashkëshortja të bënim një deklaratë, ku të shkruhej që unë dhe ajo pranonim të ndaheshim dhe njëkohësisht të ndanim edhe fëmijët. Presionet ishin të mëdha. Nuk na mbeti rrugë tjetër. Firmosëm të dy, por vetëm në të dy e dinim cfarë ndodhte brenda nesh. Gruaja mori vajzën, Eleonorën, kurse unë djalin, Ilirin. Ishte dimër, janar. Vala me Eleonorën u nisën drejt Moskës pa u takuar me Ilirin; ai ndodhej në Korçë, e mbante nëna ime Jalldezi. E përcolla me taksi deri në Vorë, nuk munda ta çoj dot deri në aeroport, pas na ndiqnin njerëzit e sigurimit. Më pas u martova me Engjëllushen, nga kjo martesë patëm 4 fëmijë: Lolën, Jetonën, Yllin dhe Valbonën. Qëndrova në Tiranë deri në vitin 1976; atë vit më transferuan në ndërmarrjen e ndërtimit Korçë. Nuk më lanë gjatë aty; nga viti 1978-1990 më çuan në kombinatin e Sheqerit në Maliq. Familjen e kisha në Tiranë me katër fëmijë të vegjël. Nuk m’u dha asnjëherë mundësia të bëja diçka për qytetin e vjetër të Korçës, Pazarin Imaretin, hanet dhe dyqanet; ato prisheshin pak e nga pak çdo ditë.
Çfarë ndodhi më tej, na ndiqni një herë tjetër. /tesheshi.com/