Rusia ndaloi importin e ushqimeve edhe nga Shqipëria. Kryeministri rus, Dmitry Medvedev njoftoi se ka urdhëruar ndalimin e importit të ushqimeve edhe nga katër vende të tjera, Shqipëria, Mali I Zi, Islanda dhe Lihtenshtajni.
Ndalesat e prodhimeve perëndimore në Rusi janë kundërpërgjigje e sanksioneve që Perëndimi ka ndërmarrë kundër Moskës për shkak të përfshirjes së saj në ngjarjet e Ukrainës, e aneksimin e Krimesë.
Më herët, Rusia ka ndaluar importin e prodhimeve ushqimore nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Australia dhe Bashkimi Evropian.
Medvedev ka kërcënuar edhe Ukrainën për përfshirje në listën e zezë ruse të prodhimeve të saj. Kjo, nëse Kievi zbaton pjesë ekonomike të Marrëveshjes së Asocimit me Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje ishte pikënisja e gjithë revolucionit properëndimor që ndodhi në Ukrainë, kur ish-presidenti I vendit, me prirje proruse refuzoi ta firmoste afrimin me BE-në.
Kundërsanksionet e Moskës në përgjigje të masave të Perëndimit janë përshkallëzuar së fundmi edhe në shkatërrimin masiv të prodhimeve që hyjnë kontrabandë në Rusi nga vendet e BE-së. /tesheshi.com/