Ish-oficeri ushtarak rus, Stanislav Petrov, i cili është konsideruar si parandaluesi i luftës atomike mes Bashkimit Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara, ka vdekur në moshën 77 vjeçare, shkruan AFP, duke iu referuar djalit të tij.
Petrov, tregimi i jashtëzakonshëm i të cilit ishte paraqitur në dokumentarin “Njeriu që e Shpëtoi Botën”, ka fituar disa çmime ndërkombëtare, është nderuar në Kombet e Bashkuara dhe ishte takuar me yjet e Hollivudit, Robert de Niro dhe Matt Damon.
Petrov ka jetuar në një qytet të vogël afër Moskës dhe ka vdekur më 19 maj në heshtje të plotë. Por, për vdekjen e tij në Rusi dhe jashtë saj është raportuar disa muaj më vonë, kur një mik i tij gjerman ka shkruar një njoftim në mediat sociale për vdekjen e Petrov.
Në muajin shtator të vitit 1983, Petrov ishte oficer në detyrë në komandën sekrete në jug të Moskës, kur ëshë dëgjuar alarmi që ka sinjalizuar se Shtetet e Bashkuara kishin lëshuar një raketë ndërkontinetale balistike.
Oficeri, që kishte vetëm pak minuta për të marrë vendim, megjithëse nuk ishte i sigurtë për informacionet që arrinin, e ka injoruar alarmin duke e vlerësuar si të rremë.
Sikur tu kishte treguar komandantëve të tij për një sulm atomik të menjëhershëm të Shteteve të Bashkuara, udhëheqja sovjetike, që ishte e përfshirë në garën e armatimit me Uashingtonin, do të urdhëronte një sulm hakmarrës.
Stanislav Petrov, atëherë 44 vjeç, me gradë nënkolonel, raportoi për defekt në sistem dhe hetimet e zhvilluara për këtë incident, dëshmuan se ai ka pasur të drejtë, raporton agjencia AFP. /tesheshi.com/