Ka disa muaj që në Fier po vihen re lëvizje të mëdha. Grupe të rëndësishme rusësh dhe kinezësh po diskutojnë papushim në shtabin qendror të ish-kompanisë Bankers, e cila tashmë është blerë nga një korpooratë kineze Geo-Jade, e cila zotëron shumicën e aksioneve të Bankers Petroleum, në të cilën ende ka aksione të shtetit shqiptar dhe një klauzolë që ministria e Energjetikës mund të ketë prerogativa kontrolluese.
Burime diplomatike i thanë tesheshi.com se kinezët e Geo-Jade që zotërojnë pronësinë e Bankers Petroleum po negociojnë me rusët e Lukoil dhe Gazprom që të menaxhojnë së bashku pellgun naftë-mbajtës më të madh në Europë; atë të Patoz-Marinzës.
Por siç mësohet, qeveria e Edi Ramës, ka shfaqur rezistencë të fortë që ky transaksion të mos ndodhë, ndaj dhe ka nisur një përplasje e madhe, më shumë sesa politike që lidhet me zgjedhjet e 15 qershorit.
Dhe pikërisht ky është dhe kyçi i ofensivës ruse për të rrëzuar Edi Ramën dhe për të sjellë një qeveri që të mos ketë një “dorë drejtuese” dhe që të ruajë statukuonë ku të mos ndërhyjë në të drejtën e kompanisë kineze që të bëjë ç’të dojë me koncensionin.
Siç mësohet, pikërisht për këtë arsye janë hedhur para të mëdha, sidomos në qarkun e Fierit, i cili jo vetëm që është i rëndësishëm për mandatet e Parlamentit të ri, pasi është i dyti pas Tiranës, por edhe duke pasur parasysh se interesi për punësimin në koncorciumin ruso-kinez, mund të ndikojë në rritjen e votave të fierakëve për ato forca që konsiderohen si jo-kundërshtuese të hyrjes së dy gjigandëve rusë në Patos-Marinëz.
Po kush janë këto forca politike? Natyrisht ata që kanë firmosur edhe negocuar në vite kontratën e Bankers në vitin 2008 dhe 2011, pra Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Rusët pra, nuk e shikojnë Shqipërinë thjesht si një vend me influencë në rajonin ku ata duan të kenë influencë, por si interes strategjik ekonomik dhe industrial.
Ambasada ruse në Tiranë dhe biznesmenë shqiptarë të kontaktuar prej saj, po shfrytëzojnë lidhjet dhe kontaktet e tyre pranë administratës shtetërore shqiptare, për të marrë kontrollin e seksionit shqiptar të TAP-t bashkë me depot e magazinimit të gazit që priten të ndërtohen në jug të vendit.
Investitorët rusë po rrisin financimet e tyre në jug të Shqipërisë pikërisht në zonat ku do të kalojë projekti TAP. Alessandro Ronga, një ekspert i njohur i gazit në Itali, ka publikuar një analizë në revistën gjeopolitike “Limes” ku thkeson se po përjetohet një luftë e vërtëtë në fushën e gazit.
Nga njëra anë gazi azer nga ana tjetër gazi rus dhe kjo është fushëbeteja për të siguruar hemogjeninë e furnizimit me gaz për Europën perëndimore.
Projekti TAP do të zëvendësojë ish -projektin Nabuço të projektuar nga BE për të limituar varësinë e furnizimit nga gazi rus.
Konkurrenca e TAP ndaj South Stream, dëmton rëndë ekonominë në krizë të Rusisë e cila varet pothuajse në 75% nga të ardhurat e vjelura nga shitja e gazit vendeve të BE-së me çmim shumë të lartë.
Ndërsa TAP do të bëjë të mundur që e njëjta cilësi gazi do të kushtojë më pak për taksapaguesit europianë ndërsa Rusia humb përfundimisht monopolin e saj në Balkan dhe Europë për furnizimin e gazit.
Shqipëria si vend pritës i TAP do të përfitojë gati 200 milionë euro në vit nga ulja e çmimit të gazit dhe nga rentat vjetore të siguruara nga projekti madhështor i TAP.
Rusia kërkon të gjejë një rrugë për të anashkaluar territorin ukrainas në të cilin aktualisht kalon rreth 50% e gazit rus drejt Europës, por edhe për vendet e tjera të rajonit të Kaspikut, të cilët kërkojnë itinerare alternative për eksportin e gazit të tyre drejt Perëndimit, duke anashkaluar itinerarin e gazsjellësve ish- sovjetikë që kalojnë në territorin rus.
Kjo situatë e krijuar, padyshim që ka ndryshuar planet e Moskës në Balkan dhe në veçanti në Shqipëri, ku mendohet se do të jetë një portë kryesore për shpërndarjen e gazit në vendet e BE-së.
Sipas Alessandro Ronga-s, synimi kryesor i Moskës është rritja e investimeve ruse në zonën: Shqipëri-Greqi-Turqi për të pasur kontrollin mbi projektin TAP, ngaqë nga ky projekt llogaritet që të ardhurat e Rusisë nga shitja e gazit në drejtim të Europës të ulen rreth 70%, çka do t’i sillte shumë probleme ekonomisë ruse dhe sektorit të energjisë.
Gazprom dhe Dhoma e Tregtisë në Moskë e konsiderojnë TAP një rrezik serioz për financat e Moskës, pasi Rusia transporton rreth 155 miliardë metro kub gaz drejt vendeve të BE-së.
Një nga efektet që i druhet Moska është padyshim zhvlerësimi dhe rënia e çmimit të gazit dhe pamundësia për të vendosur në mënyrë të njëanëshme klauzola favorizuese, pasi me mbarimin e projektit TAP, Rusia nuk do të ketë më ekskluzivitetin e furnizuesit të parë dhe të vetëm të gazit në rajon dhe në Europë.
Italiani Ronga thekson se tkurrja e të ardhurave ruse nga furnizimi i gazit do të rëndojë në buxhetin e viteve në vazhdim, që do të ulë edhe pretendimet e Moskës për të rritur fuqinë ndikuese në BE dhe në vendet e Ballkanit.
Rusët e njohin mirë Patoz-Marinzën pasi ata kanë punuar fuqishëm për hartat e saj dhe në momentin që Enver Hoxha u prish me sovjetikët, edhe burimi i madh i Patoz Marinzës pësoi djegien më të madhe në histori.
Kjo prani ruse është përshkruar nga Ismail Kadare në romanin “Emblema e dikurshme”, ku personazhi i “Kapuçonëve të Zinj” nënkupton agjenturën ruse.
Kompanitë shtetërore dhe private ruse kontrollojnë tashmë një përqindje të lartë të sektorit energjitik në shtetet ballkanike dhe janë përfitueset më të mëdha të proçesit të privatizimeve të periudhës post – komuniste.
Investimet e këtyre kompanive i gjejmë kudo në rajon. Në 2008 kompania ruse Gazprom bleu gjigandin energjitik serb Naftna Industrija Srbije (NIS), i cili ka monopolin e prodhimit të naftës dhe gazit në Serbi si dhe një sërë rafinerish, deposh dhe terminalesh shpërndarjeje. Kompania shtetërore ruse Zarubezhneft bleu në 2007 në Republikën Srbska të Bosnjes rafinerinë e naftës Brod, impiantin e prodhimit të lubrifikanteve Modrica si dhe koncesionin ekskluziv në 2011 për shfrytëzimin e rezervave të naftës dhe gazit në territorin e vet, për 28 vjet. Në Bullgari, gjithashtu, kompanitë ruse janë shumë aktive.
Oligarku rus Kirsan Ilyumzhinov, i afërt me Putin, bleu në vitin 2012, shumicën e aksioneve të distributorit më të madh bullgar të naftës Petrol Holding. Një tjetër kompani private ruse, Lukoil – dhe kjo e drejtuar nga një tjeter oligark besnik i Kremlinit, Vagit Alekperov – ka në zotërim asete të rëndësishme në Bullgari, duke përfshirë rafinerin e naftës Burgas (më e madhja në Ballkan) dhe një impiant të madh magazinimi të naftës, duke i garantuar kompanisë ruse kontrollin e 74% të tregut bullgar të produkteve të naftës.
Lukoil zotëron edhe distributorin serb të naftës Beopetrol, i cili kontrollon me qindra stacione karburantesh në Bullgari, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe Kroaci.
Qershia mbi tortë e Rusisë për të dominuar në të ardhmen tregun rajonal dhe atë europian të gazit, ishte plani për të ndërtuar gazsjellësin SouthStream, i cili kalonte përmes Ballkanit dhe shkonte deri në zemër të Europës.
Por vendosmëria e BE-së për të penguar rritjen e varësisë së rajonit në veçanti, por edhe të gjithë BE-s nga eksportet ruse të gazit dhe aprovimi i TAP-it, bëri që ky projekt të anulohet në fund të vitit 2014, duke i dhënë një goditje të rëndë ambicjeve ruse.
/tesheshi.com/